E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nxënës-Psikolog, marrëdhënie e ftohtë

 

Roli i psikologut nëpër shkollat e mesme i pandjeshëm. Nxënësit : Nuk shkojmë se e qujmë turp dhe ulje

 

Konsultat janë të rralla sepse gjimnazistëthezitojnë shumë dhe kanë një lloj fobie që nuk e kapërcejne dot .

TIRANË- Problemet psikologjike të gjimnazistëve duket se janë të destinuara të mbeten brenda kokës së tyre. Janë vetë nxënësit që nuk kanë besim, as dëshirë, që shqetësimet e tyre t'ia komunikojnë mësuesit e aq më pak psikologut të shkollës, e gjitha nga një mungesë besimi dhe një lloj fobie që nxënësi ka ndaj psikologut. Kjo shpie në një mungesë të madhe informacioni mbi dhunën në shkolla, në familje, abuzimet nga mësuesit, si dhe një vakuum të madh mbi realitetin e përdorimit të drogave. Në këto kushte nxënësit preferojnë më tepër një shok për t'u rrëfyer sesa një autoritet tjetër "jo besnik" dhe konfidencial, pavarësisht se shoku ose shoqja nuk mund t'i ofrojë një këshillë profesionale, për të cilën ka aq shumë nevojë një adoleshent. Deri më sot, shkollat nuk kanë një strategji tjetër më të mirë për të evidentuar dhe zgjidhur problemet specifike të nxënësve, lidhur me rreziqet e mëdha që u kanosen atyre prej drogave dhe abuzimeve të ndryshme

"Nxënësit konsultohen fare pak me psikologun dhe në të shumtën e rasteve për probleme familjare, divorce prindërish, probleme me mësuesin, si dhe probleme me njëri-tjetrin",- shprehet Jovan Kristiqi, drejtori i shkollës së mesme "Sami Frashëri" në Tiranë. Sipas tij, të dhënat janë të pakta, pasi dhe në raste të tilla, shkolla njofton mësuesin kujdestar që ndaj nxënësit të tregohet vëmendje e veçantë dhe kujdes i madh. "Ndërsa rastet e përdorimit të drogës janë shumë të vështira për t'u identifikuar, thuajse e pamundur, pasi ato nuk tregohen dhe të dhënat i ka policia, e cila nuk na i jep, ia kemi kërkuar dhe nuk na i japin",- shton Kristiqi. Fakti që policia nuk ua jep të dhënat u heq mundësinë e një ndihme alternative këtyre nxënësve.

Prel Vata, drejtori i shkollës së mesme të Gjuhëve të Huaja, shprehet: "Çdo javë, psikologu më njofton me një relacion mbi problemet e nxënësve dhe nuk është se bëhen shumë konsulta". Kjo shkollë është ndër më të populluarat në vend dhe përsëri informacioni specifik mbi nxënësit mungon.

Psikologu, një mik i panjohur

Psikologu i shkollës së mesme të Gjuhëve të Huaja, Dorian Malaj shprehet se: "Problemet në shumicën e rasteve janë të natyrës personale dhe shkojnë me shkallëzime. Gjëja që i shqetëson më shumë janë dashuriçkat mes njëri-tjetrit dhe problemet me shoqërinë". Pas kësaj vijnë problemet familjare dhe në fund, problemet nxënës-mësues. "Konsultat janë të rralla sepse ata hezitojnë shumë, mirëpo kur e shohin ambientin dhe bisedën e ngrohtë kanë tendencën të bëhen më të lirshëm",- shton Malaj. Sipas tij, bisedat me nxënës zhvillohen shumë rrallë pasi në përgjithësi nuk janë të mësuar t'i drejtohen psikologut për ndihmë. E gjitha është një lloj fobie dhe një lloj hezitimi që ata ende nuk e kanë kapërcyer dot. Ndërsa informacione mbi përdorimin e drogave apo rrëfime të kësaj natyre nuk bëhen kurrë tek psikologu.

Gentiana B., nxënëse në gjimnazin "Besnik Sykja" shprehet: "Asnjeri që njoh nga shoqëria ime nuk shkon tek psikologu, kanë edhe turp dhe e quajnë ultësi. Jo se mungojnë problemet, probleme ka çdonjëri këtu, zënka mes njëri-tjetrit, probleme me mësuesin dhe probleme në familje. Ne më shumë flasim me njëri-tjetrin, edhe pse kjo nuk të ngushëllon shumë, vetëm thjesht sa i qahesh dikujt".

Pas kaq vitesh të pranisë së psikologut në shkolla, ende ai mbetet një aktor dytësor në rolin që luan shkolla mbi nxënësin. Ai që duhej të konsiderohej mbështetje dhe ngushëllim për t'u rrëfyer, është një i panjohur të cilit nuk i zihet shumë besë. Shifra të ndryshme që flasin për rreth 20% të gjimnazistëve si përdorues të drogave nuk i afrohen shumë realitetit pasi informacioni mbi këto shifra është vështirë të merret nga burime të sakta. Shkollat nuk kanë ndonjë mënyrë për të evidentuar përdorues të lëndëve narkotike.

 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›