E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reformat, Ruçi: Tejkaluam afatin; Patozi: PS po i bllokon

Kreu i grupit socialist, Gramoz Ruçi, u shpreh se mazhoranca po i bllokon këto reforma. Ai gjithashtu shprehu shqetësimin për mos ardhjen e ministrave në interpelancat e kërkuara. “Nëse kishte një emergjencë, ishte një emergjencë tjetër: sot duhet të ishte në agjendën e ditës reforma zgjedhore dhe ajo parlamentare. Nuk janë dhe nuk jepet asnjë arsye. Sot data 24 ishte një datë tjetër që na e ka përcaktuar Brukseli. Kur na ka thënë në mënyrë laksative që reforma zgjedhore dhe ajo parlamentare duhet të bëhet para datës 24, ndryshe Shqipëria në raport me BE-në do të ketë konsekuenca”, theksoi ai.

“Opozita ka kërkuar administrimin e zgjedhjeve. Dhe meqë kryeministri i ka për zemër rekomandimet e ODIHR-it, ky rekomandim është rikompozimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Kjo është thembra e Akilit, por kryeministri nuk e pranon. Ja pse, sot pikërisht në këtë datë të shënuar se hapim procesin procedural dhe jo politik, ne sot po votojmë kundra vetes për progres-raportin e vjeshtës, për marrjen e statusit të vendit kandidat. Të njëjtën gjë them edhe për reformën parlamentare, që ka mbetur në dy pika, votimin e fshehtë dhe fjalën e lirë të deputetëve të opozitës”, shtoi Ruçi. Në fund të fjalës, ai kërkoi që seancat e interpelancave të jenë ato që janë vendosura në kalendarin e parashikuar.

Në përgjigje, kreu i grupit parlamentar demokrat, Astrit Patozi, u shpreh se në seancën e sotme nuk ishte e nevojshme për debate për shkak të tragjedisë së Himarës. “Së pari, pasi mbajtëm një minutë heshtje për shpirtrat që humbën në tragjedinë e Himarës, nuk duhej të replikoja. Ne duhet të nderojmë kujtimin e atyre, jo duke përdhosur kodin e vdekjes, jo duke bërë politikë me fatkeqësitë natyrore. Sot, Konferenca e kryetarëve vendosi sipas Kushtetutës procedurat për zgjedhjen e Presidentit është një moment solemn për shtetin shqiptar, pasi edhe Kushtetuta parashikon që Presidenti të zgjidhet pa debat”, theksoi ai.
Patozi u shpreh se zgjedhja e Presidentit është proces më vete dhe reformat “që kemi rënë dakord në nëntor janë proces më vete. Kushdo që i ngatërron këto data, spekulon me deklaratat e z. Fyle”.

“Kush kërkon ti lidhë të dyja bashkë këto çështje? Ka një aksiomë të gjithë pranuar botërore që në manualet më normale të kriminalistikës, thuhet që kur ndodh një ngjarje pyetja e parë që bëjnë hetuesit është: kush përfiton? Dhe unë po ua them, mazhoranca i ka votat për të zgjedhur Presidentin e vetme, por nuk ia ka votat për të miratuar reformat. Opozita nuk i ka votat për të zgjedhur Presidentin e vetme, por i ka votat për të bllokuar reformat. Po përfitojnë për të bllokuar reformat”, tha ai.

Kreu i grupit kuvendor demokrat, tha se deri më tani është bërë një punë voluminoze nga dy grupet përkatëse të reformës zgjedhore dhe asaj parlamentare, duke nënvizuar se propozonte që reformat e arritura të miratoheshin dhe më pas të miratoheshin pjesët e mbetura. “Kemi ngecur pas një pune voluminoze dhe përshëndes deputetët e dy grupeve dhe nuk mund të konsiderohet puna e tyre dështim vetëm se 3% e çështjeve nuk janë zgjidhur. Unë po ua bëj sfidën sot dhe të caktojmë një orë dhe të votojmë çështjet e përcaktuara në Komisionin e Reformës Zgjedhore dhe asaj parlamentare. Pastaj, çështjet e mbetura t’i zgjidhim se brenda kohës jemi, por ju nuk i doni sepse iu kanë zënë ethet e zgjedhjes së Presidentit”, shtoi.  /S.Ll/Start/

                                                                                             2012-05-24 10:40
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›