E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reformat që na mungojnë

Me nisjen e sesionit të ri parlamentar, dy partitë e mëdha kanë ndryshuar retorikën dhe sjelljen politike. Vendin e akuzave reciproke për lidhjet me mafian, grupet kriminale apo veprime antiintegrim e antishqiptare e kanë zënë premtimet për bashkëpunim, për dialog konstruktiv, për reforma integruese. Liderët politikë që deri dje etiketonin njëri-tjetrin si e keqja dhe rreziku i Shqipërisë, si edhe në të kaluarën, sot kanë gjetur partneritet dhe i kanë shtrirë dorën njëri-tjetrit për bashkëpunim. Shumëkush e sheh këtë ndryshim kursi politik si një zhvillim pozitiv. Dhe kanë të drejtë. Të gjithë zërat e arsyeshëm institucionalë, civilë dhe liberalë kanë kohë që kanë kërkuar zëvendësim të politikës opozitare së rrugës apo asaj qeveritare të forcës me politikën institucionale, bazuar në dialog e bashkëpunim për të gjitha çështjet e mëdha që lidhen me sfidat integruese të Shqipërisë.
Sesioni i “mjaltit” midis palëve politike u shkon përshtat edhe vetë interesave specifike të dy palëve. Së pari për vetë gjendjen brenda partive. Demokratët vijojnë në qeveri të pakërcënuar nga protestat opozitare dhe përmes ofertës së bashkëpunimit tërheqin vëmendjen nga problemet e mëdha zgjedhore dhe qeverisëse. Socialistët kanë nevojë për retushimin e imazhit të tyre publik dhe sidomos ndërkombëtar, ndërkohë që janë në proces zgjedhor brenda vetë strukturës së tyre. Së dyti për shkak të kushteve të imponuara nga zhvillimet politike dhe presioni publik. Asnjëra palë nuk dëshiron të marrë përgjegjësinë për ndonjë raport të mundshëm kritik e refuzues nga BE në muajin tetor, asnjëra nuk do të jetë e vetme përgjegjëse nëse parlamenti nuk funksionon, nëse 12 kriteret e BE nuk shqyrtohen dhe realizohen dhe nëse publiku rrit nivelin e mosbesimit te palët politike. PD e PS së bashku më 2009 morën 1.2 milionë vota, por dy vjet më vonë, më 2011 ato siguruan vetëm 60% të tyre, rreth 700 mijë vota. Sa herë që ato kanë rënie të kuotave politike është ndjekur strategjia e ndryshimit të kursit politik, gjithnjë me premtimin për reforma të thella e gjithëpërfshirëse.
Pavarësisht nga argumentet reale, le të marrim të mirëqenë se ka ndodhur një mrekulli: liderit janë bërë të përgjegjshëm, partitë janë bërë reflaktare dhe kështu vendi po shkon në rrugën e duhur të reformave konsensuale e integruese. Gjithsesi, edhe këtu lindin pikëpyetje. P.sh, çfarë nënkuptojnë palët kur flasin për reforma, çfarë nënkuptojnë ato kur deklarojnë votën ndaj çdo propozimi të palës tjetër, çfarë nënkuptojnë me kritere integruese në BE dhe sa do të jetë jetëgjatësia flirtit të radhës. Herën e fundit kur ato ishin së bashku e ndryshuan kushtetutën dhe sistemin politik pa marrë në konsideratë asnjë prej institucioneve të tjera dhe as vetë të drejtën qytetare për referendum. Tani janë penduar, por njëherësh i adresojnë njëra tjetrës oferta për miratim pakushte të çdo propozimi kushtetues e ligjor që lidhet me fusha specifike, si p.sh, me zgjedhjet. Më shumë se pendim duket se këtë herë kemi të bëjmë me ndryshim taktike dhe sjellje. Reformë nuk do të thotë të bashkosh votat PD-PS kundër ose në kurriz të institucioneve kushtetuese, partive të vogla politike dhe të opinionit publik, por të bësh të kundërtën: - të përkthesh në ligje kushtetuese e masa konkrete aspiratat dhe nevojat themelore që kanë qytetarët dhe vendi.
