“Reforma zgjedhore drejt fundit, të gjendet kompromisi”

Kreu i OSBE-së, Eugen Wollfarth takohet me Edi Ramën
Tre ditë para se të përfundojë afati i komisionit për reformën zgjedhore, kreu i prezencës së OSBE-së në Tiranë, Eugen Wollfarth apeloi sërish palët për të gjetur kompromis për përfundimin e reformës zgjedhore.
“Me rëndësi që kjo zgjidhje të gjendet mes partive të përfaqësuara në parlament. Komisioni për Reformën ka bërë punë shumë të mirë, por duhet të gjendet zgjidhje për çështjet që janë ende të hapura e ato duhet të gjenden të tilla që të sigurojnë besimin e votuesve. Të gjendet një zgjidhje që sheh nga e ardhmja, që të kemi një proces teknikisht korrekt”, theksoi Wollfarth.
Ai ka shtuar se ekziston mundësia për një zgjidhje për reformën zgjedhore ndërsa tha se më shumë e rëndësishme sesa koha e përfundimit të afatit të komisionit për reformën zgjedhore është transparenca. “Ekziston mundësia për zgjidhje, ajo është afër. Janë gurët e fundit politik për të ndërtuar urën”, shtoi ai.
Këto komente ambasadori i OSBE-së në Tiranë i bëri pas një takim me kryesocialistin Edi Rama, i cili ka përgjegjësi direkte në zvarritjen e reformimit të ligjit elektoral. Ndërkohë që mandati i Komisionit të Reformës Zgjedhore përfundon më 12 korrik, palët nuk kanë rënë dakord për 3 çështje siç janë struktura e KQZ-së, procesi ankimor dhe sistemi elektronik i numërimit të votave.
Cili ishte qëllimi i takimit me zotin Rama?
Qëllimi i takimit të sotëm me zotin Edi Rama ishte në vazhdën e bisedimeve tona të rregullta për axhendën e reformave. U përqendruam te reforma e Kodit Zgjedhor, ku po bëhen përpjekje të rëndësishme. Reforma e Kodit Zgjedhor duhet të përmbyllet. Disa çështje të rëndësishme janë ende të hapura dhe presin zgjidhje në ditët e ardhshme. Kjo vlen veçanërisht në lidhje me transparencën. Përgjatë gjithë procesit duhet ofruar transparencë maksimale, në mënyrë që zgjedhësit të kenë besim se vota e tyre numërohet në mënyrë korrekte dhe se vota e tyre ka vlerë. Është gjithashtu shumë e rëndësishme që të ekzistojë një besim i plotë në organin e quajtur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Kjo është një çështje jashtëzakonisht e rëndësishme, e cila ka nevojë për zgjidhje. Nëse më lejoni, unë do të bëj thirrje për një zgjidhje me sytë nga e ardhmja, që ofron shkallën maksimale të besimit të qytetarëve të këtij vendi te sistemi. Është e rëndësishme që të shkohet drejt një zgjidhjeje largpamëse, për të garantuar që ky proces të kryhet teknikisht në mënyrë korrekte në të ardhmen. Është, gjithashtu, shumë e rëndësishme që kjo zgjidhje të gjendet mes partive të përfaqësuara në parlament. Komisioni i posaçëm parlamentar për reformën zgjedhore, sikurse e kam thënë edhe më parë, ka bërë një punë shumë të mirë themelore dhe tashmë mbeten çështjet e fundit, ku përfshihet edhe KQZ-ja dhe çështja e transparencës.
E mbështesni propozimin e PS-së për rikompozimin e KQZ-së?
Fola për një zgjidhje që sheh përpara, e cila mund ta përfshijë edhe atë element. U takon palëve të dalin me një zgjidhje të përbashkët. Mandati i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve mbaron para zgjedhjeve të ardhshme të përgjithshme. Ky është momenti për një zgjidhje që sheh nga e ardhmja, që mund të përfshijë edhe atë element.
Cili është sugjerimi që jep OSBE-ja për përbërjen e KQZ-së, duke qenë se ju jeni takuar edhe me zyrtarë të lartë? A keni një sugjerim që ua keni ofruar palëve?
Kjo është, pikësëpari, një zgjidhje që duhet gjetur mes palëve. Ajo çka ne dëshirojnë është që të jetë një zgjidhje e qëndrueshme, e vlefshme dhe e paanshme në çdo kohë.
Zoti Ambasador, a mjafton koha apo duhet shtyrë afati i Komisionit të Reformës Zgjedhore?
12 korriku është shumë afër. Siç thashë, Komisioni për Reformën Zgjedhore ka bërë një punë themelore shumë të mirë deri tani. Çështjet që mbeten të pazgjidhura konsiderohen nga aktorë kyç si tejet politike e si të tilla, zgjidhja për to duhet gjetur në nivelin politik.
A keni marrë takim me palën tjetër? Sepse të paktën nga perceptimi, është pala tjetër që po i reziston formulës së KQZ-së, ndërkohë që nuk ka bërë asnjë propozim të sajin për rikompozimin e KQZ-së?
Ne zhvillojmë shumë takime, të nivelit të lartë dhe të një niveli jo aq të lartë. E sigurt është që dialogu ynë vazhdon. Dhe, nëse i kthehem pyetjes për kohën, ajo çka ka më shumë rëndësi se koha është cilësia. Transparenca është shumë e rëndësishme, ndershmëria është shumë e rëndësishme dhe pjesëmarrja në këtë proces është jashtëzakonisht e rëndësishme. Kështu që, unë do të bëja thirrje për një mbështetje publike për një zgjidhje të shpejtë.
A mendoni se palët janë afër zgjidhjes së çështjes së reformës zgjedhore?
Ekziston një mundësi për gjetjen e asaj zgjidhjeje. Unë sigurisht shpresoj që zgjidhja të jetë afër. Janë gurët përfundimtarë politikë ata që nevojiten për të ndërtuar urën e zgjidhjes.