Shpërthimet në autostradë, vazhdon dëmtimi i shtëpive
Pashk Lesi tregon se nga shpërthimi i fuqishëm i pak ditëve më parë i është plasaritur gjithë shtëpia
Rrëshen-Po kthehet thuajse në ritual prishja e banesave në disa fshatra nga ku kalon traseja e autostradës në segmentin Rrëshen-Kalimash, për shkak të shpërthimeve pa kriter. Ndërkohë, banorëve nuk iu jepet asnjë përgjigje për dëmtimet e sjella. Një situatë e tillë u krijua nga shpërthimet me amplitudë shumë të lartë në fshatin Sang të komunës Fan, 2 javë më parë, ku u dëmtuan rëndë disa shtëpi, ndërsa po këto ditë një shpërthim tjetër jashtë çdo përmase normale, ka "shkundur" fshatin Ndërfushas të bashkisë Rrëshen, kur nga tronditja e kanë pësuar disa shtëpi. Një prej të dëmtuarve është Pashk Lesi, banesa e të cilit ka pasur dëmtime serioze pas shpërthimit të bërë para disa ditëve nga firma nënkontraktore kosovare. Edhe pse është endur zyrë më zyrë ende nuk ka marrë përgjigje, për hallin që e ka gjetur. Ai tregon sebanesa ndodhet më shumë se 500 metra larg nga traseja e autostradës dhe është krejt e pakuptueshme të ndodhte një shkatërrim i tillë i shtëpisë, nëse plasja do të kishte qenë e kontrolluar dhe në parametra të balancuar të eksplozivit.
Zoti Pashk, çfarë ka ngjarë me shtëpinë tuaj?
Ja, shikojeni, hyni dhomë për dhomë dhe shihni si janë plasaritur muret e dhomave, korridori e deri tek themeli. Po ashtu dhe muret e jashtme si dhe dyshemeja.
Ka pasur plasaritje më parë kjo shtëpi?
Jo, nuk ka shumë kohë që është ndërtuar dhe këtu toka nuk është e rrëshqitshme, është në fushë të rrafshët ku janë dhe shumë shtëpi të tjera.
Nga se kanë ardhur këto plasa?
Që nga shpërthimi i madh që u bë në rrugë atje lart ku po punohet për autostradën. Ishte shumë i fuqishëm shpërthimi.
Ju ku ishit në ato momente?
Nuk kam qenë në shtëpi, e kisha mbyllur me çelës.
Ju kishte lajmëruar ndokush për datën dhe orën e shpërthimi?
Jo askush, sepse nëse do të ishim lajmëruar do ua kishim thënë të tregoheshin të kujdesshëm me fshatin, të kishte mbushje jo të mëdha eksplozivi ndërkohë që dhe vetë do të merrnim ca masa.
Ku konsistojnë këto masa?
Masa efikase që të mos ketë plasaritje nga shpërthimet është hapja e dyerve, dritareve etj, në mënyrë që vala të amortizohet dhe brenda ndërtesës të mos ketë probleme.
Jeni ankuar tek firma?
Kam shkuar në disa zyra, por dhe firmës i jam drejtuar që të mos përsëritet më kjo situatë si dhe të më kompensohen dëmet e shkaktuara.
Keni frikë se shtëpia mund të shembet papritur?
Po natyrisht, jetojmë me atë frikë, pasi nuk i dihet. Nëse ka dhe një plasje tjetër të kësaj përmase siç qe, shtëpia fundoset e tëra.
Si do të veproni?
Po pres reagimin e firmës ndërtuese, në të kundërtën do t'iu drejtohem organeve gjyqësore për dëmshpërblim të asaj që më kanë prishur.