E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reforma zgjedhore drejt pikave të “nxehta”

Pikat më të rëndësishme që pritet të diskutohen në vijim, lidhen me ndryshimin e sistemit zgjedhor, ndryshimin e zonave zgjedhore dhe caktimin e numrit të kandidatëve për çdo zonë zgjedhore; dorëheqjen e zyrtarëve që do të kandidojnë dhe caktimin e kohës së reklamës qeveritare.

Ndërkohë, gjatë katër muajve të punës së komisionit janë miratuar me konsensus një sërë amendamentesh, që  lidhen me përfshirjen e grave në listat zgjedhore në masën 30%; financimin e partive politike në fushatat zgjedhore; ashpërsimin e sanksioneve për komisionerët që dëmtojnë procesin, si dhe ndryshimet e dispozitave për listat e zgjedhësve. Një pikë që pritet t’i nënshtrohet debatit është edhe votimi dhe numërimi elektronik i votës.

Gjatë një tryeze ku u diskutua mbi teknologjitë e reja në zgjedhje dhe administrimin e tyre, ku ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Aleksandër Arvizu, kërkoi që të zbatohen afatet kohore. “Duhen respektuar afatet kohore që gjërat të mos lihen për në momentin e fundit. Respektimi i afateve do të bëjë të mundur që të mos i lihen përgjegjësitë palës tjetër", theksoi ai.

Shefi i OSBE-së në Tiranë, Eugen Wollfarth, theksoi sot se reforma e Kodit Zgjedhor përbën një prej reformave vendimtare për çuarjen përpara të zhvillimeve demokratike në Shqipëri. Ai deklaroi në drejtim të reformës zgjedhore është bërë progres, por shtoi se ka disa çështje shumë të rëndësishme që mbeten ende për t'u diskutuar.

“Kjo është arsyeja për të cilën nevojitet patjetër që të intensifikohet puna, në mënyrë që Komisioni të mund të ecë përpara me hapa më të shpejtë. Duhen bërë të gjitha përpjekjet që të shfrytëzohet si duhet afati tashmë i shtyrë, në mënyrë që ai të mos tejkalohet sërish. Gjithashtu, është e rëndësishme që çfarëdolloj reforme të përfundojë në kohë të konsiderueshme para zg jedhjeve parlamentare. Megjithatë, ndonëse koha është një faktor i rëndësishëm, ajo që ka më shumë rëndësi është përmbajtja”, theksoi ai.

Për kreun e OSBE-së në Tiranë, zgjidhjet e nxituara të minutës së fundit nuk mund të jenë më alternativë. “U bëj thirrje të gjitha palëve që t'i përqendrojnë energjitë e tyre në arritjen e një reforme të plotë, tërësore dhe përfundimtare. Ekzistenca e një vullneti politik dhe besimi të ndërsjellë është thelbësore. Pres me padurim të shoh nga Komisioni zgjidhje jetëgjata dhe në kohën e duhur, të cilat duhet të vijnë si rezultat i një pune konstruktive nga të gjitha palët”, shtoi.

Wollfarth tha se çdo kod zgjedhor për të cilin do të bihet dakord duhet të adresojë rekomandimet e OSBE/ODIHR-it dhe të jetë më pranë angazhimeve të OSBE-së dhe standardeve ndërkombëtare.  “Më lejoni të them se është absolutisht thelbësore që në këtë proces të ofrohet niveli më i lartë i besimit dhe vullnetit të mirë, në mënyrë që reforma të rezultojë e suksesshme. U bëj thirrje të gjitha palëve që të angazhohen në një proces të frytshëm, të bazuar krejtësisht në dialogun ndërpartiak, respektin e ndërsjellë dhe bashkëpunimin e pakushtëzuar”, shtoi. /S.Lleshi/Start/    

                                                                                             2012-03-26 14:58
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›