E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha kritika vendorëve për taksat dhe ambientin

Megjithatë, ai iu paraqiti një shembull të mirë se mund të drejtohet një bashki, duke paraqitur rastin e Lulzim Bashës në Tiranë.

Në konferencën kombëtare "Qeverisje vendore e fortë dhe efektive nëpërmjet rritjes së bashkëpunimit drejt qeverisjes së mirë", të organizuar nga Këshilli i Evropës, Kryeministri kërkoi nga krerët vendorë konsolidimin gjithnjë e më shumë të një qeverisje të mirë për përballjen me efiçencë të problemeve.

"Projekti ynë kryesor është Shqipëria vend i zhvilluar, Shqipëria europiane, Shqipëria që u ofron qytetarëve të saj kushte dhe rrethana jetese të standardeve evropiane,  kusht ky kryesor për realizmin e atij projekti që është më i madhi në këtë shekull për shqiptarët, anëtarësimi i vendit në BE. Në këtë përpjekje të madhe asgjë s’ka më të rëndësishme se efiçenca e qeverisjes vendore. Në këtë kontekst, autonomia juaj është kushti më i rëndësishëm për të konsoliduar demokracinë në Shqipëri. Qeveria ime mbetet e vendosur, në bashkëpunim të ngushtë me ju, të konsolidojë autonominë e qeverisjes tuaj në qeverisjen e vendit", iu drejtua kryeministri drejtuesve lokalë.

Sipas tij, "janë rritur disa herë financimet për qeverisjen vendore, është vendosur një partneritet i shkëlqyer mes qeverisë qëndrore dhe vendore në fushën e  investimeve. Janë ndërmarrë hapa të rëndësishëm në fushën fiskale, është vlerësuar autonomia në menaxhmin e territorit”. "2 muaj më parë qeveria kaloi ligje që u njohin këshillave të komunave dhe bashkive të drejta që më parë i kishte vetëm Parlamenti”, tha Berisha.

Duke folur mbi procesin e partneritetit publik privat, Kryeministri këshilloi drejtuesit lokalë të  ndjekin shembullin e Tiranës për mënyrën e qeverisjes. "Qeveria ime është e vendosur të bashkëpunojë me ju, të thellojmë më shumë autonominë e qeverisjes suaj. Tirana ka filluar procesin e partneritetit publik privat. Ky shembull të merret nga të gjitha njësitë e tjera vendore, pasi përbën një avantazh të madh për ju. Jam i vetëdijshëm që problemet kryesore tuajat janë ato financiare, por në përpjekjen e parë që qeveria vendosi të kalojë taksat e biznesit të vogël nën administrimin e vendorëve, mund të them që në tërësi nuk pati sukses", komentoi Berisha.

Sipas Kryeministrit, përveç taksës së biznesit të vogël, një tjetër taksë e menaxhuar nga autoritetet vendore, është taksa e pronës, mbledhja e së cilës është në limite të paprapanueshme. /Start/

                                                                                             2012-03-26 11:50
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›