Mustafaj: Kodi të marrë besimin e të gjithëve
Deputeti demokrat Besnik Mustafaj, kandidat për drejtimin e degës së PD, Tiranë tha dje se është e nevojshme që ligji i ri zgjedhor të marrë besimin e të gjithëve.
“Jam lidhur me telefon me disa nga kolegët e ngujuar për t’u interesuar njerëzisht mbi gjendjen e tyre shëndetësore. Uroj që shëndeti i tyre ta përballojë sakrificën që kanë marrë përsipër.
Ashtu si shumica e deputetëve, as unë nuk jam njohur ende me projektin e Kodit të ri Elektoral dhe nuk jam në gjendje të gjykoj deri në ç’masë është e përligjur protesta e tyre ekstreme. Por, unë gjykoj se demokracia jonë duhet të provojë në këtë rast se ka fituar tashmë një pjekuri të mjaftueshme për të fshirë nga realiteti ynë politik dhe institucional arsyet thelbësore për një protestë të tillë radikale. Protestat radikale e tensionojnë doemos klimën politike të vendit, duke krijuar kështu një atmosferë që nuk favorizon kryerjen e reformave të mëdha që kemi përpara deri në përfundim të mandatit”, - tha Mustafaj.
Duke folur për administrimin e votave, Mustafaj tha se, edhe pse është një procedurë teknike, ajo mund të sjellë probleme, pasi sjell kontestimin e rezultateve. “Administrimi i votave është një procedurë teknike në procesin elektoral. Por, kjo procedurë teknike mund të prodhojë efekte shumë të dëmshme politike, pasi rrezikon të çojë në kontestimin e rezultatit nga njëri apo tjetri prej konkurruesve në votime e, rrjedhimisht, ul legjitimitetin e fituesit, duke cenuar kështu plotësimin e njërit nga standardet themelore të nevojshme për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian”, - tha Mustafaj.
Ai iu ka bërë thirrje të dy palëve që të shikojnë nga e shkuara, e mbushur me abuzime zgjedhjesh dhe të marrin vendimin e duhur sa kohë që Kodi është në proces, për të rritur besueshmërinë e këtij procesi jetik për Shqipërinë. “Projekti i Kodit të ri Elektoral është ende në Komisionin e posaçëm parlamentar, të ngritur për hartimin e tij. Unë i bëj thirrje këtij komisioni të veprojë me gjithë përgjegjësinë për të na dhënë një ligj që të gëzojë besimin e të gjithë pjesëmarrësve në zgjedhjet e ardhshme. Një ligj i paragjykuar do të sjellë pashmangshmërisht votime të paragjykuara. Dhe ne kemi boll eksperiencë të hidhur nga votimet e paragjykuara. Kjo histori duhet të marrë fund.
Ne anëtarët e Partisë Demokratike jemi dëshmitarë të manipulimit të votave tona disa herë, nëpërmjet numërimit të tyre, qoftë edhe në zgjedhjet lokale, qoftë edhe ato të përgjithshme gjatë periudhës 1997-2005. Kjo histori e keqe, që kemi pësuar ne, më jep besim mua se përfaqësuesit e PD në Komisionin parlamentar për Reformën Elektorale do të kenë ndjeshmërinë e nevojshme për të prodhuar një ligj të drejtë për të gjithë dhe të besueshëm nga të gjithë.
Partia Socialiste ka në historinë e saj shumë njolla të errëta si manipuluese e rezultatit të zgjedhjeve gjatë viteve që ishte në pushtet. Gjykoj se ky është rasti që ajo të shkëputet përfundimisht nga historia e saj e palavdishme. Përfaqësuesit e saj në komisionin në fjalë mund ta kryejnë këtë shërbim ndaj partisë së tyre pikërisht duke kontribuar në hartimin e një ligji të drejtë në krejt përmbajtjen e tij, pa rënë pre e grindjeve dhe inateve që kanë brenda llojit me partitë e tjera të majta.
Ka ende kohë për t’i dalë të keqes përpara”, - tha Mustafaj.