E Shtunë, 31 Tetor 2026

Terrorizmi, strategji e re pergjimi dhe ndalimi

19/12/2011  Fokusimi për parandalimin dhe survejimin e elementëve terroristë

Mënyrat e ndryshme e pikat kyçe që përdoren nga grupet terroriste

Grupet terroriste kanë tendencën që të mësojnë nga përvoja dhe aftësitë e grupeve të tjera, me qëllim që të kenë avantazh ndaj strukturave të mbledhjes së informacionit/zbatimit të ligjit. Qëllimi i këtij drejtimi të punës është të sigurojë që infrastruktura kombëtare dhe interesat tona brenda dhe jashtë vendit janë të mbrojtura nga terroristët dhe ekstremistët. Qëllimi është që të zvogëlohet shkalla e ekspozimit të vendit dhe interesave të tij në rast të planifikimit të një sulmi. Përvoja nga komuniteti ndërkombëtar ka treguar se sistemet e transportit, portet, hidrocentralet, termocentralet dhe zyrat e qeverisë diplomatike kanë qenë objekt i sulmeve të terroristëve dhe i sabotatorëve. Sulme të tilla do të kenë pasoja të mëdha ekonomike dhe mund të çojnë në humbje jetësh njerëzore. Si përgjigje ndaj këtyre sulmeve, pjesë e përgjegjësive dhe roleve të Drejtorisë së Emergjencave Civile është që të identifikojë dhe kontrollojë rreziqet ndaj infrastrukturës kombëtare dhe të hartojë planet përkatëse të emergjencave. Me përmirësimin e mjeteve të telekomunikacionit dhe medies, terroristët dhe grupet e krimit të organizuar po përdorin gjithnjë e më shumë takimet personale dhe lëvizjen e parave të thata për të çuar më tej qëllimet dhe objektivat e tyre. Ndalimi i personave të tillë që në kufijtë shtetërorë ofron një mundësi për të ndërprerë aktivitetet e tyre në një fazë të hershme, si dhe mbledhjen e informacioneve të rëndësishme. Aktivitetet sportive dhe pikat kryesore turistike të transportit i krijojnë mundësi terroristëve dhe ekstremistëve që të zhvillojnë aktivitetet e tyre, të cilat kanë gjasa të kenë publicitet të madh. Për sa i përket aktiviteteve sportive, shumë prej rreziqeve mund të pakësohen duke ndërmarrë masa efektive kontrolli dhe duke hartuar plane për sigurinë e aktivitetit. Pikat kryesore turistike të transportit kërkojnë marrjen e masave të specializuara të sigurisë dhe mund të kërkojnë që ato të përputhen me kërkesat e agjencive të huaja të transportit (si për shembull, siguria e aviacionit dhe transportit detar).

Gjatë këtyre 20 viteve janë evidentuar disa raste sporadike të akteve terroriste, si:

1- Akt terrorist me origjinë të brendshme, i kryer në vitin 1995, në supermarketin VEFA, në Tiranë, ku humbën jetën disa persona dhe pati dëme të konsiderueshme materiale. Nga hetimi dhe gjykimi i çështjes rezultoi se akti terrorist ishte me origjinë të brendshme, ishte kryer nga pjesëtarë të organizatës kriminale “Hakmarrja për drejtësi”.

2-Në vitin 2007 është regjistruar një incident në bordin e avionit “Boeing 737”, i kompanisë “Turkish Airlines”, që udhëtonte nga Shqipëria për në Stamboll. Autori i krimit me shtetësi dhe kombësi turke, me punë në Tiranë, i cili udhëtonte në këtë avion, kërcënoi se do të kryente akt terrorist.

3-Në tetor të vitit 2009 është arrestuar një shtetas shqiptar, me prirje ekstremiste islamike,

për kryerjen e veprës penale “stërvitje për kryerjen e veprave me qëllime terroriste”, parashikuar nga KP, neni 232. Aktivitetin e tij kriminal ai e zhvillonte nëpërmjet faqeve të internetit. Kjo çështje ka karakter të brendshëm, por dyshohet se ka nxitje nga jashtë.