Një reformë serioze do të ishte nëse palët paraprakisht bien dakord për tu kthyer qytetarëve të drejtën e zgjedhjes direkte ose nominale të presidentit dhe të deputetëve, nëse do të miratohej gjykata administrative dhe reforma e premtuar në gjyqësor, nëse palët do të hiqnin ligjërisht imunitetin kushtetues, nëse ato do të hiqnin dorë nga administrimi politik dhe financimi jotransparent i zgjedhjeve apo nëse liberalizohej praktika kushtetuese e referendumeve lokale e kombëtare. Reforma për qytetarët dhe shtetin janë ato që zgjerojnë demokracinë dhe nuk e ngushtojnë atë; krijojnë një sistem qeverisës të së drejtës jo abuzues e prepotent ndaj të drejtave; zgjidhin përfundimisht çështjet e pronësisë, legalizimeve, etj dhe jo që dhurojnë toka konsensuale për bizneset e oborrit; sigurojnë kushte optimale konkurrence dhe jo pazare e ndarje monopolesh sipas orekseve të radhës. Reformë dmth distancim zyrtar dhe standarde të njëjta gjykimi antikorrupsion për çdo zyrtar, përfshirë edhe anëtarë të oborreve përkatëse politike, parlamentare dhe familjare. Reformë do të thotë vullnet për zgjerimin e bazës së vendimmarrjes, përfshirja në to e vetë institucioneve dhe aktorëve politike e institucionale që janë objekt “reforme” dhe vetë përfshirja në axhendën konsensuale të kërkesave të vetë këtyre institucioneve, edhe kur ato nuk janë të njëjta me interesat e partive respektive.
A janë të gatshme palët ta bëjnë këtë? A kanë vullnet real apo kemi të bëjnë me dialog për dialog, një makiazh të radhës mbi axhendën e vjetër personale? Edhe më optimisti përsëri mbetet pesimist. Kjo, sepse e njohim të kaluarën e flirteve të tilla, e dimë pse palët kanë ndryshuar kursin politik, i njohim liderit dhe raportet e tyre personale me pushtetin, siç e dimë se vetë këto parti politike kanë probleme thelbësore demokracie dhe funksionimi brenda vetë familjes së tyre politike. Reformat e mëdha bazohen në kurajë, moral, lidershipi dhe vizion, cilësi të huaja për elitën politike që ka prodhuar një tranzicion parademokratik konfliktual dhe kontroversal.
Palët ende nuk kanë bërë publike asnjë draft reformash, nuk kanë premtuar se do ta përfshijnë publikun në debatet rreth reformave, nuk kanë shfaqur ndjesi për transparencë vendimmarrje dhe as vullnet për të lëshuar diçka nga pushteti i tyre në emër të kompromiseve. Ata nuk kanë paraqitur ndonjë pakt për respekt e forcim të institucioneve të pavarura e kushtetuese, madje vijojnë të jenë kontraversale: flasin për dialog e kurs të ri politik ndërkohë që vijojnë sulmet nominale e institucionale kundër institucioneve më të larta kushtetuese dhe zërave kritikë në media e publik. Vetë lehtësia me të cilën palët politike marrin vendime diatrimentalisht të kundërta por me pasoja direkte për qytetarët dhe vendin, ashtu si edhe lehtësia me të cilat ata i kalojnë përgjegjësitë e tyre personale në dështime e skandale, janë një investim negativ dhe një bazë e fortë për të dyshuar nëse kursi i ri dypartiak nënkupton “reformë” apo “kapërcim lumi” të radhës.
Publikimet e “Wikileaks”, pavarësisht nga baza ligjore e tyre, na ofruan një pasqyrë reale dhe dramatike të sëmundjeve të elitës politike, liderëve dhe stafeve të tyre. Aty flitej për gjithçka: abuzime e korrupsion, shkelje kushtetute dhe ligji, pazare dhe pakte të fshehta politike, vjedhje vote dhe pushteti, mentalitete komuniste dhe qëndrime antidemokratike. Nuk ka nevojë të debatojmë nëse ato duhen trajtuar ligjërisht sepse asnjë ligj, asnjë vendim “për procedurë” nuk mund të pastrojë politikën nga akuzat dhe faktet e provuara në media, në publik dhe tashmë edhe në komunikimet diplomatike. Ne kemi nevojë që tej procedurave teknike të apelojmë për moral politik, për politikanë që skuqen nga turpi kur me vendimet apo sjelljet e tyre turpërojnë vendin e kombin, të dinë kur është koha për të thënë “mjaft” me të njëjtat fytyra e fjalë, premtime e sjellje parademokratike. Shqipëria ka nevojë për zëvendësimin e “partitokracisë” me demokracinë konkurruese, siç ka nevojë për fitimin e kohës së humbur, me reforma të thella e reale që synojnë forcimin e lirive qytetare dhe institucioneve kushtetuese, që prodhojnë stabilitet e demokraci funksionale me institucione të forta në vend të modelit të parademokracisë me liderë të fortë. Ky është testi real për vendimmarrësit, retorikën dhe premtimet për reformë e reforma dhe për të pasur përgjigje kemi vetëm tre muaj kohë.

* Mendimet e shprehura nga autori janë personale.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›