Reforma të thella, qeveri e cekët (!)
Vazhdojnë komentet dhe shfajësimet për ngjarjen e rëndë të 15 marsit, që ende mban të mbërthyer opinionin publik shqiptar. Drejtues dhe ish-drejtues të Ministrisë së Mbrojtjes janë përfshirë në një luftë akuzash dhe kundërakuzash, në përpjekje për të ikur sa më larg nga pasojat e gjithanshme të shpërthimit në Gërdec. Krateri i atjeshëm, më shumë se kurrë i ngjan tani një honi që ndan shtetin dhe qeverisjen në tërësi me qytetarët e vet. Shiu i egër i "plakave" të marsit e ka ftohur llavën e fshehur e të nxehtë të së keqes. Por assesi nuk mund të shuajë e të godasë me harresë, dëshpërimin që iu imponua gjithë vendit. Një nga zhgënjimet më të mëdha të qytetarëve shqiptarë, krahas tronditjes dhe dhembjes për tragjedinë e 15 marsit, duket se është sot zhveshja lakuriq e qeverisë, e administratës, së cilës ata i patën besuar më 3 korrik "kthesën e madhe", "ndryshimin". Pardje, kryeministri Berisha foli sërish për "reforma të thella"; ato që janë kryer deri tani, pas dy vjet e gjysmë në pushtet, na qenkëshin të cekëta(!) Çfarë ironie! Nuk ka dyshim se fatkeqësia reale e konstante që ka qëndruar dhe qëndron mbi shpatullat e brishta të Shqipërisë, e sendëzuar në mënyrën më të frikshme në ngjarjet e Gërdecit, është mungesa e transparencës; e transparencës së administratës publike me publikun. Qoftë edhe vetëm për këtë, qeveria shqiptare, kreu i saj, i (pa)lodhuri Berisha, janë vënë me të vërtetë në pozita sa qesharake, aq edhe dramatike. Është rasti sot të kujtojmë protestat e përditshme të qytetarëve të Budapestit, rreth një vit më parë, kur ata "u adhnuan" me Kryeministrin e tyre "për një fjalë goje". Kurse ajo çka ndodh në këtë vend, është ekstremisht më e madhe dhe më e rëndë; edhe vetë rruga e përshkuar deri në 15 mars, për hir të së vërtetës, ka qenë plot hone. U desh një tragjedi me përmasa kombëtare, që vështrimi mbi këto hone të bëhet më i qartë. Ndërgjegjja flet, interesi ulërin. Kjo është një sentencë e njohur, që do të justifikonte shumëçka nga ajo që pamë veçanërisht këto ditë: nga njëra anë, "shëtitja" e trishtuar e qytetarëve të Tiranës dhe, nga ana tjetër, përpjekjet e pacipta të qeveritarëve për të ndryshuar kahjen e ngjarjes, kahjen e ngjarjeve. Dëgjon ende tek-tuk nëpër ekrane ca servilë të koalicionit qeverisës të thërrasin se popullit të Gërdecit nuk i duhen bërtitjet, dorëheqjet; përkundrazi, i duhen alternativat. Ashtu vërtet. Alternativat më së pari; por në të njëjtën kohë, kjo qeveri dhe drejtuesit e saj kryesorë duhet të rrëfehen... Nëpunësit e pajtuar nga populli për të drejtuar vendin, del se kanë gënjyer, vjedhur, turpëruar (kujtoni tronditjen e raporteve me partnerët, pas plasjes së këtij skandali); atëherë, përse shqiptarët duhet t'i ndjekin ende pas nëpër hone?