4- Akt terrorist me origjinë të jashtme në bashkëpunim me shtetas shqiptarë, i kryer në vitin 1994, në postën kufitare të fshatit Peshkëpi-Gjirokastër. Pjesëtarë të organizatës terroriste greke “MAVI” ( rreth 12 veta ), u futën në tokën shqiptare, në befasi rrethuan repartin ushtarak, vranë dy oficerë, plagosen disa ushtarë, rrëmbyen dy prej tyre dhe gjithë armatimin dhe u larguan në tokën greke të pashqetësuar. Me gjithë hetimet e bëra, pala greke nuk ofroi zgjidhje dhe bashkëpunim të mjaftueshëm.

5- Plan për goditjen e ambasadës amerikane nga operativë të Xhihadit Islamik Egjiptian në vitin 1999.

6- Kapja e celulës së Xhihadit Islamik Egjiptian (viti 1998), ku pesë operativë të celulës së këtij grupimi xhihadist penetruan në disa shoqata arabe me aktivitet në Shqipëri si EAMY, RTI, IIRO, Al-Haramain.

Ndryshimet territoriale në Ballkan e hapësirat e shqiptarëve ndryshojnë fokusin

Strategjia Antiterror, pikat

e vizioni deri në 2015-ën

TIRANË- Ditën e fundit Këshilli i Ministrave miratoi strategjinë ndërsektoriale të luftës kundër terrorizmit për vitet 2011-2015. Dokumenti i propozuar do të mbështetet në strategjinë evropiane, që bazohet në katër drejtime të punës: parandalimi, mbrojtja, ndjekja dhe reagimi. Ngjarjet e kohëve të fundit kanë dëshmuar se të gjitha shtetet evropiane mbeten të ekspozuara ndaj kërcënimit të terrorizmit dhe ekstremizmit, si nga kërcënimet që vijnë nga brenda vendit, ashtu edhe nga ato që vijnë nga jashtë. Republika e Shqipërisë nuk bën përjashtim në këtë drejtim. Megjithëse vendi ynë nuk ka përjetuar një fushatë të vazhdueshme terrori, ka elementë brenda shoqërisë që përpiqen të shfrytëzojnë njerëzit e pambrojtur për arritjen e objektivave të tyre ekstremiste. Duke sjellë në vëmendje përfundimet e konflikteve në Ballkan, veçanërisht ndryshimet territoriale dhe hapësirat e banuara nga shqiptarët, të cilat për nga rëndësia janë madhore, mund të

ndikojnë në ndryshimin e balancave tradicionale në rajon dhe aktivizimin e fenomeneve që lidhen me terrorizmin. Duhet theksuar fakti se në trajtimin e aspekteve të këtij karakteri dhe veçanërisht kur ndodhin akte kriminale, në të cilën gjenden të përfshirë edhe elemente shqiptare, ky faktor konsiderohet një i tërë, duke mos bërë dallim së cilës pjesë të trojeve etnike i përket.

Vizioni i strategjisë

Qëllimi strategjik afatgjatë i implementimit të kësaj strategjie është “të zvogëlojë në

maksimum rrezikun ndaj terrorizmit që lidhet me vendin dhe interesat tona, duke siguruar

përmirësimin e elementeve të sigurisë dhe rritjen e besimit të komunitetit për masat parandaluese ndaj akteve dhe fenomeneve terroriste”. Theksi për arritjen e këtij qëllimi do të vihet në ndërprerjen e akteve terroriste përpara se ato të kryhen, duke përdorur një përgjigje të koordinuar nga shteti në bashkëpunim të ngushtë me komunitetin. Çdo reagim duhet patjetër të marrë në konsideratë faktin se një sulm terrorist mund të jetë i suksesshëm nëse hartohen planet e emergjencave në përputhje me këto rreziqe.

