E Diel, 1 Nëntor 2026

Borë dhe stuhi në Korçë, 12 mijë banorë në errësirë

 

Rikthehet dimri i egër në Korçë. Era rrëzon shtyllat e rrjetit të energjisë dhe shkakton defekte. Ngrihet shtabi i emergjencave

Pa drita komunat e Pojanit dhe Bulgarecit. Dëme edhe në qytet. Tabela, reklama dhe pemë të rrëzuara

 

Korçë- Ditët e egra të dimrit janë rikthyer sërish në Korçë, me erë të pazakontë, madje dhe reshje dëbore gjatë orëve të pasdites së djeshme. Moti i keq i shoqëruar me erë të fortë në qarkun juglindor të vendit ka sjellë me vetë dhe probleme të shumta. Era e fortë që ka mbizotëruar natën e së dielës, por dhe dje ka shkaktuar rrëzimin e shumë shtyllave të rrjetit elektrik në rrethin e Korçës. Dëmtimi i tyre ka sjellë dhe shfaqjen e defekteve serioze elektrike, duke lënë në terr të plotë 12 mijë banorë.

***

Fatin e keq, pas rrëzimit të shtyllave e kanë pasur dy komunat më të mëdha në rrethin e Korçës. Kështu komuna e Pojanit dhe ajo e Bulgarecit kanë provuar mungesën e gjatë të energjisë elektrike për më shumë se 12 orë. Duke iu referuar të dhënave zyrtare që vijnë nga Agjencia e Shpërndarjes në Korçë, gatishmëria e grupeve të avarive ka qenë maksimale, ndërsa gjatë gjithë kohës është punuar në terrene të vështira malore, nën një erë të forte, të shoqëruar dhe me reshje shiu për të evituar riparimin në kohë të defekteve. Sipas Elena Bërxhikut, përgjegjëse teknike pranë Agjencisë Elektrike në Korçë, situata në rajonin juglindor përsa i përket furnizimit me energji elektrike është paraqitur serioze, ndonëse nuk ka munguar gatishmëria e specialistëve të KESH-it në këtë rajon. "Fidri 21 në komunën e Pojanit dhe ai 22 në komunën e Bulgarecit kanë pësuar defektet më serioze të cilat kanë ardhur nga rrëzimi i një numri të konsiderueshëm shtyllash elektrike",- tha ajo.

***

Probleme ka pasur edhe brenda në qytet, por sipas specialistëve situata ka qenë më e lehtë, jo aq serioze. Për pasojë, defektet janë riparuar në kohë. Përpos shtyllave të tensionit, era ka shkaktuar dëme të tjera në qytet. Të dhënat paraprake llogarisin një dëm në miliona lekë, kryesisht tabela, reklama dhe pemë të rrëzuara, duke u bërë edhe rrezik serioz për kalimtarët. Mësohet se nga rrëzimi i shumë pemëve nëpër rrugët e qytetit janë bllokuar për pak kohë segmente të ndryshme rrugore. Aq sa është dashur ndërhyrja e bashkisë për të bërë largimin e tyre dhe rinisjen normale të qarkullimit. Shtabi i Emergjencave Civile është mbledhur gjatë ditës së parë të kësaj fillim jave për të pasur të gjitha informacionet e nevojshme, për të ndërhyrë në kohë në zona ku mund të ketë probleme të natyrave të ndryshme.