Transparenca ndaj publikut është parimi mbi të cilin ndërtohet dhe gjallon e gjithë ngrehina e atij sistemi politik që quhet demokraci. Është si njëlloj rrjete, ku realisht duhet të ngecë paaftësia, papërgjegjshmëria, përfshirja në trafiqe, shmangia nga ligji, lidhjet e dyshimta, e kështu më tej. Këtë rrjetë, administrata qeverisëse dhe politika që i shërben gjoja "zbutjes së gjakrave", e kanë shqyer si mos më keq. Dhe gjërat fillojnë aty ku harresa është mbret. Partitë politike kanë praktikuar të parat fshehacakërinë. Ato nuk janë transparente; bie fjala, ato mashtrojnë elektoratin dhe gjithë pjesën tjetër të qytetarëve, më e pakta me të ardhurat e tyre. "Nëse procesi i financimit nuk është transparent dhe nëse nuk u kërkohet partive politike të bëjnë publike burimet e donacioneve të mëdha, atëherë popullit i ngelet t'i nxjerrë vetë përfundimet, teksa sheh ata që dyshohen se financojnë partitë politike, të përfitojnë hapur nga kontratat e majme dhe nga biznese të tjera qeveritare". ("Praktikat më të mira në luftën kundër korrupsionit", botim i OSCE.) As vizitat në selitë e kultit, as përfshirja në "pastrim" e disa televizioneve dhe gazetave të rekrutuara, as edhe përbetimet e reja për reforma "serioze", nuk mund të shmangin krerët në fuqi të këtij vendi nga nevoja për t'u rrëfyer dhe për të marrë atë çka meritojnë. Të habit fakti që ky shtet konsumon aq shumë demagogji për luftën kundër evazionit fiskal, ndërkohë që tragjedia më e fundit zbuloi një skandal shumëplanësh, edhe fiskal. Në një konferencë shtypi të para disa kohëve, ministri i Financave, Ridvan Bode, me shumë të drejtë iu është drejtuar pak a shumë me këto fjalë biznesmenëve: "Gjej rastin për t'i bërë thirrje të gjithë komunitetit të biznesit, që kostoja e të qenit formal është më e ulët se kostoja e të qenit informal. Prandaj kërkoj që të marrë fund "epoka" e dy bilanceve dhe dy palë deklaratave dhe të mund të deklarohen të ardhurat konform ligjit, për të mundësuar jo thjesht nxjerrjen në dritë të aktivitetit të tyre ekonomik, por për të ulur edhe koston e biznesit të tyre për shkak të përpjekjeve për të manipuluar me shifrat dhe të dhënat". (Faqja e internetit e Ministrisë së Financave) Nuk ka ku të shkojë më saktë se kaq. Po si i bëhet kur qeveria vetë gënjen për kontratat, për ndërmarrjet (anonime e mafioze) që marrin jetë njerëzish, (edhe fëmijësh), për trafikun e armëve, e të tjera këso, që na tregojnë se ky shtet e urren transparencën...
A është kjo administratë qeverisëse transparente (më e pakta) edhe në publikimin dhe promovimin e gjithë të dhënave e treguesve ekonomikë e socialë të vendit? Druajmë se jo. Aferat dhe skandalet e plasura, të inkurajojnë të mos i besosh as ato. Edhe kështu, do të mjaftonin vetëm disa pak tregues, për të dyshuar që janë larg së vërtetës të dhënat që ne publikojmë; kjo është përgjegjësi e administratës, sa edhe e institucioneve tona (pothuaj të gjitha) proqeveritare. Demagogjia e sukseseve të mëdha, me këtë rast tretet si kripa në ujë; më e pakta, vihet në dyshim seriozisht. Administrata qeverisëse nuk është treguar transparente edhe në punët më të mëdha e më të kushtueshme që janë bërë e bëhen në këtë vend. Prej kohësh, flitet për tenderimin dhe ndërtimin e rrugës Durrës-Kukës, përndryshe Durrës-Qafë e Morinit; "kali" i një prej betejave më të fundit midis shumicës dhe opozitës, u bë segmenti Rrëshen - Kalimash. Ndjeshmëria e të gjithë shqiptarëve, andej e këtej kufirit, për përfundimin e kësaj rruge, duket se nuk i ka penguar nëpunësit dhe drejtuesit e shtetit të fshehin shkeljet dhe abuzimet në zbatimin e ligjshmërisë shqiptare dhe gjithaq në lidhje me fondet e konsumuara për këtë aks të rëndësishëm. E, më në fund, përse na hyn në punë e përse vlen fshehacakëria? Që të stimulohen vetëm arritjet, sukseset? Dhe s'ka kurrfarë problemesh ky vend, more këndon e lulëzon...! "Nëse kështu thotë shoku Napoleon, atëherë kështu duhet të jetë...". (Xhon Oruell, "Republika e kafshëve") Mirëpo këso, midis administratës dhe publikut shfaqen honet e mosbesimit; një prej këtyre honeve është shfaqur këto ditë më frikshëm se kurrë. Kjo është njësoj si të kthehesh prapa, në kohët kur gënjeshtra dhe krimi pak dallonin nga njëri-tjetri. Kreu i qeverisë po zotohet për reforma të thella. Vështirë se mund të bëjë këso një qeveri e cekët, tashmë edhe e diskretituar.