Për të arritur këtë objektiv, do të jetë e nevojshme që të pakësohet rreziku i dëmit nga aktet terroriste dhe ekstremiste. Duhet zvogëluar kërcënimi ndaj vendit, nëpërmjet parandalimit të shkaqeve që janë burim i zhvillimit të terrorizmit dhe duke i ndjekur penalisht nëpërmjet proceseve gjyqësore personat e përfshirë në terrorizëm. Mbetet detyrë e institucioneve përkatëse të parashikojnë masa konkrete ligjore, normative apo administrative për të mundësuar vlerësimin dhe ndjekjen e çdo sinjali apo indicie që shpien në fenomene terroriste, duke i bërë njëkohësisht objekt analize e bashkëpunimi. Tjetër mënyrë është duke zvogëluar ekspozimin e vendit, duke mbrojtur zonat që janë shumë të rëndësishme për funksionimin e tij dhe duke reaguar në mënyrë efektive në rastin e një incidenti. Të parashikohen e përfundojnë aktet e nevojshme ligjore dhe normative për objekte strategjike apo të rëndësishme të vendit, të cilat mbeten në vëmendjen e planeve të individëve apo grupeve terroriste dhe që mund të sjellin pasoja të rënda për vendin.

Fushat kryesore në këtë drejtim të punës do të jenë:

a) Të sigurohet që procedurat shtetërore mund të trajtojnë në mënyrë efektive rrezikun nga terrorizmi. Gjatë viteve të fundit komuniteti ndërkombëtar ka ngritur forume për shkëmbimin e informacionit mbi tendencat terroriste dhe modus operandi. Brenda Evropës disa prej këtyre forumeve janë krijuar me mbështetjen e Bashkimit Evropian, ndërsa disa të tjerë janë krijuar ndërmjet strukturave të ndryshme policore që luftojnë kundër terrorizmit/mbledhin dhe analizojnë informacione (si për shembull: Grupi i punës policor mbi terrorizmin, Qendra Ndërkombëtare e të dhënave për bombat).

b) Të sigurohet se ekzistojnë kapacitetet e duhura për të trajtuar një incident terrorist.

Nëse një incident shfaqet, është e mundshme të përfshijë një përgjigje të menjëhershme dhe të koordinuar nga të gjitha shërbimet e emergjencave, shërbimi shëndetësor dhe struktura të tjera qeveritare. Do kërkohet përcaktim i saktë i fazave për përballimin e incidentit dhe mbulimit të pasojave, të cilat duhen planifikuar ekzaktësisht që para ndodhjes së tij.

c) Hartimi i planeve të emergjencave (përfshirë kthimin në normalitet). Hartimi i planeve të emergjencave mund të shihet si dy çështje të veçuara: proaktive dhe reaguese. Proaktive: thelbësore për këtë strategji kundër terrorizmit është koncepti se çdo përgjigje

duhet të jetë në përputhje me vlerësimin e plotë strategjik të rrezikut. Reaguese: hartimi i planeve të emergjencave për të mbajtur nën kontroll pasojat e një incidenti terrorist (të ngjashme me planet për emergjencat civile).

d) Vazhdimësia e punës/aktiviteteve

Vijimësia e punës është procesi i kontrollit dhe drejtimit të infrastrukturës së rëndësishme

kombëtare/institucioneve me rëndësi jetike në rastin e një incidenti me pasoja në një shkallë të gjerë/ katastrofike.

Objektivat e strategjisë

Objektiva afatshkurtër (2011–2012)

- Ripunimi e azhornimi i të gjithë planeve të veprimit të hartuara deri në miratimin e kësaj strategjie, hartimi i planeve të veprimit të reja nga të gjitha institucionet që nuk kanë pasur të tilla deri tani dhe që marrin detyra sipas drejtimeve të krimit të terrorizmit.

- Krijimi dhe konsolidimi i strukturave në funksion të kërkesave apo të parashtruara në

strategjitë e tjera, rishikimi i komiteteve, komisioneve, sekretarive apo çdo funksion tjetër i krijuar nga strategjitë sektoriale me qëllim zgjerimin e kompetencave apo funksionimin e tyre për të gjithë drejtimet e luftës kundër terrorizmit.

- Përgatitja dhe përqasja e legjislacionit sipas standardeve të BE-së, në lidhje me luftën

kundër krimit të terrorizmit, si dhe akteve të tjera të funksionimit të strukturave që kanë përgjegjësi për këtë drejtim, bazuar në strategjitë e tjera, si dhe në planet e veprimit.

