Ngrihet grupi i punës për profilin e Presidentit të ri
Partia Socialiste ka ngritur dje një grup pune për të krijuar profilin e kandidaturës për pozicionin e Presidentit të Republikës. Pas diskutimeve të shumta në publik se cili është qëndrimi i selisë rozë për këtë çështje, në mbledhjen e djeshme të grupit parlamentar socialist, kryetari i PS-së, Edi Rama, ka lajmëruar ngritjen e një grupi pune.
Burime nga ky takim bëjnë të ditur për gazetën Shekulli se kryesocialisti në fjalën e tij ka theksuar se nuk bëhet fjali për përzgjedhjen e një kandidature për Presidentin e Republikës, por ndërtimit të një profilit të tij. Për këtë qëllim, lideri i opozitës u ka propozuar deputetëve që për të përmbushur këtë detyrë të jenë katër deputetë socialistë.
Anëtarët e këtij grupimi do të jenë kryetari i grupit parlamentar socialist Gramoz Ruçi, nënkryetari i Kuvendit Namik Dokle, sekretari për Çështjet Zgjedhore Damian Gjiknuri dhe anëtari i Komisionit të Ligjeve, Saimir Tahiri. Për përzgjedhjen e këtyre anëtarëve nuk ka pasur diskutime gjatë mbledhjes dhe ngritja e këtij grupi pune është votuar në mënyrë unanime. Nga ana tjetër, katër deputetët e Partisë Socialiste do të duhet që në mbledhjen e parë të punës së tyre të përcaktojnë axhendën dhe si do të vijojë ndërtimi i profilit për kandidaturën e Presidentit të Republikës.
Ndonëse ndodhemi gjashtë muaj përpara përfundimit të mandatit për kreun aktual të shtetit, Bamir Topi, selia rozë po ndërmerr të gjitha angazhimet e saj për të propozuar një kritere dhe profilin e një kandidati, që sipas tyre, do të mund të garantojë pavarësinë e institucionit dhe paanshmërinë në zbatimin e detyrave të caktuara në Kushtetutën e Shqipërisë.