E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sopranoja me fat

 

Ermonela Jaho ka shënuar sukseset e radhës, në Operën Metropolitan në New York dhe në San Diego

 

San Diego e Nju Jork. Stacionet e radhës për Ermonela Jahon. Stacione të suksesshme, të shenjuara me shumë fat. Më 15 mars sopranoja Ermonela Jaho debutoi në një nga skenat më të famshme operistike botërore. Bëhet fjalë për "Metropolitan Opera House" në Nju Jork ku sopranoja interpretoi rolin e Violetës tek opera e Giuseppe Verdit, "La Traviata". Një performancë e cila u prit mjaft mirë nga publiku njujorkez dhe u shoqërua me duartrokitje të gjata. Çka e bën më të lumtur sopranon, nuk janë thjesht duartrokitjet, por fakti që ajo është e para artiste shqiptare që interpreton rolin kryesor operistik në skenën e Metropolitanit. Debutimi në Metropolitan u parapri në fund të shkurtit nga një tjetër performancë në San Diego të Kalifornisë, ku interpretoi në operën e Donizettit, "Meri Stjuart".

Ashtu si në Londër në Royal House, kur zëvendësoi sopranon ruse Ana Netrebko, edhe këtë herë Jaho, duhet të shfrytëzojë një rast të tillë. Zëvendëson sopranon afrikanojugore Angela Gilbert, e cila u sëmur e u zëvendësua në minutën e fundit nga Jaho. Sopranoja shqiptare e ka interpretuar këtë rol në skenën e Operës Shtetërore të Berlinit, por u quajt një zbulim nga kritikët amerikanë. "Thjesht tronditëse",- do të komentonte "Voice of San Diego". Më tej thuhet se mes dy zërave të fuqishëm femërorë, Jahos në rolin e Merit dhe mexosopranos Kate Aldrich në rolin e mbretëreshës Elisabetë të Anglisë ishte shumë e vështirë të zgjidhje, pasi ishin dy zëra të mrekullueshëm që konkurronin njëri-tjetrin. Për ata që kishin ndjekur më parë në teatër interpretimin e Gilbertit, sopranoja shqiptare ishte një zbulim.

 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›