Veliaj: Berisha, rrezik për sigurinë e jetës
Në kuadër të sensibilizimit të qytetarëve për sigurinë e jetës si dhe të përkujtimit të tragjedisë së Gërdecit, e cila duhet të jetë një shembull për të evituar raste të tilla tragjike, Veliaj dhe vullnetarë të G99 në Durrës bënë dje një vizitë te vendndodhja e disa depozitave të lëndës së djegshme në Portin e Durrësit. Një depozitë në Portin e Durrësit mban mesatarisht pesë milionë litra karburant, ose lëndë djegëse, dhe afërsia e tyre me zonën e banuar të qytetit i kthen ato në një rrezik të madh potencial për jetët e qytetarëve. "Jemi sot për të disatën herë në Durrës, për t‘i bërë me dije qeverisë së radhës se nuk mund të ketë miliona litra gaz, naftë apo materiale të djegshme pranë zonave të banuara. Këto depozita janë shumë afër zonave të banuara të Durrësit. Këto depozita kanë që në kohën e Ilir Metës dhe të Fatos Nanos dhe janë këtu edhe në kohën e Berishës", tha Erion Veliaj. Ai ju bëri apel qytetarëve të Durrësit t‘i bashkohen protestës së datës 15, përpara se të jetë shumë vonë.