- Hartimi i të gjitha akteve të nevojshme që do të thellojnë bashkëpunimin me struktura

homologe të vendeve të rajonit e më gjerë në luftën kundër krimit të terrorizmit.

- Krijimi i një sistemi të transmetimit të informacionit brenda strukturave të përfshira në

luftën kundër krimit të terrorizmit.

- Përfundimi i sistemeve të IT-të për transmetimin e analizën e informacionit që bën fjalë për vepra penale të krimit të terrorizmit.

- Zgjerimi i aplikimit të teknikave të reja të investigimit, brenda suazës së përcaktuar në ligj, për të gjitha format e shfaqjes së krimit të terrorizmit.

- Identifikimi i analizës e situatës së grupeve kriminale që kryejnë, apo dyshohet se kryejnë vepra penale të lidhura me terrorizmin.

- Realizimi i trajnimeve të vazhdueshme profesionale për specialistët që punojnë në

strukturat që kryejnë veprimtari kundër krimit të terrorizmit dhe shfrytëzimin e eksperiencave të vendeve të tjera në këtë drejtim.

- Zhvillimi dhe thellimi i transparencës për komunitetin në lidhje me kujdesin dhe

vigjilencën për parandalimin dhe zbulimin e terrorizmit dhe ekstremizmit.

Objektiva afatmesëm (2011-2013)

- Forcimi dhe realizimi i një kontrolli efektiv të kufirit shtetëror, si dhe të të huajve të

dyshimtë, duke iu përafruar standardeve të vendeve të BE-së.

- Krijimi i një baze të dhënash për shtetasit shqiptarë që banojnë jashtë vendit apo të huaj të dyshimtë me qëndrim në vendin tonë dhe që ka informacione se kryejnë vepra penale në ato vende në lidhje me krimin e terrorizmit.

- Thellimi i vazhdueshëm i bashkëpunimit midis institucioneve brenda vendit, si dhe me ato homologe të vendeve të tjera për luftën kundër krimit të terrorizmit.

- Kryerja e studimeve të plota për ecurinë e punës në drejtim të goditjes e parandalimit të

formave të ndryshme të krimit të terrorizmit, përcaktimi i nevojave materialo-financiare për strukturat që operojnë në këtë drejtim dhe plotësimi i tyre mbi bazën e mundësive që ka çdo institucion.

- Ngritja e një sistemi raportimi e monitorimi për rezultatet e hetimeve e gjykimeve të

rasteve të krimit të terrorizmit apo ekstremizmit, të sekuestrimit të pasurive që rrjedhojnë nga veprimtaria e tyre kriminale, si dhe tentativave të pastrimit të parave.

- Kryerja e analizave të përbashkëta midis institucioneve të gjurmimit, hetimit e gjykimit

lidhur me grupe kriminale të hetuara e gjykuara për terrorizëm, në funksion të marrjes së masave parandaluese.

- Krijimi i një sistemi të informatizuar statistikor midis institucioneve që gjurmojnë, hetojnë apo gjykojnë çështje të krimit të terrorizmit.

Objektivat afatgjatë (2011-2015)

- Realizimi i parandalimit të akteve të mundshme terroriste në vendin tonë apo nëpërmjet

vendit tonë.

- Hartimi i një sistemi ligjor apo akteve të tjera sipas standardeve të BE-së dhe që krijon hapësirën e duhur apo instrumentet e nevojshme për parandalimin e goditjen e krimit të terrorizmit.

- Paraqitja e strukturave të specializuara të shtetit të afta profesionalisht dhe të angazhuara maksimalisht në drejtim të identifikimit e goditjes së krimit të terrorizmit.

- Realizimi i ndjekjes, parandalimit, mbrojtjes dhe reagimit ndaj fenomeneve që prodhojnë radikalizëm dhe ekstremizëm nga persona apo grup personash, të evidencuara në fazën e parë dhe të dytë të kësaj strategjie, duke identifikuar moton “se asnjë person apo grup kriminal që kryen krime të formave të krimit të terrorizmit nuk do t’i shpëtojë ndëshkimit të ligjit”.

- Paraqitja e strukturave të shtetit shqiptar si partnerë të aftë profesionalisht, të barabartë dhe të besueshëm për strukturat homologe të vendeve të tjera.

