E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: T’i mbyllim nesër reformat, Ruçi: Duam garanci

 Kryeministri Sali Berisha, duke përshëndetur marrjen e kryesimit nga Shqipërisë të Këshillit të Evropës, ftoi opozitën për të nderuar këtë datë.

Ai shtoi se reformat janë tërësisht të realizueshme, nëse opozita do të tërheqë disa prej propozimeve të saj. “Unë jam sot këtu për t’iu ftuar ju që të nderojmë këtë datë dhe nderimet tona. Kemi një thirrje që me datë 24 maj të votojmë në Parlament reformën zgjedhore. Mendoj se reforma është tërësisht dhe lehtësisht e kompeltueshme. Ka ngelur problemi elektronik. Ne e kemi pranuar me bindjen më të thellë se nuk është e sigurt, por nuk na takonte ne ta refuzonim. 4 muaj rresht, përfaqësuesit tuaj, kanë sjellë të gjitha amendamentet për rekomandimet e ODIHR-it”, tha ai. Një çështje e dytë-sipas kryeministrit- është sistemi i numërimit, i cili është vlerësuar se komisionerët i kalojnë shpejtë fletët, duke i kërkuar opozitës që të bëjë propozimin e saj, që të përcaktohet me ligj se sa fletë do të numërohen në minutë.

Për sa i përket zgjedhjes së Presidentit të ri të vendit, Berisha e konsideroi edhe një herë të papranueshme propozimin e opozitës që kandidatura të përzgjidhet nga Avokati i Popullit. “Propozimi i dytë, kërkoni që Avokati i Popullit të propozojë kryetarin e KQZ-së. Ai ka një detyrë dhe erdhi nga selia e Partisë Socialiste dhe e votuam me zemër të hapur dhe detyra e tij është avokat i të drejtave të të gjithë shqiptarëve. Tregoni se do të përdornin kërrabën për të marrë nga vetja. Gjeni një mënyrë tjetër dhe ta miratojmë”, tha ai.

Për sa i çështjes së ankimimit, Berisha tha se propozimi i bërë nga Partia Socialiste që vetëm me propozimin e dy anëtarëve të KQZ-së të hapen kutitë e votimit, synon të krijojë një minorancë bllokuese. “Nëse ka një opozitë që voton kundër vetes ju jeni ju. Ju kërkoni që të keni minorancë bllokuese. Tani kërkoni të ngrini themelet e të gjithë këtij sistemi dypartiak. Bashkërisht kemi rënë dakord për këtë Kolegj Zgjedhor që ka tagrin për të gjykuar të gjitha çështjet zgjedhore. Nuk ka interes më jetik se sa opozita të mbrohet. Nëse kërkoni vendim me dy anëtarë, këtë mund ta bëjë mazhoranca për qëllimet e saj. Me këtë kërkesë e kërcënoni më shumë opozitën. Iu duket se po e përdorni ju, por mund ta përdorë qeveria. Në variantin e fundit keni bërë një hap para”, tha ai.

Duke iu përgjigjur liderit të opozitës, se reformat nuk mbyllen për shkak të çështjes së Presidentit, Berisha tha se ky është fall që hedh opozita.  “Ju hidhni fall por asnjëri prej jush nuk do të bëhet President pasi ju nuk votoni njëri-tjetrin. Së fundmi, rregullorja e Parlamentit. Keni kërkuar që kryetari i opozitës të ketë kohë të njëjtën me kryeministrin. Ne kemi marrë Rregulloren e Parlamentit Evropian. Keni një problem të dytë, kur thoni lideri i opozitës. Po nëse lideri nuk është në Parlament? Do të jetë zëdhënësi? Po të krahasoni zëdhënësin me kryeministrin kjo është e papranueshme. Gjeni një Kushtetutë të vetme të Kontinentit që e ka dhe e dyta do të jetë e Shqipërisë. Të pretendoni të bëhet në Kushtetutë për një person kjo nuk mund të pranohet. Ditën e nesërme të mblidhen komisionet. Por, absolutisht ju nuk doni. Unë ju them se është interesi i vendit që ato reforma që është punuar mbi 4 muaj të vijnë dhe të votohen”, vijoi ai.

