E Shtunë, 31 Tetor 2026

Teoria e tragjedive ...

1.

Stephen Hawking ( i cili ndërroi jetë në Janarin e këtij viti) është ndër ato shkencëtarë që ka pasë ambicien që të synojë kuptimin e Universit. Dhe ai që rreket ta kuptojë Universin, shumë shpejt do gjenden përpara teorisë së Bing Bang... Stephen Hawking nuk asht i vetmi në këtë rrugë. Por ajo që e ban të ndryshëm Stephen Hawking asht përpjekja e tij për ta shpjeguar Bing Bang-un me anë të mekanikës së kuanteve (Quantum Mechanics), e cila, në kundërshtim me relativity (science of very large) asht dhe shkenca e grimcave ma të vogla që njihen der më tash (science of very small)… Për S.Hawkings, janë grimcat e vogla ato që na shpjegojnë ma mirë të madhen, të pafundmin, Universin, i cili asht në zgjanim të përhershëm…

Grimcat e vogla? Ato që në vitin 1960, fizikanti Hurray Gell-Mann i pat quajtur Quark, sipas një rreshti nga Finnegan's Wake të James Joyse. Por edhe Quarks, grimcat përbërëse të protoneve e të neutroneve, ma vonë vëren se përbahen të paktën nga gjashtë nëntipe, e kto gjashtë nëntipe, ndonjë shkencëtar i ardhshëm pas Stephen Hawking ka për të vërtetuar se ndahen secili prej tyre në një pafundësi nën-nën-tipash... Sipas Stephen Haëking, e vetmja rrugë për njohjen e Universit asht njohja e grimcave sa më të vogla... Një mendim ky që do t'i tërbonte të gjithë politikanët shqiptarë, ata të majtë e ata të djathtë, ato të qendrës e ata të kryesisë së Qendrës.

2.

Në Shqipni të gjithë politikanët mendojnë dhe flasin për gjërat e mëdha. NATO, OKB, OSBE, Këshilli i Sigurimit, Këshilli Ndërkombëtar i Kujtimit të Holokaustit, Ambasadori Amerikan, dhe ai francez, dhe ai italian dhe grek të marrë së bashku, pa harruar dhe Ambasadorët rumunë dhe mongol... Këtë obsesion e kanë të gjithë gazetat shqiptare: pritja e shtruar në një Ambasadë, është një subjekt mediatik; përzemërsia e Ambasadorit Amerikan ndaj përfaqësuesit të Partisë së Shish Tufinës do të deshifrohej si fitorja e ardhshme elektorale e Partisë së Shish Tufinës. Shoqërimi i Ambasadorit Kinez, ta zëmë, me drejtorin e "Gazetës Shqiptare", do të ishte dhe prova më e pakundërshtueshme se kjo gazetë shihet me sy të mirë në Bruksel...Vetë Kryeministri shqiptar dhe ministrat shqiptarë flasin se sa të suksesshëm janë në botë... Nëse ndonjë politikan shqiptar siguron një fotografi me Presidentin e një shteti të fuqishëm, kjo deshifrohet se ai asht i pëlqyeshëm, madje se asht dhe kandidatura e ardhshme e kryetarit të shtetit shqiptar...

Do të mjaftonte vetëm kjo simptomë, që të kuptosh se sa e fortë asht dhe trashigimia e mentalitetit komunist në Shqipërinë e sotme: a ju kujtohet se si shteti i dikurshëm komunist na fliste gjithë ditën e ditës për ngjarjet ndërkombëtare, për Groenlandën dhe Kilin, për Korenë dhe Amerikën, për proletariatin e zemëruar gjerman dhe për Kanadanë, dhe ne nuk merrnim vesh kurrë se çfarë ndodhte pesë kilometra më larg? A ju kujtohet se ne njihnim në mënyrë të shkëlqyer hartën e botës, shtetet dhe kryeqytetet e botës, por nuk kishim as dhe idenë ma të vogël për fshatrat përreth?

Mentaliteti komunist në Shqipni asht i shartuar me një mentalitet provincial të klasit të katërt. Kjo dhe jep atë tragji-komiken karakteristike të Shqipnisë: Kryeministri shqiptar deklaron në Parlament se, "për herë të parë në jetën time kam dëgjuar emrin Gërdec, më 15 mars, pas orës 12, ditën e katastrofës", a thua se ky emër, Gërdec, ndodhet dikun në malet e Kaukazit Qendror, ose, në të kundërt, a thua se ky Kryeministër vjen nga Kaukazi Qendror për herë të parë në Shqipni. Asnjë kryeministër në botë nuk do kishte guxuar të pohonte se as ai nuk e ka dëgjuar emnin e një fshati në vendin e vet, ku dhe kryeson si kryeministër, aq më tepër emnin e nji fshati që ndodhet veç nja 20 km larg nga zyra e tij kryeministrore, e aq më tepër një fshat që paska qenë depo armatimesh të rrezikshme. Por të paktën Kryeministri shqiptar asht i sinqert. Të njëjtën gjë do kishin thënë, po qe se do ishin të sinqertë, të gjithë ministrat dhe kryetarët e partive politike shqiptare, madje dhe një historian elitar si Paskal Milo, madje dhe vetë deputeti i zonës së Gërdecit. Dhe janë po këto mostra që flasin me hollësi për diskot e Parisit dhe të Athinës (sidomos Athinës), që të flasin imtësisht, më imtësisht madje se dhe guidat turistike, për lagjet dhe rrugët e Amsterdamit, (sidomos për një distrikt të Amsterdamit) dhe për piceritë e Romës dhe për fshatrat patriotiko-shishqebaptore të Maqedonisë...

