E Diel, 1 Nëntor 2026

Xhufi: Kultura kombëtare, në shtator interpelancë me Pangon

Me nisjen e sesionit të ri parlamentar, LSI-ja do të bëjë një interpelancë urgjente me ministrin e Kulturës, z.Pango, për gjendjen aktuale të monumenteve të kulturës dhe historisë në Shqipëri. Kryetari i grupit parlamentar të kësaj partie, Pëllumb Xhufi, vuri në dukje se në vend janë duke u shkatërruar monumente të rëndësishme historike, siç është Manastiri i Shën Mërisë shumë afër Tiranës. “Manastiri i Shën Mërisë së Brarit, dy hapa larg Tiranës, është dhunuar rëndë, është ndërhyrë me ekskavator, me ruspa, duke shkatërruar varret e stërlashta të këtij monumenti dhe këtij vendi të shenjtë, duke shkatërruar edhe rrënojat e tij”, - tha Xhufi. Ai e cilësoi një monument krejt të veçantë për Tiranën dhe për Shqipërinë, si një monument kulti, një sintezë kulturash jo vetëm autentike shqiptare, por edhe bizantine dhe perëndimore. Sipas tij, një ndër varret e shkatërruara është dhe varri i një personazhi të njohur si Sebasti Mihal Skurra, i vitit 1201, dhe është fat i madh që pllaka mortore me emrin dhe me mbishkrimin përkatës në gjuhët latine edhe greke bizantine është shpërngulur prej kohësh dhe ruhet në Muzeun Kombëtar. “Ky akt i fundit është një moment tjetër në “serialin killing” të kulturës dhe historisë kombëtare që pikërisht edhe në këto ditë të nxehta të gushtit kanë shënuar hapa të tjerë. I referohemi këtu shkatërrimeve apo përdhosjes së monumenteve të tilla si, Manastiri i Mesopotamit i Shën Kollit në Mesopotam të Sarandës, ndërhyrjet dhe rrënimi i monumenteve në Gjirokastër, në Berat në Tepelenë, në kështjellën e Petrelës apo në kështjellën e Krujës”, - tha Xhufi, duke përmendur edhe raste të tjera ku sipas tij janë dhunuar dhe shkatërruar deri edhe me dashje monumente të rëndësishme kulturore.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›