“Reformat po përmirësojnë klimën e biznesit në Shqipëri”
Sipas Alexander Baten, President i Dhomave Ekonomike te Gjermanisë
TIRANE - President i Dhomave Ekonomike te Gjermanisë, Alexander Baten, thekson se “Shqipëria ka përmirësuar dukshëm klimën për biznesin dhe është e gatshme të ndërmarrë reforma për konsolidimin e SME-ve”.
“Për sa i përket çështjes së biznesit, kemi parë disa përmirësime”, tha Baten, ndërsa shtoi se “të gjithë e dimë se duhet më pak kohë për të filluar një biznes tani dhe reformat legjislative po përmirësojnë klimën e biznesit në Shqipëri”.
Ai u shpreh optimist për hartimin e ligjit të ri për zhvillimin e zejtarisë në Shqipëri, të cilin e vlerësoi si një sektor potencial për ekonominë shqiptare.
Lidhur me investimet në të ardhmen në Shqipëri, Alexander Baten theksoi interesin gjithnjë në rritje të sipërmarrjes gjermane për të investuar në Shqipëri, “që tregon më së miri dhe panairi i parë i biznesit gjerman, i cili është hapur prej ditës së djeshme në Tiranë”.
Sipas tij, ky eveniment i biznesit, do ti shërbejë njohjes dhe bashkëpunimeve direkte midis sipërmarrjes shqiptare dhe asaj gjermane në disa sektorë të ekonomisë.