3

Insensibility- titullohet njëra ndër poezitë më dramatike të Wilfrid Owen, e shkruar në llogoret e Luftës së Parë Botnore. Është një titull që do t'i shkonte të gjithë politikës së sotme shqiptare, së bashku me atë qerren e çartafillume që i shkon pas e që quhet Mass Media... Thotë prapë Kryeministri shqiptar: "Më 15 mars, Shqipëria përjetoi në Vorë një katastrofë të tmerrshme, realisht të tmerrshme, të shoqëruar me plagosje, me humbje të konsiderueshme në jetë njerëzish...". A e vëreni hierarkinë që vendos kryeministri shqiptar: të plagosur dhe humbje jetësh! një lapsus? Në Shqipni edhe mund të konsiderohet një lapsus, por jo në vendet e tjera të qytetërueme. Kudo raportimet fillojnë me humbjen e jetës, sepse humbja e një jete asht një humbje e pariparueshme. John Donn thotë katër shekuj ma parë se vdekja e një njeriu të vetëm e zvoglon të gjithë njerzimin. Kjo asht kultura humanitare, kulturë nga e cila politikanët dhe deputetët shqiptarë kanë imunitet të plotë (termi më i pëlqyeshëm i politikanëve shqiptarë). Por në Shqipni politikanët kanë një ndjeshmëri të tillë, që J.D.Salinger në "Catcher in the Rye" do ta quante "ndjeshmëri si një ndenjtëse WC-je". E gjithë politika shqiptare ka një pandjeshmëri rrëqethëse: raportimi i vetëvrasjeve në përmasa tragjike thuhet si një kuriozitet. Krimet dhe mungesa e shtetit ligjor shpjegohet me Kanunin. Edhe ai raportim i rastësishëm i korrupsionit të politikaneve dhe të qeveritarëve është një ngushëllim i kotë, sa kohë që ky lloj raportimi vetëm sa bën efektin e kundërt: rrit prestigjin e të korruptuarve. Për arsyen e thjeshtë se një korrupsion i ditur botërisht dhe i pandëshkuar, tregon forcën e të korruptuarit. Administrata shtetnore ka krijuar, krahas ministrave dhe më lart tyre, zyrtarët e mesëm dhe zyrtarët poshtë tyre, drejtorë drejtorish dhe nëndrejtorë drejtorish, ambasadorë, zyrtarë të lartë, që gjallojnë mes arrogancës, grykësisë proverbiale dhe injorancës së hukubetshme. Më ka qëlluar të takoj në Londër një Drejtor Drejtorie që kishte ardhë për të gjetur biznesmen anglezë për t'jua shitur Malin e Dajtit, pyjet e Dajtit, të drejtën për të gjuajtur atje. Ngaqë nuk më njohu, më dha dhe një video që kishte përgatitur Ministria e tij. Me tha se kishte mik një ministër me emrin Xhuveli (me sa më kujtohet) dhe se i ndante fitimet me të. Më tha se kishte katër restorante, njërin prej të cilëve në Londër, me emrin e të vëllait, pa përmendur shtëpitë dhe tokat... Ja, këta nastradinë groteskë,por jo veç nastradinë, të pashqetësuar nga askush, të pa vënë re nga askush, janë zyrtarët shqiptarë që gjallojnë sa kohë që kryeministrat flasin të kënaqun për NATO-n dhe OKB-në, për Brukselin dhe për Takimin e Shtatëshes, për miqësinë me popullin vëlla turk a për Presidentin Amerikan. Përmendja vend e pavend e NATO- dhe OKB-s, obsesioni provincial me Ambasadat dhe Ambasadorët, me OSBE dhe madje dhe me clerk-et e tyre, kthehet kështu në një alibi të korrupsionit të përditshëm që eksperimentojnë njerëzit në jetën e tyre të përditshme. Alibia e mungesës së dritave dhe e ujit, e baltës dhe e pluhurit të rrugëve, dhe mbi të gjitha, alibia e krimeve të pandëshkuara të djeshme e të sotme dhe e kriminelëve të patrazuar të djeshëm e të sotëm...

E vërteta asht një pikë e vogël, vetëm budallenjt e zmadhojë atë, e kishte zakon të thoshte shekuj me parë Paracelsus.

4.

"Unë bëra ligjin, Ministria e Mbrojtjes kishte detyrë ta zbatonte", -vazhdon të thotë Kryeministri i shqiptarëve, në një kohë kur dhe nga fëmijët e fillores dihet që Kryeministri asht që të zbatohet ligji. Por në Shqipni politikanët pëlqejnë të të thonë se sa evropiane janë ligjet shqiptare, duke harruar se askush nuk do t'ia di së çfarë ligjesh ke të shkruara. Puna asht se cilat ligje zbatohen. Dhe jo ato ligje që zbatohen te politikanët, te ministrat, te zyrtarët, por te Quarkët e shoqnisë shqiptare, tek ato partcicles të paemër, te protonet, elektronet dhe neutronet e paemër që vërtiten (jo të lira) në zyrat e administratës, mes forcave tërheqëse të arrogancës, fudullëkut, moskokëçarjes, dhanies së ryshfeteve deri në dhanien e jetës njerëzore...

Dhe ngaqë shkrimin e filluam me Stephen Haëking, po e mbyllim me një parafrazim të një thanieje të tij, që në shqip do tingëllonte kështu: Armiku ma i madh i njerëzimit nuk asht politikani, por politikani që ka iluzionin se asht politikan

*Titulli është i redaksisë. Titulli në origjinal: "Grimcat më të vogla, të mëdhenjtë dhe teoria e tragjedive..."

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›