E Diel, 1 Nëntor 2026

Të dyshuarit për grabitje shkëmbejnë zjarr me policinë, vritet 15-vjeçari

Artan Skana nga Blinishti i Lezhës, drejtues i autoveturës, mbeti i vrarë, ndërsa tre personat që udhëtonin me të u larguan

Një 15-vjeçar ka mbetur i vdekur pas shkëmbimit të zjarrit me policinë në rrethin e Lezhës. Të rinjtë janë të dyshuar si grabitës të malazezëve dhe kanë qenë në ndjekje policore që nga dita e ngjarjes. Policia e Lezhës ka konfirmuar zyrtarisht dje se një person u qëllua për vdekje në shkëmbim zjarri me uniformat blu. Ngjarja ndodhi pasditen e së shtunës, rreth orës 15.30, në vendin e quajtur Ura e Cenit në lagjen “Besëlidhja”.

Sipas deklarimit zyrtar të policisë, gjatë një operacioni për të kapur autorët e dyshuar të grabitjes së ndodhur me datë 14.07.2010, të shtetasve malazezë, mjetit me targë TR 7870 R i është bërë thirrje nga shërbimet e policisë që të ndalonte. Artan Skana, nga fshati Blinisht, drejtues i autoveturës, udhëtonte së bashku me të vëllain e tij dhe dy persona të tjerë dhe as që ka pyetur për sinjalet e policisë, por ka shtuar shpejtësinë dhe është larguar. Ky ka qenë edhe momenti kur Skana ka aksidentuar policin rrugor, Dritan Lorenci, duke goditur motorin me të cilin ai udhëtonte, ndërsa është larguar në drejtim të fshatit Balldre. Në këto momente Policia e Lezhës është vënë në ndjekje të mjetit. Të rinjtë ka mundur të çajnë edhe një tjetër postbllok policie në Balldre dhe atu kanë shkëmbyer zjarr me policinë. Vetëm disa metra më pas, kur edhe ka ndaluar mjeti, tre personat e tjerë janë larguar në drejtim të fushave të Balldrenit me synim malin, ndërsa është gjetur i vdekur Artan Skana.

Policia e Lezhës mohon faktin se është qëlluar mbi të rinjtë që udhëtonin me makinë, duke shtuar se i riu është vrarë nga personat që udhëtonin me ta. I menjëhershëm ka qenë reagimi i familjarëve të viktimës, të cilët kanë akuzuar policinë se ajo kishte vrarë djalin e tyre. Madje edhe te morgu i spitalit të Lezhës ka pasur mjaftë probleme, pasi familjarët kanë nisur të ofendojnë forcat e policisë dhe FNSH-së, që ishin prezent te morgu. Një grup i RENEA-s ka ardhur së bashku me një blindë në Lezhë, por nuk është futur në veprim, për të mos irrituar familjarët e viktimës. Burime konfidenciale thanë se specialët kanë ardhur për të arrestuar personat e tjerë që janë larguar nga vendngjarja, ndërsa ato zyrtare bëjnë të ditur se të rinjtë kanë qenë në ndjekje që pas grabitjes së dy shtetasve malazezë dhe se frika e zbulimit nga ana e uniformave blu kanë bërë që ata të mos ndalonin. Po sipas policisë, Artan Skana ka qenë i shoqëruar në polici tri javë më parë, për një vjedhje. Po kështu ai ka qenë shoqëruar edhe disa muaj më parë për një plagosje në afërsi të shkollës së mesme në Lezhë dhe njihej si një person me precedentë penalë. Në makinë me të mendohet se ka qenë edhe vëllai më i madh. Po sipas policisë, një ekspert i Mjekësisë Ligjore ka ardhur nga Tirana për të kryer ekspertizën e 15-vjeçarit. Në momentin që ai ka marrë akordin edhe të babait të viktimës për të kryer ekspertizën, një i ri bashkëmoshatar i të ndierit ka tentuar të hyjë në morg duke u konfliktuar edhe me tre policët e FNSH-së. Policia e Lezhës po punon për gjetjen e tre personave që udhëtonin me viktimën, pasi, sipas saj, ata dyshohen edhe si bashkëpunëtorë në grabitjen e malazezëve.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›