E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dy fëmijë janë në gjendje të rëndë

Mjekët Shefi i reanimacionit informon mbi gjendjen shëndetësore për të gjithë të mbijetuarit e aksidentit

Dje pasdite është rënduar më shumë gjendja e një 9-vjeçari, i cili ka dëmtime të shumta. Erison Perja ka marrë plagë të rënda në mushkëri, çka po ndikon në rëndimin e gjendjes së tij shëndetësore. Transportimi i tij për në Sanatorium është i pamundur, prandaj pritet mbërritja e aparaturës së frymëmarrjes në Spitalin Ushtarak.

Shefi i reanimacionit në Spitalin Ushtarak, Petrit Zhurda, informoi dje në mëngjes se gjendja shëndetësore e të plagosurve në aksident mbetet e rëndë, sidomos për dy fëmijë, njëri prej të cilëve Erikson Peraj. 9-vjeçari ka pësuar dëmtime të rënda në mushkëri dhe mjekët e Spitalit Ushtarak u këshilluan për transportimin e tij në spitalin e mushkërive, Sanatorium, për një mjekim më të specializuar. Por në orët e pasdites, mjekët e Spitalit Ushtarak kanë vendosur të mos e transportojnë Erikson Perajn në spitalin e mushkërive. Gjendja shëndetësore tepër e rënduar e të miturit nuk lejon që ai të transportohet me ambulancë nga një spital në tjetrin. Por një aparaturë respiratore nga spitali i Sanatoriumit, si dhe mjekë të këtij spitali do të vendosen në dispozicion të fëmijës, për t’i shpëtuar jetën. Mjekët thanë se fëmija i është nënshtruar operacionit gjatë gjithë natës.

“Situata e gjendjes shëndetësore e të aksidentuarve ngelet e rëndë. Dy fëmijë ndodhen në bllokun operator. Njëri prej tyre kishte dëmtime të barkut dhe dëmtime të kokës, tjetri ka dëmtime të dy mushkërive dhe është operuar gjatë gjithë natës. Ndërsa tre të tjerë aktualisht janë jashtë rrezikut për jetën”, informoi shefi i reanimacionit në Spitalin Ushtarak. Më vonë ai deklaroi se shpreson që njëri prej fëmijëve, pikërisht Raisa Mustafa, 12 vjeçe, të shkëputet nga ventilacioni mekanik.
Për të plagosurit e tjerë mjeku informoi se dy gra janë në reanimacion me dëmtime të anësive, të stabilizuara, ndërsa gjashtë të sëmurë të tjerë janë në gjendje shëndetësore të stabilizuar. Shefi i reanimacionit, Zhurda, tha se nuk kishte pasur nevojë për transfuzion gjaku, por bëri sërish apel “për të dhuruar gjak, pasi në një sezon vere me raste të tilla përballemi përditë”.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›