Berisha hesht për grevën, flet sërish për sigurimin e dadove
Kryeministri, Sali Berisha, duket se ka zgjedhur të bëjë indiferentin ndaj grevës së urisë së deputetëve, ndërsa ia ka lënë topin në fushë të majtës. Për kryeministrin shqetësim primar për javë të tëra vazhdon të jetë sigurimi i dadove. “Vendimi për sigurimet shoqërore të punëtorëve në familje u diskutua përsëri dhe u vendos që kjo kategori do të trajtohet si punëtorë me kohë të pjesshme. Kërkoj për këtë një mirëkuptim të plotë dhe total. Ky vendim nuk ka në mënyrë kategorike qëllimin e përfitimit të arkës së këtij shteti, por ka si qëllim vendosjen e dinjitetit njerëzor, të trajtimit human që meritojnë këta njerëz. Punëdhënësi do të paguajë gjithsej rreth 80 dollarë në vit, gjë e cila nuk rëndon buxhetin e tij, por legjitimon dhe krijon një mundësi pensioni për këtë kategori punonjësish. Në tërësi këto janë gra dhe vajza, të cilat e bëjnë këtë punë për të përballuar jetën e tyre të përditshme”, - tha Berisha në mbledhje qeverie dje. “Unë shpresoj që të gjithë kryefamiljarët, të cilët asistohen nga këta punëtorë, t’i regjistrojnë ata, sepse është një çështje prestigji, dinjiteti dhe raporti njerëzor. Kemi zgjedhur formën më minimale të detyrimit. I kemi konsideruar ata punonjës me kohë të pjesshme. Kemi vendosur vetëm sigurimin shoqëror dhe asgjë tjetër ndaj tyre dhe unë shpresoj që të ketë një mirëkuptim, në mënyrë që borgjezia e re të mos harrojë se karakteri social dhe fryma sociale duhet të jetë një nga tiparet më të rëndësishme të moralit të saj”, - vijoi më tej kryeministri.