PS, sërish heshtje, Braçe: Politikisht e gabuar, por moment i vështirë njerëzor
Nënkryetari i grupit parlamentar socialist, Erion Braçe, komentoi shkurt grevën e urisë të 11 deputetëve në sallën e Kuvendit, duke e ndarë në dy pjesë qëndrimin e tij. Nga ana njerëzore, Braçe shprehet se është një moment i vështirë, ndërsa politikisht, sipas tij, greva është një gabim. “Nga pikëpamja humane më lejoni të them që është një moment i vështirë. Politikisht unë e gjykoj gabim”, - tha Braçe. Deklarata e Braçes është i vetmi qëndrim që vjen nga socialistët për grevën e LSI.
Ndërkohë, dy ditë më parë, deputetët socialistë, Pandeli Majko, Bashkim Fino, Besnik Dervishi e Elmaz Sherifi, braktisën mbledhjen e Komisionit të Ligjeve në shenjë mbështetjeje ndaj 11 deputetëve të grevës së urisë. Ilir Rusmali, deputet i PD dhe drejtues i këtij komisioni, ka tentuar të paraqesë në komision një ligj, për të cilin ishte relator deputeti Spartak Braho i LSI, i cili ndodhej në grevë urie. Deputetët e PS kanë kërkuar që ky ligj të shtyhej, derisa Braho të ishte i pranishëm në komision. Rusmali është shprehur se kishte kontaktuar me Brahon dhe se i kishte dhënë lejen që të paraqiste ligjin në Komisionin e Ligjeve, por kjo është refuzuar nga deputetët socialistë. I pari ka reaguar deputeti Pandeli Majko, i cili është shprehur se duhet të pritej momenti që të kthehej Braho për të paraqitur ligjin dhe ka shtuar se zgjedhja e 11 deputetëve duhej respektuar, duke lënë kështu të kuptohej se solidarizohet me grevën e urisë.
“Na pëlqen apo nuk na pëlqen, juve dhe neve, duhet te kemi respekt për zgjedhjen e tyre”, - mësohet të jetë shprehur Majko në Komisionin e Ligjeve.