 

****Sipas shefit të kapitenerisë, Hasanaj, është urdhëruar pezullimi i lundrimeve. Deti, tetë ballë, era 40m/sekondë

Moti i keq, bllokohet puna në Portin e Vlorës

Tragetet pezullojnë nisjet e programuara. Asnjë përpunim anijesh, të ankoruara edhe peshkarexhat

VLORË- Situata e rënduar meteorologjike, era e fortë dhe shiu i dendur që ka vazhduar pa ndërprerje ka pezulluar punën në portin e Vlorës. Tragetet kanë qëndruar në radë, duke pezulluar nisjet e programuara, ndërsa anijet e tjera që kanë rastisur në lundrim i janë drejtuar vend-strehimeve. Asnjë përpunim anijesh nuk është bërë dje, ndërkohë që kapiteneria ka sqaruar se bllokimi do të vazhdojë deri në një urdhër të dytë në varësi të kushteve të motit. Probleme ka pasur edhe në qytet, ku shumë rrugë janë parë nën ujë, kurse era e fortë ka shkaktuar dëme të konsiderueshme

***

Sipas të dhënave zyrtare të kapitenerisë së portit situata e djeshme meteorologjike ka qenë ndër më të këqijat. Deti ka shënuar valëzimin 5-6 ballë në brendësi të gjirit të Vlorës, ndërsa në det të hapur ka arritur në 7-8 ballë, duke e bërë lundrimin të pamundur. Sipas shefit të kapitenerisë së portit, Genci Hasanaj, sipas të dhënave, shpejtësia e erës ka qenë 30-40 metër për sekondë, e si rrjedhim asnjë anije nuk i rezistonte lundrimit në det. Problemet janë shtuar nga mungesa e energjisë elektrike, e cila ka distancuar komunikimin ndërmjet kapitenerisë dhe anijeve, pasi radari-monitor, por edhe disa nga radiot ndërlidhëse me gjatësi vale të gjatë janë shkëputur. Probleme me energjinë ka pasur në pjesën më të madhe të qytetit, si pasojë e defekteve shkaktuara kryesisht nga era.

***

Sipas Hasanajt, tragetet janë stacionuar në radë, kurse anijet edhe pse të ankoruara kanë marrë masa shtesë për çdo të papritur. Ekuipazhet kanë qenë në gatishmëri totale për çdo eventualitet që mund të sjellë moti i keq dhe deti tejet i trazuar. Që nga mëngjesi, në portin e Vlorës tragetet e linjës Vlorë-Brindisi kanë qëndruar në radë, pra në det të hapur brenda gjirit të Vlorës, në afërsi të gjireve të mbrojtura të Gadishullit të Karaburunit. Këto tragete për të mos pasur probleme me erën shumë të fortë janë detyruar që të nxjerrin dhe cimat e tjera për të përforcuar spirancën. Në molin tjetër ku përpunohen anijet e mallrave puna është pezulluar, pasi përpunimi i mallrave ka qenë i pamundur. Dhe ato pak mjete që kanë qenë të ankoruara në këtë mol kanë marrë masat e nevojshme për të mos pasur probleme dhe përplasje me molin. Kurse anijet e peshkimit janë të ankoruara në Tri Port. Disa nga ato, pasi kanë peshkuar, nuk kanë mundur dot të vijnë më në mol për t'u ankoruar, por të detyruara nga mori i keq si dhe nga era e fuqishme natën e së dielës dhe ditën e djeshme e kanë kaluar në gjirin e Shën Janit, në Karaburun. "Kemi dhënë të gjitha urdhrat për pezullim të lundrimeve deri në një moment të pacaktuar, edhe për anijet edhe peshkarexhat"- thotë Hasanaj.

***

Gjurmët e motit i gjeje dje në gjithë rrugët e qytetit bregdetar. Nëpër bulevarde shihje degë palmash të shkëputura nga era, ndërsa rrethimet e shumë pallateve në ndërtimin janë shkëputur, duke rrezikuar kalimtarët. Energjia elektrike është ndërprerë në pjesën më të madhe të qytetit, e po ashtu kanë qenë edhe lidhjet e telefonave. Sa për shiun, situata ka qenë e njëjtë si përherë kur ka reshje të vrullshme. Lagjet problematike kanë vuajtur po njësoj.

