E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reforma zgjedhore, Wollfarth: Në demokraci reformat i bën shumica

KORÇE -  Ambasadori i OSBE-së në vendin tonë, Eugen Wollfarth theksoi sërish rëndësinë që diskutimet për reformën zgjedhore të përfundojnë përpara pranverës, për të shmangur problemet në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Nga Korça, ambasadori Wollfarth deklaroi se “në demokraci duhet gjetur gjuha e shumicës dhe jo të gjitha pretendimet e partive të vogla mund të miratohen”.

Wollfarth theksoi se puna për reformën zgjedhore është e rëndësishme dhe u bëri thirrje partive politike të shfrytëzojnë kohën e mbetur për të përfunduar diskutimet përpara zgjedhjeve.

"Është shumë e rëndësishme që kanë filluar bisedimet për reformën zgjedhore, në Kuvend, vendi i duhur ku duhet të mbahen. Unë shpresoj në diskutime të shëndosha, të cilat duhet të përfundojnë brenda pranverës”,- deklaroi ambasadori i OSBE-së.

Puna për reformën zgjedhore ka hasur në kundërshtimin e partive të vogla, të cilat këmbëngulin për nevojën e ndryshimit të sistetimit zgjedhor, duke kërkuar zëvendësimin e sistemit aktual spanjoll.

Pak ditë më parë, kreu i PSD-së, Skëndër Gjinushi deklaroi se reforma zgjedhore po dështon, pasi sipas tij, është e komanduar dhe e parafabrikuar. Ai akuzoi publikisht PD-PS se po synojnë vjedhjen e mandateve të partive të vogla.

Edhe kryetari i PR-së Fatmir Mediu akuzoi dy partitë e mëdha për kurthin që u bënë partive të vogla, duke shmangur ndryshimin e sistemit zgjedhor nga axhenda e komisionit kuvendor.
(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›