E Diel, 1 Nëntor 2026

Reforma zgjedhore, shoqëria civile paraprin politikën

Kodi i ri Elektoral Një grup organizatash publikojnë sot propozimet e para

Reforma zgjedhore angazhon edhe shoqërinë civile. Përveç partive politike të interesuara për nisjen e punës për përmirësimin e Kodit aktual Zgjedhor, edhe faktorë të tjerë jashtë politikës aktive pritet të ndërmarrin nisma konkrete në këtë drejtim. Kështu sot në Tiranë një grup organizatash të shoqërisë civile, nismëtarë të aksionit qytetar për reformën zgjedhore, do të zhvillojnë konferencën e shtypit për të njoftuar iniciativën e tyre. Një nga protagonistët e këtij aksioni është edhe ish-kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kristaq Kume, i cili ka qenë aktiv në media rreth problemeve që kanë të bëjnë me procesin zgjedhor dhe sugjerimeve për të ardhmen. Nisma e sotme pason atë të ndërmarrë nga Lëvizja Socialiste për Integrim, e cila është shprehur e interesuar për një tryezë të partive politike, ku mendohet të diskutohen edhe çështje me rëndësi thelbësore, si ndryshimi i sistemit zgjedhor. Në parim edhe Partia Socialiste është shprehur e disponueshme për ndërhyrje në Kodin Zgjedhor, por i ka kushtëzuar ato me zbërthimin e mekanizmit manipulues që veproi më 28 qershor. Nëse një ndryshim i këtillë do të vihet në jetë, gjithsesi do të duhet formalizuar si ligj brenda muajit tetor, apo 6 muaj para datës së zgjedhjeve të ardhshme. Ky është kufiri kohor që vendos kuadri ligjor për amendime të kësaj natyre, të cilat përfaqësojnë një sistem organizimi shumë të madh. Inkuadrimi në këtë çështje edhe i aktorëve të shoqërisë civile, përveç se thekson rëndësinë e procesit dhe interesin e përgjithshëm që shtrihet mbi të, krijon hapësira për debatin e ri politik, i cili lidhet me pozicione të ndryshme që variojnë për këtë problem. Kështu, përveç sistemit që mbetet aspekti më delikat, pasi përcakton marrëdhëniet brenda koalicioneve, çështje të tjera me rëndësi janë administrimi i procesit në komisione, mënyra e votimit, por edhe procedura ankimore. Në këtë kuadër, nuk kanë munguar edhe propozime të tilla, si votimi elektronik, një ide e hedhur pak muaj më parë nga Kryeministri Berisha, por që vështirë se mund të vihet në jetë për momentin. Me shumë rëndësi është edhe votimi i emigrantëve, të lënë thuajse jashtë të drejtës për të votuar, për arsye të prezencës së munguar fizike në Shqipëri. I gjithë ky kuadër, që po vë në lëvizje edhe shoqërinë civile, mbetet për t’u trajtuar teorikisht, por në finale do të jenë dy partitë kryesore që edhe njëherë do të përcaktojnë perspektivën ligjore për zgjedhjet.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›