 

Rrëshqet tabani i rrugës në ndërtim, rrezikohet bllokimi i autostradës

Mirditë, dëmtohen akset nacionale

MIRDITË- Reshje të shumta shiu dhe ciklon i shoqëruar me erëra të forta e stuhi, ka pasur dhe në rajonin e Mirditës ditën e djeshme. Stuhia e fortë filloi që në orët e natës duke sjellë fryrje të lumenjve e përrenjve shkaktoi dëme sidomos në asket nacionale. Më i prekur ka qenë aksi nacional Rubik-Rrëshen, si dhe ai për Shpal, ku inerte të tëra kanë rënë në rrugë, ndërsa asnjë mjet i mirëmbajtjes me sipërmarrje të rrugëve nuk shihej t'i pastronte ato. Ndërkohë që shtimi i vrullshëm i lumenjve Fan i Vogël dhe Fan i Madh kanë sjellë probleme dhe për ndërtuesit e autostradës Durrës-Kosovë, teksa në afërsi të pike takimit të këtyre dy lumenjve, janë rrezikuar makineritë e shpimit të këmbëve të urave. Po përgjatë gjurmës së autostradës në afërsi të Ndërfushasit ka pësuar rrëshqitje aksi nacional përmes të cilës kalojnë automjete për në Reps, Kukës e Kosovë. Kjo për shkak të punimeve të pa studiuara mirë e për faktin e mungesës së projektit të autostradës për një kohë të gjatë në një segment prej më se 5 km të rrugës së re. Gërmimet poshtë kanë bërë që të rrëshqasë i tërë tabani i rrugës dhe shpati i malit, gjë e cila do të sjellë një bllokim total të aksit, ndërsa kompania kosovare "Çlirimi" që punon në këtë segment ka vënë mjetet e veta për të mbushur me çakëll e zhavorr gjatë gjithë kohës trasenë e fundosur hap pas hapi. Dhe ajo që nuk ka ndodhur gjatë muajve të pikut të dimrit, po ngjet këto ditë të fund marsit, pasi dëbora ka zbardhur malet duke "zbritur" deri në ultësirën e Rrëshenit, afër Gëziqit.

-----------------------------------------------------------

Bora, bllokohet Vermoshi dhe Thethi

SHKODËR-Banorët e zonave veriore në Shkodër kanë probleme të shumta në qarkullim, si pasojë e reshjeve të dëborës që po vazhdojnë prej ditësh. Sipas burimeve zyrtare mësohet se në akset rrugore nacionale të rrethit të Pukës rruga është e kalueshme, por duhet patjetër të përdoren zinxhirë. Në aksin rrugor Pukë- Fushë Arrëska 15 cm dëborë; në aksin Fushë Arrës- Qaf Shllak ka 25 cm dëborë; në aksin Fushë Arrës-Qafë Benë ka 15 m dëborë; në aksin Selcë-Vermosh në rrethin e Malësisë së Madhe ka 30 cm dëborë dhe ky aks është i pakalueshëm, duke vazhduar të jetë i bllokuar. Gjithashtu të bllokuara janë dhe akset rrugore Bogë- Theth, ku trashësia e dëborës është 35 cm dhe Kir- Shosh- Breg Lumi ku dëbora ka arritur në 30 cm. Nga ndërmarrja e rrugëve rurale po punohet për të bërë të mundur zhbllokimin e këtyre akseve rrugore, por mjetet e saj të pakta nuk janë të mjaftueshme, shqetësim ky që është bërë prezent prej kohësh në prefekturë dhe institucione të tjera. Reshjet e shiut që kanë rënë në zonat e ulëta të këtij qarku kanë sjellë rritjen e prurjeve të lumenjve sidomos të lumit Drin, duke ndikuar kështu dhe në nivelin e prurjeve në hidrocentralet e ndërtuara mbi këtë lumë.

