E Diel, 1 Nëntor 2026

Arvizu: Vepro tani, në këtë çast!

 “Në këndvështrimin tim, Shqipëria ka bërë përparim dhe gjithsecili prej jush duhet të ndjehet krenar. Por është e drejtë e përshtatshme të pyes; A po shkon vendi juaj në drejtimin e duhur?. Jam goditur nga një koment i bërë në një takim me kongresmenë ku u tha se hapësira ku vepron shoqeria civile në Shqipëri është zvogëluar. Dhe kjo me shqetësoi shumë. Përgjigja është, ti jepet hapësirë shoqërisë civile, të dëgjohet ajo që njerëzit kanë për të thënë”, tha Arvizu.

Diplomati amerikan tha se në Shqipëri jeta është e vështirë për shumëkënd. “Duke dalluar progresin të ndalojmë në realitetin e vështirë dhe të zymtë ku përballen 365 ditë të vitit shqiptarët. Vepro Tani” është për çdo qytetarë të Republikës. Është për ndryshimin që çdo njeri kërkon, ndryshimin për të cilin flasin të gjithë. Për çdo cep të kësaj toke të bekuar. Gjendet në hidhërimin ne Elbasan tek viktimat e aksidentit, dhe në Dukagjin ku një familje humbi vajzën, si pasojë e një dhune të pakuptimtë. Gjendet në zemërthyerjen e banorëve të Sarandës, ku qyteti piktoresk ka humbur shumë prej hijeshisë së tij dhe është transformuar në beton. Gjendet në zemërthyerjen e Gjirokastrës tek shohin që nga neglizhenca shemben shtëpitë historike. Tek Tirana ku lëvizja e makinave është kaotike dhe e rrezikshme për këmbësoret. Është koha për të vepruar tani, në këtë çast”, tha Arvizu.

Sipas tij, i takon shqiptarëve dhe shoqërisë civile që të jenë agjentët e ndryshimit. “Mendoni për një çast për një çështje që është e rëndësishme për fëmijën tuaj, vendin, familjen, punën tuaj. Ju takon juve të jeni agjentët tuaj të ndryshimit. Ne do ju ndihmojmë. Ne në ambasadë duam të dëgjojmë mbi veprimet që doni të ndërmerrni. Kemi krijuar një hapësirë në facebook për idetë tuaja si do veproni të ndryshoni gjërat. Na thoni historitë tuaja, sukseset tuaja, jetën në komunitetin tuaj, në mënyrë që këto histori të frymëzojnë dhe të tjerët dhe ne do përhapim lajmin”, vijoi. Kjo nismë u drejtua nga prezantuesi i njohur Adi Krasta dhe në të morën pjesë personalitete të rëndësishme në vend. /Start/

                                                                                             2012-06-21 12:18
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›