E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjatë viteve 2005-2009, Ministria e Drejtësisë ka kërkuar procedim disiplinor për 33 gjyqtarë

Dje, kërkesë për procedim disiplinor edhe për tre gjyqtarë të Gjykatës së Rrethit gjyqësor Elbasan

TIRANE - Ministri i Drejtësisë Enkelejd Alibeaj i ka dërguar Këshillit të Lartë të Drejtësisë kërkesën për procedimin disiplinor ndaj tre gjyqtarëve të Gjykatës së Rrethit gjyqësor Elbasan, Bujar Musta, Pajtime Fetahu dhe Zihni Shahu, duke kërkuar shkarkimin e tyre nga detyra. Këta tre gjyqtarë i bashkëngjiten listës së 10 gjyqtarëve për të cilët Ministri ka kërkuar procedim disiplinor gjatë periudhës 2008-2009.
Informacionin e ka bërë të ditur dje, Migena Demirxhi, zëdhënësja e Ministrisë së Drejtësisë.
Gjatë vitit  2005 -2009 më urdhër të Ministrit të Drejtësisë, Drejtoria e Inspektimit të Gjyqësorit ka kryer gjithsej 33 procese inspektimi, në Gjykatat e Shkallës së Parë dhe ato të Apelit.  Nga këto, 28 inspektime janë kryer  në periudhën nëntor 2007 - prill 2009 nga të cilat 8 kanë pasur si objekt inspektimin e veprimtarisë së administratës gjyqësore, 20 inspektime në gjyqësor tematike ose  të përgjithshme, duke respektuar kalendarin e veprimtarisë inspektuese të miratuar në fillim të çdo viti.
Në përfundim të kësaj veprimtarie, Ministri i Drejtësisë, për inspektimet të kryera në periudhën e sipërpërmendur (2007-2009) ka dërguar kërkesat për procedimin disiplinor për 13 gjyqtarë  nga të cilët ; 5 të Gjykatës të Apelit Vlorë, 3 të Gjykatës Ushtarake të Apelit; një të gjykatës së Rrethit Gjyqësor Mat; dhe së fundmi (dërguar gjatë këtij muaji) për  tre gjyqtarë të  Gjykatës së rrethit Gjyqësor Elbasan dhe një të Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë.
Për 12 (dymbëdhjetë) gjyqtarë, në vlerësim të gjetjeve të rezultuara nga inspektimi apo materialet e përcjella nga Inspektorati i Këshillit të Lartë të Drejtësisë është propozuar masa e shkarkimit nga detyra dhe  për një prej tyre masa e transferimit në një gjykatë tjetër jashtë rrethit gjyqësor.
Ndërkohë janë në proces përpunimi nga Drejtoria e Inspektimit Gjyqësor, materialet që kanë rezultuar nga kontrollet e ushtruara në disa Gjykata të shkallës së parë dhe të Apelit.
Inspektimet e bëra gjatë vitin 2008-2009 me objekt kontrollin e administratës gjyqësore kanë përfunduar me shkarkimin e kancelarëve në gjykatat e rretheve gjyqësor Korçë, Kurbin, Lezhë, Lushnjë.  
Propozimet e Ministrit të Drejtësisë për procedimin disiplinor të gjyqtarëve janë bërë në zbatim te procedurave dhe detyrimeve të kuadrit të reformuar ligjor që është tashmë në fuqi siç është   ligji “Për Organizimin e Pushtetit Gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”, miratuar në datën 18.02.2008  dhe  në përmbushje të objektivit të qeverisë për t’i shpallur luftë korrupsionit dhe garantimin dhe mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve prej sistemit gjyqësor.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›