E Diel, 1 Nëntor 2026

Prezantohet drejtori i ri i Përgjithshëm i Policisë

Në ceremoninë e organizuar në këtë rast, Basha vlerësoi punën e drejtorit në ikje, Ahmet Prençi, në rezultatet që Policia e Shtetit ka arritur në luftën kundër krimit dhe uroi drejtorin e ri të Policisë për detyrën e re.

"Gjatë drejtimit të z.Prençi, policia iu nënshtrua reformave të rëndësishme, veçanërisht pas korrikut 2007, kur hyri në fuqi ligji i ri për Policinë e Shtetit", tha Basha. Ai vlerësoi rezultatet që Policia e Shtetit, e drejtuar nga Prençi, ka arritur në më shumë se dy vjet në luftën kundër krimit, si dhe bashkëpunimin e saj me partnerët ndërkombëtarë.

"Gjatë kësaj periudhe Policia e Shtetit shënoi rezultate të kënaqëshme në luftën kundër krimit, ndërtoi dhe forcoi marrëdhëniet me partnerët ndërkombëtarë dhe u bë një nga faktorët e rëndësishëm për pranimin e Shqipërisë në NATO, si dhe i parapriu detyrimeve për liberalizimin e vizave me vendet e BE-së, për të cilën të gjithë shpresojmë të realizohet së shpejti", tha Basha.

Drejtori i ri i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, në respekt të veprës të të gjithë brezave të policisë shqiptare, u betua se do të mbante me nder flamurin e Policisë Shqiptare, në mbrojtje të rendit dhe sigurisë publike. Hysni Burgaj, i emëruar dje si drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, me vendim të Këshillit të Ministrave, ka lindur në qytetin e Shkodrës në vitin 1960 dhe ka përfunduar studimet në shkollën e Ministrisë së Brendshme në vitet 1981-1984. Në vitin 2007, Burgaj përfundoi kursin për Drejtues i Lartë në Polici (Master në Polici).

 Ai ka kryer një sërë trajnimesh dhe specializimesh nga organizma që asistojnë policinë shqiptare, si MAPE, PAMECA, ICITAP në Shqipëri dhe në vende të ndryshme të Europës dhe në SHBA. Prej mëse një viti Hysni Burgaj është emëruar në detyrën e zv/Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit për Shërbimet Mbështetëse.

                                                                                             

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›