E Diel, 1 Nëntor 2026

Ish-pronarët: Verifikimi i titujve të pronësisë, në favorin tonë

Ish-pronarët përshëndesin qeverinë për iniciativën e bërë publike dy ditë më parë nga Kryeministri Berisha se do të niste verifikimi i titujve të pronësisë dhe do të vihen para drejtësisë të gjithë abuzuesit e pronave.

Reshit Vorpsi, nënkryetari i shoqatës “Pronësi me Drejtësi” e përshëndeti këtë nismë, por theksoi se verifikimi i titujve prek në të vërtetë ndarjen e tokës sipas ligjit 7501. E thënë ndryshe, të gjithë ata që kanë abuzuar me këtë ligj, u preken titujt e pronësisë për shkak të verifikimit që do t’u bëhet. Më tej, Vorpsi përmendi disa shifra që janë pasojat e abuzimit me titujt e pronësisë. Sipas tij, abuzimet që janë bërë nga ky ligj pretendohet të jenë mbi 400 mijë ha tokë. Njëkohësisht, Vorpsi pranon se përmes kësaj nisme, për herë të parë kjo çështje po trajtohet si ekonomike dhe jo si politike. “Për herë të parë me këtë ligj politika po e sheh çështjen e pronave si probleme ekonomik dhe jo si problem politik”, - tha ai. Duke përmendur abuzimet e bëra, Vorpsi shtoi se “me ligjin 7501 janë bërë shumë abuzime me pronat. Sipas të dhënave, me këtë ligj janë ndarë 435 mijë hektarë tokë. Por sipas këtyre të dhënave, duket se abuzimi me ligjin 7501 janë 129 mijë hektarë tokë”.

Ndërkaq, pritet që të parët që do të përfitojnë nga ky ligj i ri, do të jenë pikërisht ish-pronarët, të cilëve do t’u kthehet toka që do të përfitohet nga verifikimi i abuzimeve me të. Këtë fakt e bëri të ditur Kryeministri Berisha, sipas të cilit “sipërfaqet e pushtuara padrejtësisht duhet të kalojnë në fondin e kompensimit të tokës, për t’iu kthyer pronarëve dhe për ta shtyrë përpara këtë proces”. Dy ditë më parë, gjatë mbledhjes së qeverisë, Kryeministri Berisha garantoi se titujt e pronësisë të fituar me anë të ligjit të famshëm 7501 për tokat, nuk do të preken edhe pse së shpejti qeveria do të realizojë një fushatë verifikimi për titujt e pronësisë. Më tej, Kryeministri paralajmëroi se nuk do të ketë asnjë tolerim për ata që kanë abuzuar. Berisha sqaroi se ligji i ri i sapomiratuar për verifikimin e titujve të pronësisë duhet të trembë vetëm ata që kanë grabitur tokë dhe jo fermerët që kanë përfituar në bazë të ndarjes së bërë në fillim të viteve ‘90 me anë të 7501-shit. Ndërsa bëri të ditur ngritjen e komisionit qeveritar për verifikimin e titujve të pronësisë, kreu i qeverisë tha se “dua të garantoj të gjithë fermerët dhe qytetarët shqiptarë që kanë marrë tokë në përputhje me ligjin 7501, në përputhje me kriteret dhe në zbatim të këtij ligji, se ky proces nuk u cenon atyre asnjë centimetër tokë”.

Ligji, si do të verifikohen titujt e pronësisë

Ndarja e tokës sipas ligjit nr. 7501 vazhdon ende sot që të krijojë probleme të shumta. Vetëm në tri vitet e fundit, mbi 20 fermerë shqiptarë janë ankuar në Ministrinë e Bujqësisë në lidhje me pretendime për sa i përket pronësisë mbi tokën. Këtë fakt e ka konfirmuar ministri i Bujqësisë, i cili shtoi se në muajin shtator do të nisë nga puna komiteti shtetëror i cili do të verifikojë të gjitha tokat që janë ndarë sipas ligjit nr. 7501. Sipas ndryshimit, në rast se fermeri që ka marrë më shumë tokë dhe e punon akoma, nuk do të penalizohet. Komisioni mund ta cilësojë si të jashtëligjshme tokën kur akti i marrjes së tokës në pronësi është lëshuar mbi tokat bujqësore të ish-ndërmarrjeve bujqësore, të cilat përjashtohen për kalim në pronësi nga dispozitat e ligjit, kur tokat bujqësore të ish-kooperativave, që shtrihen në zonën me zhvillim dhe përparësi turistike të përcaktuar me vendim qeverie, si dhe sipërfaqe të tjera të tokës bujqësore, që me vendime të organeve kompetente, kanë kaluar në tokë urbane dhe përfshihen brenda vijave të qyteteve. Njëkohësisht, komisionet vendore mund të cilësojnë si të jashtëligjshme çdo sipërfaqe toke, e cila konfirmohet nga njohja e pronësisë dhe e drejta e kompensimit fizik për ish-pronarët nga AKKP-ja, si dhe çdo sipërfaqe toke që prek interesa të ligjshme të personave të tretë dhe që ekzistojnë konflikte mbi të. Kur mbajtësi i titullit të pronësisë ose pronari i ri i tokës, i krijuar në mënyrë të kundërligjshme, refuzon ligjërimin e këtij titulli sipas ligjit, brenda 30 ditëve komisioni vendor merr vendim për pavlefshmërinë e titullit të pronësisë.

PDS: Po luhet me pronarët

Partia Demokracia Sociale i konsideron abuzive dhe të pasinqerta deklarimet e Kryeministrit Berisha lidhur me verifikimin e titujve të pronësisë së tokave, nga një komision kryeministror. Sipas sekretarit politik të kësaj partie, më së fundi Berisha pranoi se ka dështuar në tri vite për zgjidhjen e çështjes së pronave, duke mos realizuar as kthimin fizik dhe as kompensimin financiar të ish-pronarëve. “Ne konstatojmë me keqardhje se për të mbuluar dështimet e tij, tanimë Kryeministrit s’i ka mbetur gjë tjetër veç të mbajë ca fjalime demagogjike shtesë, sa për t’u hedhur hi syve shqiptarëve dhe shtresës së ish-pronarëve”, - tha Duçkallari. Më tej, PDS-ja vlerëson se kjo është një manovër elektorale dhe përmes kësaj Kryeministri Berisha pranoi dështimin e tij të madh të radhës, atë të zgjidhjes përfundimisht të çështjes së pronësisë, dhe po kërkon të kërcënojë hapur mijëra fshatarë, të cilët prej 17 vitesh janë pronarë të ligjshëm të tokave të tyre. “Ndaj, ne jemi sot përpara jush, për t’i bërë edhe një herë thirrje Kryeministrit të vendit, z. Sali Berisha, të lërë çdo mjet presioni dhe të mos luajë me pronarët legjitimë dhe me titujt e tyre të pronësisë, por të lërë organet e drejtësisë për të zbardhur atje ku konstatohen problemet me pronat”, - deklaroi Duçkallari.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›