Sherr në Labinot, këshilltari demokrat qëllon kreun e PS-së
Një mbledhje mes zyrtarëve të komunës Labinot Fushë në Elbasan dhe banorëve është shndërruar në arenë përleshjeje mes të djathtëve e të majtëve. Kreu i PS së zonës, njëherësh specialist në komunë, Tahir Duka, ka denoncuar në polici dhunën fizike të ushtruar ndaj tij nga këshilltari demokrat Enver Salla, që mban edhe postin e kryetarit të PD për fshatin Mengel. Salla akuzohet se e ka gjuajtur me grushte Dukën.
Por, nga ana tjetër, i akuzuari Salla pretendon se gjithçka është trillim, madje thotë se është goditur me karrige prej Dukës, raporton Vizion Plus. Nga policia e Elbasanit mësohet se kanë mbërritur denoncime nga të dyja palët. Pas thirrjes së dëshmitarëve që kanë qenë të pranishëm në takim, pritet të vendoset edhe nëse çështja do ti kalojë ose jo Prokurorisë. Komuna Labinot Fushë drejtohet nga të majtët, ndërsa në këshillin komunal, shumicën e kane të djathtët.