Ruçi: Duam garanci për zgjedhjet

Pas kryeministrit, reagoi kreu i grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruçi, i tha Berishën nuk e përmend rikompozimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, i kërkuar nga ODIHR-i. “Çështja është tek dy probleme. Tek shumë pika që është rënë dakord ju keni rënë pishman. Jo pa qëllim lini pa përmendur një problem thelbësor, siç është KQZ-ja. Ju nuk merrni në konsideratë jo një këshillë por një rekomandim të ODIHR-it për KQZ-në. Opozita do garanci për listat e zgjedhjeve, për kartat e identitetit, për administrimin e zgjedhjeve nga KQZ-ja dhe të rikompozuar siç kërkohet nga ODIHR-i. Nuk është e vërtetë që opozita ta prezantojë nga Avokati i Popullit. Opozita ka kërkuar transparencë si garanci për të gjitha ato nene. Së fundi, opozita ka kërkuar problemet e ankimit. Këto janë pesë problemet që ju i neglizhoni. Zgjidhni problemin e ankimit, zgjidhni rikompozimin e KQZ-së, çekimin e kartave të identitetit, dhe ne mund ta votojmë sot pasdite”, theksoi ai.

Për sa i përket ndryshimeve në Rregulloren e Parlamentit, Ruçi u shpreh se opozita kërkon që deputetët e saj të jenë të lirë në Kuvend dhe jo t’i mohohet fjala kryeministrit. “Ne nuk kemi kërkuar që të të heqim ty të drejtat tua kushtetuese. Të flasësh sa herë të duash. Ke folur si kryetar i opozitës sa herë ke dashur dhe kur ke dashur. Ju thoni më gjeni një parlament të botës që iu mohohet e drejta e opozitës. Ju shqetësoheni se kush do t’iu jap përgjigje. Fjala e lirë e deputetëve mungon, mungon kontrolli parlamentar, ka shtrembërime të rregullores nga kryetarja e Kuvendit. Problem themelor mbetet çështja e zgjedhjes së drejtuesve të institucioneve kushtetuese. Si dhe fshehtësia e votës”, vijoi.

Për sa i përket çështja e Presidentit, kreu i grupit kuvendor socialist, tha se ndërkombëtarët e kanë thënë qartë dhe prerë: çështja e Presidentit duhet të zgjidhet sipas frymës që ka Kushtetuta. “Është procedurale dhe parlamentare që të zbatohen rigorozisht, por mbi të gjitha është politike dhe morale. Prandaj ne kemi kërkuar një proces konsensual. Sot ishte kufiri i fundit me Kushtetutë dhe procedurë parlamentare dhe nuk i kemi paraprirë me një proces politik. Ju vazhdoni t’i qëndroni se Presidenti i ri do të jetë nga radhët e partisë suaj. Ja pse kryetari u bëri thirrje për takime. Sot e kësaj dite, procesi nuk ka filluar dhe mos bëni demagogjinë e radhës dhe as diversionit e deputetëve të opozitës. Ne kemi deklaruar se duam të zgjedhim presidentin e vendit dhe as të Partisë Demokratike dhe as të Partisë Socialiste”, vijoi.

Berisha: Rilindja e bllokmenëve

Më pas, Berisha sulmoi Partinë Socialiste dhe programin e saj, duke nënvizuar se në të vërtetë, në këtë parti po bëhet rilindja e bllokmenëve. “Në fjalën time i bëra një ftesë opozitës, ndonëse e vërteta është që jam skeptik sepse nuk më bën skeptik asgjë tjetër përveç asaj që kryetari i opozitës dhe lejtnant e tij po e përdorin çdo ditë me programin Rilindja. Kemi të bëjmë me rilindjen e bllokut, e vetmja rilindje e ndodhur në këto pesë vitet e fundit. Për sa i përket zgjedhjes së Presidentit. Sipas Kushtetutës, sot është hapur gara”, tha ai.

“Unë jam për një proces të negociueshëm dhe kushtetues. Unë nuk eci me klishenë e armikut dhe demonit. Unë nuk eci në parime klasiste. Kam deklaruar dhe e deklaroj se në bindjen time se në Partinë Demokratike ka personalitete të shquara të këtij vendi. Sigurisht që vendi është i pari. Doni të propozoni një President nga Partia Socialiste, atë propozojeni ju. Sot kryesia më mandaton jo për shou, por për negociata politike”, vijoi. /S.Lleshi/Start/

                                                                                             2012-05-24 12:09
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›