E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reformat, KE kontrollon Berishën

Gjysmën e dytë të muajit mars, Shqipëria "do të pushtohet" nga ndërkombëtarët. Burimet diplomatike sqaruan se në datë 16 mars pritet të mbërrijnë përfaqësuesit e parë të Komisionit dhe vendeve anëtare të Bashkimit Evropian. Delegacionet mësohet se do të vazhdojnë deri në fund të muajit, kur dhe do përmbyllet faza e monitorimit që do t‘i bëhet vendit tonë, për sa i takon përmbushjes së standardeve që kanë të bëjnë me liberalizimin e vizave. Gjithçka që bën pjesë në monitorim do të jetë larg vëmendjes së medias dhe publikut.

Axhenda

Qeveria shqiptare prej kohësh ka kërkuar që të lëvizë para në drejtim të procesit të liberalizimit të vizave me vendet e Bashkimit Evropian. Deri më tani rezulton se shteti shqiptar ka "mbushur" të gjithë formularët që çojnë drejt këtij procesi. Teksa ana formale "në letër" është përmbushur, ndërkombëtarët kanë radhën të provojnë gjithçka në terren. Grupet do të jenë të alternuara mbi bazën e tematikave të veçanta që do të monitorohen dhe kontrollohen. Në përbërje të tyre mësohet se do të jenë përfaqësues të Komisionit Evropian, por edhe të dërguar nga vende të ndryshme që janë pjesë e unionit. Burimet sqarojnë se ata do të zhvillojnë mbi 100 takime në disa prej institucioneve kryesore në vend. Mes tyre, me funksionarët e qeverisë, Kuvendit, Ministrisë së Brendshme, Ministrisë së Mbrojtjes, Integrimit etj. Vëzhgimi nga afër i pikave kufitare dhe doganore në Shqipëri është një tjetër element kyç i këtij procesi. Pala shqiptare është e detyruar nga ana e saj që të plotësojë çdo kërkesë të përfaqësuesve të Komisionit Evropian dhe "të hapë" dyert e të gjitha institucioneve që kanë lidhje me standardet që duhen plotësuar për liberalizimin e vizave.

Raporti

Në fund të muajit mars, kur dhe përfundon procesi i monitorimit, të dërguarit do të hartojnë një raport përmbledhës për fazën në të cilën ndodhet Shqipëria në përmbushjen e standardeve. Paraprakisht lufta kundër krimit të organizuar, identifikimi i qytetarëve, pajisja me letërnjoftime e pasaporta biometrike dhe menaxhimi i kufijve janë disa prej kushteve kryesore. Raporti do t‘i dërgohet Komisionit Evropian, i cili në konsultë edhe me vendet anëtare do të mund të japë një vlerësim se çfarë do të bëhet me Shqipërinë. Në mars 2008, gjatë vizitës së zëvendëspresidentit të Komisionit Evropian (Franko Frattini) në Tiranë, u lançua dialogu për Liberalizimin e Vizave. Liberalizimi i Vizave është rrjedha progresive e Marrëveshjes së Lehtësimit të Vizave, që së pari synon të përmbushë ëndrrën e qytetarëve që të lëvizin të lirë në Evropë. Në 19 maj 2008, në Bruksel, Komisioni Evropian dorëzoi udhërrëfyesin për Liberalizimin e Vizave për Shqipërinë. Udhërrëfyesi vendosi objektiva dhe detyra për t‘u arritur. Dokumenti ndahej në katër kapituj: 1. siguria e dokumenteve; 2. migrimi ilegal; 3. rendi dhe siguria publike; 4. çështjet e marrëdhënieve të jashtme dhe të drejtat themelore. Më 1 shtator 2008, pala jonë dorëzoi kontributin e parë, i cili ishte një "forward looking document", ku u përfshinë të gjitha përgjigjet për reformat e kryera dhe ato të parashikuara në katër blloqet e udhërrëfyesit. Pas dorëzimit të kontributit të parë, komisioni dorëzoi raportin e parë të vlerësimit për këtë dokument më 28 nëntor 2008. Më 14 janar 2009, pala shqiptare paraqiti raportin përfundimtar për plotësimin e angazhimeve dhe të detyrimeve që rrjedhin nga Udhërrëfyesi për Liberalizimin e Vizave.

Lohan: MSA hyn në

fuqi më një prill

Grupi i punës Shqipëri-Bashkimi Evropian zhvilloi dje takimin e radhës në Tiranë. Në aktivitet ishte i pranishëm edhe përfaqësuesi i Këshillit të Evropës, Helmut Lohan. Delegacioni i palës shqiptare kryesohej nga numri dy i Ministrisë së Integrimit, Albert Gajo. Gjatë diskutimeve në tryezë u diskutua për çështjet që lidhen me tregtinë, industrinë, doganat dhe tatimet. Gjatë dhënies së vlerësimeve të tij, ambasadori Lohan tha se më 1 prill do të hyjë në fuqi të plotë Marrëveshja e Asocim-Stabilizimit mes Shqipërisë dhe BE-së. Përfaqësuesi i KE-së në Tiranë e quajti lëvizjen e lirë të mallrave si një fillim të mirë drejt plotësimit të standardeve për në BE.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›