E Diel, 1 Nëntor 2026

Rritet punesimi ne vend ne 8 muaj punesohen 12 mije persona

Tregu i punës në vendin tonë po njeh zhvillime pozitive. Vetëm tetë muajt e parë të vitit 2011 rezultojnë të punësuar 12 mijë persona më shumë krahasuar me fundin e vitit të shkuar duke e çuar nivelin e të punësuarve në vend për tremujorin e dytë të këtij viti në 929 mijë e 513 persona dhe atë të papunësisë në 13.26 %.

Shifër kjo që sipas vlerësimit të Shërbimit Kombëtar të Punësimit ka rënë me 0.26% vetëm për periudhën janar – gusht 2011 aq sa 12 muajt e vitit 2010.
Trendi pozitiv në të cilën po ecën punësimi gjatë gjithë kësaj periudhe në këndvështrimin e ekspertëve vjen si pasojë e ndërmarrjes së politikave lehtësuese për hapjen e bizneseve private qofshin këto sipërmarrje vendase apo të huaja.

Shërbimi Kombëtar i Punësimit vlerëson se kjo rritje e punësimit është shënuar kryeshisht në ndërmarrjet e mesme dhe të mëdha që zhvillojnë aktivitetin e tyre në ndërtim, telekomunikacion, hoteleri turizëm, shërbime, të vendosura në pjesën më të madhe në qytetet kryesore apo zonat bregdetare.

Në kushtet kur sipas të dhënave të Qendrës Kombëtare të Regjistrimit 4% e shqiptarëve zotërojnë një biznes, vendosja e kasave fiskale ka nxitur vetëdeklarimin e të vetëpunësuarve gjë që ka bërë të ketë një rritje të këtij numri në të gjithë rajonet e vendit.

Njëkohësisht situata pozitive në punësim gjatë vitit 2011 është pasqyruar edhe në ofertat e mbërritura në Zyrën e Punësimit, ku vetëm tetë muajt e fundit janë shpallur 11.200 të tilla 35% e të cilave janë për vend të reja pune dhe pjesa tjetër për zëvendësime.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›