E Shtunë, 31 Tetor 2026

Refuzimi i Kosovës jep sinjalet e para të një krize me BE

Nga Tim Judah* , Balkan Insight

Refuzimi për të pranuar marrëveshjen për shtrirjen e Misionit për Policinë dhe Drejtësinë të BE, shënon dhe përplasjen e parë serioze të Prishtinës me aleatët evropianë

Kosova po rrëshqet drejt një krizë të marrëdhënieve të saj me Bashkimin Evropian. Kriza u shfaq, pasi qeveria e Kosovës, e drejtuar nga kryeministri Hashim Thaçi, hodhi poshtë një marrëveshje mes BE, OKB dhe Serbisë, e cila do të hapte rrugën për shtrirjen e plotë të EULEX, Misionit të BE për Policinë dhe Drejtësinë.

Deri javën e fundit, problemi kryesor që bllokonte shtrirjen e EULEX kishte të bënte me rezistencën e serbëve në zonën e kontrolluar nga serbët në veri të Kosovës.

Tani, megjithatë, një plan prej gjashtë pikash mes BE, OKB dhe Serbisë është pranuar. Kjo parashikon që disa nga të ardhurat e dy pikave doganore në veri të Kosovës do të qëndrojnë në veri, ndërsa në zonat serbe, policia lokale do të mbetet “nën zinxhirin komandues ekzistues”.

Kjo do të thotë se qeveria e Kosovës nuk do të jetë tërësisht sovrane mbi territorin e Kosovës, dhe kështu marrëveshja përmban një njohje de facto të situatës në terren.

Ky është një realitet i hidhur, që ka sjellë dhe refuzimin e kosovarëve, plus faktin se qeveria e zotit Thaçi është nën presion nga partitë e opozitës, që e shohin këtë si një lëvizje të serbëve për të konsoliduar pushtetin në zonat de facto nën autoritetin e tyre.

Lidershipi kosovar thotë se plani prej gjashtë pikash dhunon sovranitetin e Kosovës, integritetin territorial dhe Kushtetutën e saj.

Sipas një burimi në Bruksel, zyrtarët që merren me Kosovën, janë të irrituar.

“Është e pandershme nga kosovarët që të pretendojnë tani se nuk e dinin se çfarë po ndodhte”, - tha burimi, një zyrtar i lartë i Brukselit. “Në çdo fazë të negociatave, Prishtina është mbajtur plotësisht e informuar dhe tashmë është në interesin e saj që të lejojë EULEX të shtrihet në të gjithë vendin”.

Ndërkohë, një burim i rangut të lartë serb tha: “Ne nuk jemi gati të ndryshojmë marrëveshjen në asnjë mënyrë, - duke shtuar se, - përpjekjet për të bërë një gjë të tillë “mund të kenë pasoja të rënda”.

Duke pasuar muaj të tërë negociatash, një marrëveshje u arrit mes BE, OKB dhe autoriteteve serbe më 7 nëntor për të lejuar shtrirjen e policëve dhe gjykatësve të BE në të gjithë Kosovën. Kjo do të mbështetej dhe në Këshillin e Sigurimit më 11 nëntor. Por kundërshtimet e qeverisë së Kosovës bënë që të shtyhet ky sesion.

I pyetur se kur misioni do të shtrihet në të gjithë Kosovën, i njëjti burim nga Brukseli tha: “Nuk e di”. Megjithatë, nëse misioni do të dështonte për t’u shtrirë për shkak të kundërshtive nga ana e qeverisë së Kosovës, kjo do të çonte në një përkeqësim madhor të marrëdhënieve me Kosovën, e cila shpalli pavarësinë më 17 shkurt, një akt i kundërshtuar ashpër nga qeveria serbe.

Të gjithë 27 anëtarët e BE kanë mbështetur EULEX, edhe pse pesë nga këto vende nuk e kanë njohur Kosovën shtet.

EULEX do të jetë një mision nën flamurin e BE, me rreth 1.900 policë, gjykatës dhe staf tjetër. Shumica do të jenë nga vendet e BE, megjithatë, të përfshirë do të jenë dhe amerikanë dhe nga vende të tjera.

Deri më tani misioni ka hasur në probleme politike dhe logjistike. Ndërsa SHBA e ka mbështetur marrëveshjen në publik, në mënyrë private, burimet thonë se mbështetja amerikane për homologët evropianë nuk ka qenë entuziaste.

Pas refuzimit të Kosovës për marrëveshjen, diplomatët kanë nisur një seri aktivitetesh për të kaluar këtë situatë impasi. Sipas një burimi diplomatik evropian, negociatat janë duke u zhvilluar për të bërë që qeveria e Prishtinës të pranojë marrëveshjen pas një shkëmbimi të mundshëm letrash me Havier Solanën, autoriteti i lartë i politikave të Jashtme të BE.

Ideja nuk është se plani prej gjashtë pikash, që mbulon policimin, doganat, transportin dhe infrastrukturën, kufijtë dhe vendet e shenjat, do të ndryshohet, por letra ose deklarata e Solanës do të sigurojë Kosovën se, ndërsa EULEX do të operojë në mënyra të ndryshme në pjesë të ndryshme të Kosovës, kjo nuk do të ngrejë çështjen e integritetit territorial.

Problemi, sipas një burimi diplomatik, është se, që kur Serbia ka pranuar planin prej gjashtë pikash, diplomatët evropianë nuk do ta tolerojnë shumë Prishtinën, duke u trembur se mos Beogradi e refuzon marrëveshjen.

“Tani është çështja e veshjes së pemës së Krishtlindjeve, - thotë një burim diplomatik, - por, ta veshim në atë mënyrë që të sigurohemi që të mos rrëzohet.”

Një burim i lartë serb tha se një shkëmbim letrash mes Solanës dhe autoriteteve kosovare do të vinte në rrezik marrëveshjen e Serbisë për të pranuar planin. “Kjo do zhyste gjithçka në kaos”, - thotë ai.

Por, një burim i afërt me qeverinë e Kosovës, përsëriti se ata “nuk do të pranojnë asgjë që vë në rrezik Kosovën e bashkuar në terma policorë, të drejtësisë apo doganorë”.

Lulzim Peçi, drejtues i KIPRED, një think-tank i njohur kosovar, thotë se Bashkimi Evropian ka tendencë për t’i marrë kosovarët si të aprovueshëm dhe për pasojë “ne do të hyjmë në krizë”. Të tjerë nuk janë dhe aq të sigurt për këtë. Një burim i lartë në qeverinë e Kosovës tha se Kosova mund të heqë dorë nga kundërshtimet për planin javën që vjen.

* Tim Judah është një komentator kryesor për çështjet e Ballkanit, autor i librit “Kosova, çfarë duhet të dijë secili”, publikuar nga Oxford University Press. Balkan Insight është një publikim online i BIRN

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›