E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përgjegjësia morale, shans i humbur

"E harruat Gërdecin", akuzoi dikush pak ditë më parë në faqet e shtypit. Në fakt, shkruesi ka njëfarë të drejte në "akuzën" e tij, megjithëse s'e kupton nevojën për "harrim". Gërdeci duhet të lëvizi në plan të dytë, sepse për këdo që ka dy gram tru, tashmë s'bëhet me fjalë vetëm për Gërdecin, as për fatkeqët që humbën jetën aty, as për fatkeqët që u plagosën, e as për fatkeqët që pësuan dëme materiale e psikologjike. Pavarësisht hollësive mbi viktimat e mbi dëmet e shkaktuara, çështja duhet kaluar tashmë në një plan tjetër, është personale për të gjithë ne dhe jo vetëm për ata që jetojnë në Gërdec e në rrethinat e tij!

Është e tillë, sepse në rastin e Gërdecit, të paktën dy institucione të shtetit s'kanë funksionuar siç duhej; Ministria e Mbrojtjes që kishte për detyrë të mbikëqyrte sigurinë e punimeve, dhe Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta që s'e vuri dot re që në atë fabrikë kishte vetëm 1 të siguruar! Është personale, sepse Qeveria dështoi në përpjekjen e saj për të detyruar një ndërmarrje që punonte me Shtetin që të respektonte rregullat e Shtetit! Është personale, sepse nëse s'i zë dot besë Shtetit që të kontrollojë tregtinë e armëve, atëherë s'i mund t'i zësh besë që të kontrollojë tregtinë e mallrave ushqimore, të energjisë, të pajisjeve të ndryshme, të materialeve të ndërtimit, e të shumë e shumë mallrave të tjera. Është personale sepse, troç muhabeti, s'dua që nesër të më shembet pallati poshtë karriges ku po qëndroj tani dhe të bie në humnerë 7 kate më poshtë thjesht sepse Shteti e kishte lënë pas dore detyrën e tij dhe s'kishte kontrolluar cilësinë e ndërtimit, ashtu siç nuk kishte kontrolluar cilësinë e sigurisë në Gërdec. Është personale, sepse s'dua të helmohem nga ushqimi që ha sepse dikush në kufi ka lejuar importimin e mishit të infektuar. Sepse, sepse, sepse...

Duke qenë se ky muhabet është personal, dhe duke qenë se të gjithë ne vëmë në rrezik në radhë të parë të vetmen gjë që kemi tamam tonën, kokën që kemi mbi supe, atëherë më e pakta që mund të kërkohet moralisht dhe në mënyrë të barasvlefshme nga Qeveria është që "të vërë në satër" kokën e saj, për të mundësuar që:

1) Shtetasit të kuptojnë që nëse ndonjë ditë humbin jetën thjesht se po kalonin në vendin e gabuar, në orën e gabuar, atëherë, të paktën dikush do përgjigjet për këtë dhe nuk do të jetë thjesht funksionari i rastit që do t'i rrasin në dorë përgjegjësinë ligjore, por edhe funksionari më i lartë që mban përgjegjësi morale për mosfunksionimin e zyrës ose institucionit të tij.

2) Shtetarët të kuptojnë që jetët e njerëzve dhe dështimi në punën e tyre s'mund të kalohet thjesht me një shpëlarje të gojës për përgjegjësitë ligjore, dhe se ka edhe një të shkretë përgjegjësi morale (deri më sot e përdorur shumë rrallë në vendin tonë).

E nëse Qeveria e "vë kokën e saj në satër", nëse zoti Kryeministër i vendit jep dorëheqjen duke shprehur keqardhje jo vetëm për viktimat, por edhe për faktin që dy organe të shtetit DËSHTUAN në punën e tyre, atëherë të paktën tragjedia e Gërdecit s'do mbahet mend vetëm si tragjedia e radhës pas '97-ës, pas '98-ës, pas 9 Janarit, pas Dhëmblanit etj., etj., por si tragjedia që shënoi fillimin e përgjegjësisë morale në Shqipëri. Se mbi ligjin, zotërinj Shtetarë të politikës së vjetër e të re, mbi atë ligjin e bërë llastik prej jush, qëndron ai i shkretë moral që me ç'duket ka kaluar malet, ka vajtur diku emigrant e është zhdukur nga ky vendi ynë për një kohë të gjatë!

Shënim 1: Gjëja më normale që duhej të kishte ndodhur pas Gërdecit, do të ishte dorëheqja e qeverisë "Berisha" dhe krijimi i një Qeverie të re nga ana e shumicës në Kuvend.

Shënim 2: Gjëja që parashikuam që do ndodhte dhe që me sa duket po ndodh, është që të ketë vetëm një rokadë Ministrash dhe Qeveria të vazhdojë të punojë njësoj sikur të mos kishte ndodhur gjë.

Shënim 3: Ato lekët për të dëmshpërblyer viktimat e tragjedisë, s'janë të Qeverisë por janë TONAT. Ato lekë mund të mos kishin vajtur për të paguar varrimet e atyre të shkretëve që u vranë PA FAJ, por mund të ishin përdorur për të përmirësuar jetën TONË dhe të TYREN!

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›