-----------------------------------------------------------------------

Rrëshqet dheu, probleme në rrugën Elbasan-Gramsh dhe në afërsi të Librazhdit

Shiu bllokon rrugët në Elbasan

ELBASAN-Shiu i rënë gjatë 24 orëve të fundit në Elbasan ka shkaktuar bllokim rrugësh dhe vështirësi në qarkullim e makinave dhe kalimtarëve. Ndërkohë era e fortë ka bërë që një numër i madh pemësh në Parkun Rinia si dhe në disa zona të tjera të qytetit të rrëzohen dhe të shkaktojnë bllokim të rrugëve dhe vështirësi për lëvizjen e qytetarëve. Fatmirësisht në kohën kur u thyen disa prej pemëve në parkun e qytetit nuk ka pasur lëvizje, pasi mund të kishte pasoja për jetën e qytetarëve. Nga një vëzhgim në qytet në orët e rrebeshit, shikoje segmente rrugore në qytet, në bulevardin kryesor dhe në afërsi të shkollës Pedagogjike krejt të bllokuara. Vetëm me ndërhyrjen e punëtorëve të mirëmbajtjes janë zhbllokuar pusetat dhe janë liruar rrugët nga ujërat e shiut.Probleme janë hasur në rrugën Elbasan-Gramsh, ku edhe ka pasur rrëshqitje dheu dhe bllokime rruge. Po kështu edhe në segmentin nacional në afërsi të Librazhdit. Shtabi i emergjencave pranë prefekturës Elbasan ka konfirmuar se janë marrë masat për të përballuar çdo rast emergjence. Një tjetër kërcënim për banorët e Elbasanit ka qenë përroi i Zaranikës ku edhe prurjet janë rritur intensivisht orë pas ore nga reshjet.

Bllokohen pusetat, "lundrojnë" rrugët

Fier-Bllokim rrugësh dhe defekte në rrjetin elektrik. Këto kanë qenë pasojat e reshjeve të shiut të rëna së fundi në qytetin e Fierit. Mbushja e rrugëve me ujë, aq sa e ka bërë të pamundur lëvizjen e kalimtarëve ka ardhur si pasojë e bllokimit të kanalizimeve të ujëmbledhësve. Në këtë qytet prej shumë kohësh ka nisur vjedhja e kapakëve të pusetave, të cilat duke qenë të hapura janë mbushur me mbeturina të ndryshme dhepasojat e bllokimit të tyre janë dukur dje. Sipas specialistëve,kanalizimet nuk kanë përcjellë ujerat e shiut në kolektor, por kanë mbushur rrugët. E vështirë ka qenë situata para disa pallateve, ku shiu kishte krijuar pellgje të mëdha, të pakalueshme, që ka izoluar kalimtarët. Një problem tjetër i motit të keq ka qenë mungesa për disa orë e energjisë elektrike, e cila është ndërprerë si pasojë e defekteve në rrjet për shkak të erës së fortë. Energjia është rikthyer pas disa orësh, me ndërhyrjen e specialistëve të filialit elektrik.

Nënkryetari i Bashkisë: Kemi bërë gati projektin por Ministria e Financave nuk ka lëvruar ende fondin

