Reforma zgjedhore dhe "mbretëria" e politikës"
Politika jonë ka parapëlqyer konvertimin e natyrës politike të qytetarëve tanë, të sintetizuar në një "numër infinit" të partive politike që tentojnë të bëhen faktorë politikë pa qenë të nevojshëm për demokracinë tonë. Në të vërtetë, reduktimi i botës së partive politike ka filluar të konsiderohet si një nga treguesit e "pjekurisë së shoqërisë", një nga standardet e vlerësimit të kalimit të shoqërisë në etapën e "post-modernitetit". Por në shoqërinë tonë është ngritur artificialisht një klasë kaq e madhe politike, e cila nuk mund të mbijetojë numerikisht pa këtë numër të ekzagjeruar partish të cilat, tashmë, sipas mendimit tim, janë bërë pengesë evidente për plotësimin e "standardeve" të modernitetit politik. Ndërsa interesimi dhe lidhja e qytetarëve shqiptarë me politikën është në rënie, për shkak të zgjerimit të natyrës individualiste të njeriut si thelb i shoqërisë moderne, sasia e partive politike është tejet e lartë dhe mbi limitin e të "panevojshmes". Politika në Shqipëri, jo vetëm ka krijuar "mbretërinë" e saj, por po tenton të gjejë argumente për ta zgjeruar atë, në një kohë që bota moderne përballet me fenomenin që në mënyrë figurative politologu spanjoll i ditëve tona, Ramoneda, e quan " rënie" apo "falimentim" të saj.
Shoqëria shqiptare, edhe madhësinë e politikës dhe numrin e politikanëve i ka në përmasa kontroversive me modernitetin, pse jo gjithnjë e më pranë me "parazitizmin politik". Ky është një shqetësim jo i vogël qytetar sepse në vendin tonë, paradoksalisht, ndodh një fenomen të cilin qytetarët tanë duhet ta kuptojnë se është i kundërt në raport me nevojat e shoqërisë moderne për "politikë dhe politikanë". Nuk është normale që politika në vend të bëjë politikë, është bërë "profesion" për disa njerëz dhe "material" që mbush jetën e politikanëve profesionistë, por dhe i shërben qytetarëve si "çamçakëz" për të kaluar kohën. Kjo mënyrë e prodhimit dhe e konsumimit të politikës, ka bërë që "mbretëria e politikës" tek ne të jetë në përmasa "jashtë standardit" të modernitetit. Sipas mendimit tim, për shkaqe historike, kulturore të zhvillimit social, ne mund të konsiderohemi si një nga vendet europiane në të cilin shumë paradokse të natyrshme të shoqërisë dhe politikës, mbi ne kalojnë me "vonesë faze". Kemi kapërcyer tash dy dekada nga epoka e nxehtë e "pasionit ideologjik" e megjithatë edhe në demokraci, politika vazhdon të jetë në "plan të parë", si gjithnjë, një veprimtari me pjesëmarrje, intensitet e tension të gjerë social. "Mbretëria e politikës" në Shqipëri vazhdon të jetë e gjithëfuqishme. Ndërkaq, politikanët si shtresë, janë në një numër absolutisht të panevojshëm për sasinë dhe cilësinë e veprimtarisë, institucioneve dhe strukturave politike në Shqipëri. Më shumë se klasë politike që "prodhon" politikë në kuptimin autentik, apo krijon "strategji zhvillimi", është ngritur një "partitokraci" e panevojshme, me natyrë parazitare, që e ka gjetur politikën si "sofër qorrash", apo për snobizëm, për afirmim personaliteti, përfitime financiare dhe favore personale.
Në "mbretërinë" e politikës shqiptare ka hapësirë të gjerë që të jetojnë jo më një "klasë politike", (jo në kuptimin modern, por klasik të termit), në të cilën mund të qëndrojnë bashkë pa shqetësim edhe politikani profesionist edhe profani i politikës, edhe ai që ka vlera personale edhe mediokri. Këtu e ka shkakun lufta banale kundër reformës zgjedhore që bëhet nga partitë për të penguar reformën, si mjet për të ngjeshur spektrin e politikës, duke i larguar asaj imazhin si tautologji banale, si "logopolitikë", si partitokraci që paraziton në kurrizin e shqiptarëve të varfër. Nuk është shqetësim se reforma mund të cenojë standardet e politikës demokratike, por ajo cenon në të vërtetë "mbretërinë" e politikës dhe politikanëve butaforikë, që vegjetojnë në mënyrë të panevojshme me një sasi sloganesh, nga të cilat deri tani vendi ynë nuk ka patur bereqet. Në këtë kontekst, të bën përshtypje indiferentizmi intelektual dhe qytetar lidhur me debatin e ashpër për "reformën zgjedhore", ndoshta njëri nga më të vërtetët në historinë e demokracisë shqiptare. Reforma zgjedhore nuk është vetëm problem politik, por është edhe problem i madh qytetar. Në njëfarë mënyre kjo reformë do t'i japë strukturë, fizionomi, përmasa të reja politikës, klasës politike dhe "mbretërisë" së vjetër 17-vjeçare të politikës shqiptare. Mbështetja e saj, do të ishte kontribut i madh qytetar i kujtdo që ka sensin qytetar, që nuk ka dëshirë të ketë mbi kokë një "klasë politike" të panevojshme, që më shumë se për cenimin e standardeve të demokracisë, mendon për statusin personal, publik, financiar të një pjese të panevojshme të klasës politike aktuale.
Demokracia është e lidhur me politikën, madje shumë autorë atë e quajnë "shpirt i demokracisë". Shoqëria shqiptare po tenton të bëhet shoqëri e moskokëçarjes politike. Në vend të pasionit politik, të obsedimit pas politikanëve, shoqëria jonë po përballet me tema dhe probleme ekzistenciale, universale, të ditës, të jetës moderne. Tani nuk është më temë e ditës "kauza e demokracisë", e cila politikisht është e konsoliduar dhe pa rreziqe, as të jashtme, as të brendshme, as iminente, as eminente. Sot në shoqërinë tonë nuk diskutohet për demokracinë si sistem, por për të drejtat e njeriut, problemet civile, problemet e mirëqenies dhe varfërisë, të ambientit, individualizmit, zgjerimit të pesimizmit social, etj.
Largimi qytetarit nga politika, zvogëlimi i kanaleve të qarkullimit dhe pjesëmarrjes politike të qytetarit në politikë, po sjell në shoqërinë tonë dukurinë tepër shqetësuese, që ka të bëjë me dobësimin e aftësisë së qytetarit për të reaguar politikisht. Sa më e largët bëhet politika për qytetarin, aq më shumë indiferentizohet ai me politikën. Qytetari në këtë rast "e kthen kokën nga ana tjetër". Ndaj, reforma zgjedhore nuk është vetëm çështje e mbyllur e politikës, por dhe e qytetarëve. Sa më shumë indiferentë të bëhen qytetarët me politikën, aq më shumë e madhe është "hakmarrja" me të.