Kapshticë, fluks emigrantësh shtohen sportelet
KAPSHTICË- Dyndje emigrantësh në kufirin mes Shqipërisë dhe Greqisë në pikën e Kapshticës. Kalimi ndërkufitar për fat të mirë nuk është shoqëruar me pritje dhe radhë të gjata, ndërsa pala shqiptare dhe ajo greke kanë shtuar numrin e sporteleve. Fluksi i emigrantëve në pikën kufitare të Kapshticës është rritur ndjeshëm gjatë 24 orëve të fundit, ndërsa pala shqiptare ka rritur masat e sigurisë, por dhe ka shtuar efektivin në punë, për të mos krijuar konfuzion por dhe vonesa në procedurat e kalimit të të gjithë shtetasve shqiptarë nga Greqia në Shqipëri dhe anasjelltas. Duke iu referuar prononcimit për gazetën të komandantit të pikës shqiptare të kalimit në Kapshticë Qamil Shkaba, situata është nën kontroll të plotë, ndërsa vargut të mjeteve i janë shtuar dhe autobusët e linjave të përditshme me shtetin fqinj që sjellin emigrantë në atdheun e tyre. Mbi 30 autobusë janë përpunuar gjatë 24 orëve të fundit, ndërsa janë 4500 emigrantë dhe 1200 mjete që kanë hyrë nëpërmjet Kapshticës nga shteti fqinj gjatë 24 orëve të fundit. Rritja e fluksit të udhëtarëve ka nxitur palën shqiptare por dhe atë greke të shtojë në mënyrë urgjente sportelet. Sipas komandantit të kësaj pike kalimi, Shkaba, numri i sporteleve nga tre që ka qenë një ditë më parë ka arritur gjatë të dielës në gjashtë të tillë vetëm për hyrjet nga Greqia në Shqipëri. Ndërsa dhe pala greke nga ana e saj ka shtuar numrin e sporteleve për daljet nga vendi i saj me tre të tillë nga një që ka pasur në dispozicion.