Rama: Berisha po refuzon paktin, debatin publik dhe propozimet tona për reformën zgjedhore. Ja çfarë kërkojmë nga prokuroria për Wikileaks
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka falënderuar deputetin Erion Braçe në nisje të mbledhjes së grupit parlamentar, për interpelancën me Berishën.
Dua të përgëzoj Erion Braçen për interpelancën ku me fakte e prova konkrete bëri një ekspoze të grabitjes dhe shkatërrimit të pronës kombëtare. Berisha, në vend që tu përgjigjej pyetjeve, u ngut të zaptojë foltoren dhe të mbajë një fjalim pa lidhje, me përralla e marrëzira, tha Rama.
Kreu i PS tha se PS kërkon një përgjigje të qartë për paktin e propozuar nga opozita.
Ndërkohë nuk kemi asnjë përgjigje serioze nga pala tjetër për ofertën tonë prej dhjetë pikash për një pakt për Shqipërinë evropiane.
Kemi marrë mbrapsht faza pa lidhje, që nuk kanë të bëjnë më çështjet që kemi shtuar. Kemi marrë deri fyerje personale, por asgjë tjetër.
Këmbëngulim të kemi një qëndrim zyrtar për ofertën tonë. E do apo nuk e do kjo qeveri që të adresojë bashkë me opozitën në parlament të gjithë kritikat e BE. Të na thonë qartë pse nuk e duan këtë pakt. Të na thonë se çfarë duan të ndryshojnë apo shtojnë diçka në këtë pakt, tha Rama.
Ai shtoi se Berisha duhet të dalë në një debat publik me të, për ti thënë gjërat sy më sy përpara shqiptarëve.
Qytetarët e këtij vendi e meritojnë të dinë si do dalim nga ky udhëkryq. Meritojnë të dinë se çfarë kemi për ti thënë njëri- tjetrit në sy. Meritojnë të dinë se çfarë synojmë ne, opozita, me këtë ofertë, dhe si do e bëjë Saliu Shqipërinë si e gjithë Europa pa këtë pakt me opozitën. Nëse Saliu ka një kundërofertë për të mbushur gropat e thella në rrugën drejt integrimit, është i ftuar ta paraqesë. Një gjë është i sigurt: integrimi nuk është si valle e shpatave që mund të hidhet dhe i vetëm duke bërtitur, por është një simfoni, tha Rama.
Kreu i PS theksoi se Berisha nuk e do integrimin.
Unë kam bindjen se Saliu nuk e do statusin e kandidatit të BE. Afrimi ynë me BE bie ndesh me projektin e tij, pa rend ligjor, pa media, pa gjykata, pa parlament funksional, pa institucione, pa shërbim civil, shkurt, pa shtet demokratik dhe pa pengesa për pasurimin e oborrit të tij. Kundërshtarin nuk e zgjedhim dot, ndaj në respekt të qytetarëve që e votojnë, jemi të detyruar të bashkëjetojmë. Ne do të këmbëngulim në rrugën tonë drejt Europës.
Rama tha se ndryshe nga sa ka deklaruar, Berisha po refuzon propozimet e bëra nga opozita për reformën zgjedhore.
Saliu refuzon të pranojë marrëveshjen e ofruar nga negociatorët tanë. E ka dëgjuar çdo shqiptar që ai do pranojë propozimet tona, nëse marrim miratimin e ndërkombëtarëve. Sot ka ndërruar mendim. Dmth ka gënjyer dy vjet rresht shqiptarët, sepse ka menduar se opozita do jetë në bojkot gjithë jetën. Nuk jemi ne, Saliu po ngurron. Nuk po them po bllokon se nuk dua të them fjalën e fundit të parën.
Kreu i PS ka shpjeguar edhe në pikë të paktit, atë që flet për hetimet e prokurorisë për kabllogramet.
Është i kapur si i mbyturi pas fijes së barit. Ka shpërfillur të gjithë llumin e dalë nga kabllogramet. Thotë se me këtë opozita po kërcënon Amerikën. Kërkesa jonë nuk ka lidhje me Amerikën e me miqtë e çmuar amerikanë. Kërkesa jonë ka lidhje me domosdoshmërinë që publiku të dijë të vërtetën për ato tmerre. Berisha ato i quan thashetheme duke ngatërruar diplomacinë më të madhe në botë me atë të Shqipërisë, të mbushur me dhëndurë, nipëra e mbesa.
Nëse prokuroria gjen arsye, jo mbi tekstet e kabllogrameve, por për fakte e prova e të lidhura me to, si për shembull shembja e tunelit të Kalimashit, të nisë hetimin.