Berati nën ujë, mungojnë kanalizimet

BERAT- Rrugët e qytetit të Beratit janë përmbytur krejtësisht paraditen e djeshme si pasojë e reshjeve tepër të dendura. Pusetat e ujërave të zeza por edhe mungesa e kanalizimeve në disa prej pjesëve të qytetit ka bërë që gjithçka të zhduket për minuta të tëra nën ujë. Pas një stuhi me erë të fortë që kanë filluar të forta rreth orës 12:00 dhe që kanë arritur kulmin rreth orës 13:00. Rruga kryesore e qytetit deri në dalje të tij është tejmbushur me ujë, po kështu dhe rrugë të tjera të qytetit. Tregtarët ambulantë kanë ndërprerë aktivitetin e tyre pasi uji ka shkuar deri në trotuaret e lagjes "30 Vjetori". Vërshimi i ujit në rrugë ka bërë që qytetarët mos të lëviznin dot në këmbë nga një anë rruge në tjetrën. Është dashur më pas vetëm rënia e nivelit të ujit të rrugë si pasojë e pakësimit të reshjeve të shiut që situata të normalizohet. Prej vitesh në këtë qytet rënia e shiut me intensitet të lartë shkakton përmbytje të rrugëve. Mos investimet në sistemin e ujërave të larta sjell sa herë që bie shi bllokimin e pusetave në anë të rrugës dhe si pasojë përmbytje në qytet. Qytetii Beratit dhe rrethinat e tij si në çdo dimër rrezikohen të përmbyten,nga ujërat e Osumit, dhe nga ujërat e larta të kodrave që rrethojnë qytetin. Alarmin e ka dhënë gjatë një interviste për gazetën nënkryetari i bashkisë së Beratit, Fatmir Shehu, i cili ka theksuar se në funksion të synimit të mospërsëritjes së situatave të tilla në bashki e prefekturë disa herë janë mbledhur shtabet e emergjencës, të cilët po synojnë të marrin masa dobiprurëse për të shmangur përmbytjen e qytetit nga prurjet e shumta të lumit Osum. Sipas tij, për të pastruar përfundimisht shtratin e lumit dhe për t'i dhënë fund problemit të vërshimit të ujërave jashtë shtratit të tij në rast të shirave intensive, bashkia ka depozituar prej muajsh pranë Drejtorisë së Emergjencave Civile një projekt, vlera e të cilit kap shifrën e 6.5 milionë lekëve. Ministria ka miratuar projektin por Financat ende nuk kanë lëvruar fondin.

Sasia e madhe e reshjeve ka qenë e papërballueshme për kanalizimet e qytetit dhe ka shkaktuar përmbytje lokale

Lushnje, shiu hyn në banesat e lagjes "Loni Dhamo"

LUSHNJE- Janë dashur vetëm pesë orë shi për të vënë në shqetësim disa familje, të cilat janë përmbytur në qytetin e Lushnjes. Reshjet nisën në orët e para të mëngjesit dhe rreth orës 11.00 nisi edhe furia e rrallë e shiut. Reshjetme intensitet mbushën rrugët, pasi rrjeti i kanalizimeve nuk ishte ne gjendje të kullonte sasinë e madhe të ujit që u krijua brenda pak minutave nga koha e nisjes. Përpara pallateve të banimit u krijuan pellgje, të cilët u benë pengesë përhyrjen apo daljen e banorëve në shtëpitë e tyre. Disa familje janë vënë në alarm kur kanë parë se ujë ka hyrë në shtëpi. Pusetat kanë qenë të bllokuara dhe kjo i ka bërë atë të ndihen të frikësuar. Përballë kësaj situate të pazakontëdisa familjarë kanë njoftuar në Bashki edhe pse dita e djeshme ka qenë pushim. Pas kësaj është vënë në lëvizje shtabi i emergjencës në Bashki, i cili ka shkuar në ato familje ku është cilësuar më i madh rreziku nga përmbytjet. Specialistët kanë pare se si mund të jepej ndihma e pare njerëzve ishin më pranë rrezikut nga ujërat e shiut që ishin në oborre, gati për të hyrë brenda në banesa. Zhbllokimi i pusetave ka shërbyer si masa më e mirë për t'i hapur rrugë shërbimeve të tjera për të mos lejuar një përmbytje masive të familjeve, sidomos në lagjen "Loni Dhamo". Inspektori i emergjencave civile në Bashki, Loni Boçi tha për gazetën se "situata po mbahet në kontroll dhe janë marrë të gjitha masat organizative për të shmangur çdo rrezik dhe nuk do lejohet që familjet të përmbyten ashtu siç ka ndodhur vite më parë kur dhjetëra njerëz kanë kaluar ditë e net mbi tavolina dhe karrige".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›