E Diel, 1 Nëntor 2026

17 vjetori i Shqiperise ne KiE ne fokus ndergjegjesimi i qytetareve

Me rastin e 17 vjetorit të anëtarësimit të Shqipërisë në Këshillin e Evropës, ministri i Jashtëm, Edmond Panariti, theksoi ky përvjetor do të kujtohet gjatë për faktin se përkon me marrjen për herë të parë të kryesisë së Komitetit të Ministrave të kësaj organizate të rëndësishme mbarë-evropiane. Në ceremoninë e organizuar, ku merrnin pjesë ambasadorëve të trupit diplomatik të akredituar në Tiranë, Panariti rikonfirmoi përgjegjshmërinë e kryesisë shqiptare në implementimin e prioriteteve dhe angazhimeve të ndërmarra.
“Pas gati një muaji e gjysmë nga marrja e kryesisë do të dëshiroja t’ju rikonfirmoja përgjegjshmërinë e kryesisë sonë, si dhe t’ju informoja shkurtimisht për iniciativat e ndërmarra. Nën moton "Të Bashkuar në Diversitet" kryesia shqiptare ka në fokus ndërgjegjësimin e qytetarit për të siguruar se në një kohë kur kriza e vazhdueshme ekonomike në Evropë perceptohet si një kërcënim për mirëqenien e shoqërive tona, diversiteti dhe multikulturalizmi nuk janë një rrezik, por një vlerë e shtuar në familjen evropiane. Si një vend me një histori të gjatë e të vlerësuar tolerance dhe multikulturalizmi, Shqipëria e ndjen për detyrim të promovojë shoqëritë tolerante dhe të hapura në Evropë”, vuri në dukje Panariti.
Shefi i diplomacisë shqiptare, theksoi se presidenca shqiptare i kushton vëmendje të veçantë përafrimit të Kosovës me Këshillin e Europës.
“Parimet e transparencës, tolerancës, dialogut dhe bashkëpunimit janë në zemër të marrëdhënieve tona me vendet e Ballkanit Perëndimor. Unë përfitoj nga ky rast për t’i drejtuar falënderimet e mia Këshillit të Evropës dhe të gjitha shteteve anëtare të tij, për besimin e tyre në ndërtimin e një shoqërie demokratike multietnike funksionale në Kosovë. Bashkëpunimi i Këshillit të Evropës me Kosovën është një proces që vazhdon aktualisht. Por, sigurisht që në presidencën shqiptare do të marrë një vëmendje të veçantë. Hapat pozitive mes Bashkimit Evropian dhe Kosovës duhet të gjejnë përpjekjet më të mirë-koordinuara, në mënyrë që Kosova të mund të përfitojë konkretisht nga Programet e Përbashkëta të bashkëpunimit BE - KiE. Në këtë frymë komunikimi i Sekretarit të Përgjithshëm Jagland përpara Komitetit të Ministrave, më 4 korrik të këtij viti, ku theksohet se implementimi i projekteve rajonale të përbashkët BE - KiE mund të konsiderohet si bashkëpunim rajonal, referuar së njëjtës Marrëveshjes për Bashkëpunim dhe Përfaqësim Rajonal midis Prishtinës dhe Beogradit”, u shpreh ministri, lidhur me një cështje të tillë.
Drejtori i Zyrës së KiE-së në Tiranë, Marco Leidekker, në fjalën e tij vlerësoi rrugëtimin e Shqipërisë dhe reformat e ndërmarra duke theksuar se në këto 17 vite të anëtarësimit në organizatë, Shqipëria është transformuar nga antiteza e Evropës në zërin e promovimit të vlerave të saj përmes Kryesimit të Komitetit të Ministrave.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›