- Përgatitja e materialeve studimore nga specialistët që merren me luftën kundër terrorizmit, duke përcaktuar nivelin e kërcënimit terrorist në rrafshin ndërkombëtar dhe ndikimet e tij në vendin tonë, format që ata përdorin për të arritur qëllimet e tyre.

- Sekretariati teknik, krijuar posaçërisht për ndjekjen e problemeve që lidhen me çështjet e terrorizmit, herë pas here të monitorojë detyrimet që rrjedhin në këtë dokument strategjik dhe operacional, duke hartuar rekomandimet e nevojshme dinamike.

- Strukturat informative përkatëse dhe ato hetimore, të bëjnë analiza të përbashkëta për procese të ndjekura, të hetuara apo gjurmuara, që flasin për vendosje bombash në ndërtesa apo mjedise publike, organizime me karakter ideologjik, anarkist, ekstremist, fetar apo nacionalist, duke nxjerrë motivet dhe përcaktuar detyra me theks parandalues dhe infiltrues.

- Analiza dhe përshtatje efektive të të dhënave informative të zbulimit me çështjet hetimore në ndjekje, monitorimi dhe zbulimi i potencialeve të personave që ndiqen për indicie apo fenomene ekstremiste, apo janë burim i armëve dhe eksplozivëve, armëve kimike, biologjike, radioaktive apo bërthamore, financimeve dhe propagandës së këtij lloji.

- Sigurimi dhe mbrojtja në maksimumin e nevojshëm e personelit që do të merret me luftën kundër terrorizmit, duke ruajtur profilizimin dhe cilësinë, që nënkuptojnë frymë profesionale kolegjialiteti dhe ndërthurje informative me ato hetimore. Të vlerësohet dhe kuptohet përfundimisht se hetimet e terrorizmit kombëtar dhe ndërkombëtar janë njëkohësisht “zbulimi” dhe “hetimet kriminale”. Për këtë të bëhen propozimet përkatëse.

- Meqenëse lufta kundër terrorizmit mbetet një nga prioritetet kryesore të qeverisë, të bëhen propozimet e nevojshme për trajtimin e veçantë, me fonde mjedise e mjete të nevojshme, duke e shoqëruar edhe me akte të nevojshme normative.

- Hartimi dhe zbatimi i programeve bashkëkohore ushtrimesh, për zhvillimin e aftësive në planifikimin dhe përballimin e emergjencave, duke vënë në provë të plotë sistemet, praktikat dhe procedurat. Për këtë qëllim të hartohen praktikat më të mira, të evidentohen pikat e dobëta dhe të sanksionohen reagimet pozitive ndaj një sulmi terrorist. Çdo institucion që detyrohet të zbatojë masat e nevojshme, të përgatisë dokumentacionin e nevojshëm.

- Përcaktimi i kontureve të plota dhe hartimi i një dokumenti tip, mbi dhënien urgjent të

informacionit mbi një sulm terrorist, si për medien vizive apo të shkruar, ashtu edhe për

institucionet përkatëse e qeverinë. Njëkohësisht përcaktimi i qendrave të informacionit pranë skenës së krimit, personat kompetent ekzekutiv, hetimor apo ndihmës, që do të mundësojë koordinimin e prioriteteve të analizës së informacionit strategjike/taktike/evidentuese etj.), për të mbledhur, vlerësuar dhe shpërndarë informacionin përkatës.

- Meqë terroristët kanë perfeksionuar format dhe metodat, shtrohet nevoja urgjente që

strukturat informative përkatëse të perfeksionojnë veprimet praktike në dhënien e “gatishmërisë” së informacionit parandalues apo reagues, duke bërë propozimet përkatëse.

- Ndërmjet strukturave informative, veçanërisht ndërmjet Shërbimit Informativ Shtetëror dhe Departamentit të Hetimit të Krimeve, të krijohet reciprokisht terminali i nevojshëm i hyrjes në informacionin e kërkuar, duke vendosur pika të miratuara kontakti mes njëri-tjetrit. Gjithashtu, të krijohet mundësia e perfeksionimit të teknologjisë së informacionit për t’u përdorur mes njëri-tjetrit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›