E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reforma zgjedhore, PD: Nëse ka vullnet realizohet brenda afateve

Partia Demokratike ka reaguar për realizimin e reformës zgjedhore. Në një koferencë shtypi zëdhënsja e PD-së Silvi Bardhi tha se nëse ekziston bashkëpunimi reforma zgjedhore mund të kryhet brenda afatit.
“Sot Parlamenti me propozim të kryetarëve të grupeve parlamentare të Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste, zotrinjëve Astrit Patozi dhe Gramoz Ruçi, vendosi të zgjasë deri më dt.10 Korrik afatin e reformës zgjedhore.

Partia Demokratike ka vlerësuar punën serioze të bërë deri sot nga palët në reformën zgjedhore dhe ka bindjen e plotë se, në rast se egziston vullneti politik, kjo reformë mund të përfundojë brenda afatit të kërkuar nga palët” tha Bardhi.
Ndërkohë Partia Demokratike I ka bërë thirrje kreut të opozitës Edi Ramës të bashkëpunojë për realizimin e reformës zgjedhore.
“Partia Demokratike sqaron shqiptarët se deri sot, në frymën e kompromisit ajo ka miratuar me dhjetra propozime të paraqitura në Komision nga përfaqësuesit e Partisë Socialiste për adresimin e rekomandimeve të ODHIR-it dhe është e vendosur në këtë frymë të kontribuojë në zgjidhjen e problemeve të mberura për shqyrtim.
Partia Demokratike uron që edhe pala tjetër t’a realizojë, sepse konsensus do të thotë lëshim dhe jo bllokim, dhe se nuk do të përdorë afatin shtesë, për bllokim shtesë.

Kryeministri Berisha fton z. Rama që krahas punës së komisioneve për reformën zgjedhore dhe atë të rregullores së Parlamentit, le t’ju kërkojmë antarëve të byrosë parlamentare të vendosin me përparësi në rendin e ditës heqjen e imuniteteve për zyrtarët tanë.
Ky do të ishte mesazhi më i shkelqyer që forcat tona politike do t’ju dërgonin zgjedhësve të tyre dhe mbarë qytetarëve shqiptarë dhe miqve e partnerëve tanë kudo që janë, që presin me të drejtë dhe padurim këtë vendim tejet, tejet të rëndësishëm për të ardhmen e tyre europiane.
Partia Demokratike është e vendosur të pranojë në Parlament cilindo varjant që të zgjedhë opozita për heqjen e imuniteteve, pra heqjen e imuniteteve me ndryshimet ligjore dhe kushtetuese që ajo preferon” tha zëdhënsja e PD-së Silvi Bardhi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›