E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ishmi përkujton krijimin e çetës partizane

 

Në ceremoni i pranishëm deputeti i zonës, Sami Gjergji. "Diktatura abuzoi me gjakun e dëshmorëve të luftës"

DURRËS- Banorët e Ishmit në Durrës kanë zhvilluar dje një ceremoni përkujtimore të 65-vjetorit të krijimit të çetës partizane të zonës. Në ceremoninë e përkujtimit të kësaj ngjarjeje ka marrë pjesë edhe deputeti i zonës, Sami Gjergji, i cili në fjalën e tij ka theksuar se "asnjë paragjykim apo pasion politik, asnjë dogmë apo ideologji nuk mund të zbehë aktin e tyre sublim. Ata besonin tek liria e njeriut, pa ditur se më pas në ëndrrën e tyre dhe gjakun e tyre do të abuzonte në mënyrë çnjerëzore sistemi i mbrapshtë i diktaturës". Në ceremoninë e 65- vjetorit të krijimit të çetës së Ishmit kanë qenë të pranishëm edhe përfaqësues të shoqatës së veteranëve të luftës si dhe kryetari i komunës Ishëm Gëzim Ylli. Njësiti partizan i Ishmit u organizua në 20 prill të vitit 1943 dhe katër nismëtarët e tij kanë qenë Ismail Çaushi, Xhavit Qesja, Beqir Balluku dhe Jovan Antoni. Mobilizimi i banorëve të zonës së Ishmit në luftën kundër pushtuesve italianë dhe gjermanë ka bërë që nga kjo çetë të ketë shumë dëshmorë, plot 13 të tillë. Deputeti Sami Gjergji ka folur para banorëve të Ishmit dhe të fshatrave përreth që kanë marrë pjesë në këtë përvjetor. Në mbyllje të fjalës së tij deputeti Gjergi ka thënë se "gjaku i tyre na ka mbledhur sot të gjithëve për të besuar më shumë në ëndrrën e tyre dhe për ta bërë atë jetë. Sot ne jemi mbledhur së bashku, pa u kujtuar për ngjyrat dhe krahët e politikës. Së bashku heshtim për një çast në shenjë nderimi para emrit dhe veprës së tyre dhe me një zë themi: I paharruar qoftë emri dhe vepra e tyre". Të pranishmit kanë vendosur kurora me lule në lapidarin që është ngritur për të kujtuar krijimin e çetës partizane të Ishmit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›