Bilanci politik treditor i grevës së deputetëve
Dy partitë më të mëdha politike në vend po përpiqen të injorojnë kërkesat e 11 deputetëve të ngujuar në grevë urie. Komisioni i Reformës miratoi dje projektin e Kodit Elektoral, ku nuk u reflektua asnjë nga kërkesat e grevistëve, ndërsa në Kuvendin e Shqipërisë u zhvillua një seancë e sikletshme parlamentare, ku 11 deputetët grevistë qëndruan të ngujuar mes pjesës tjetër të deputetëve që silleshin sikur nuk kishte ndodhur asgjë. Por, pavarësisht kësaj, kjo grevë ka ndryshuar diçka në politikën shqiptare dhe ka prodhuar disa produkte politike që do të shërbejnë për mirë në të ardhmen.
Në ditën e saj të tretë greva e urisë së 11 deputetëve ka thelluar ndarjen e tyre mes dy partive të mëdha dhe ka zhdukur identitetin e partive të vogla parlamentare që janë pjesë e koalicioneve. Tashmë në plan të parë në politikën e vendit, kur flitet për parti të vogla, kihen parasysh partitë që janë përfshirë në protestë. Partitë aleate me PD dhe PS nga të dy krahët janë zbehur plotësisht dhe kjo rrezikon të reflektohet dhe në zgjedhjet parlamentare. Kjo ua ka bërë më të lehtë punën PS dhe PD dhe ua ka ulur në njëfarë mënyre pazarin aleatëve të tyre formalë në të dy krahët. Nga një sondazh paraprak që ne bëjmë përmes mesazheve të mbërritura në emision, shihet qartë se njerëzit identifikojnë tani e tutje si identitete politike pikërisht partitë që janë në grevë dhe jo ato që janë në koalicione.
Së dyti, rekomandimet ndërkombëtare për kompromis po shkojnë drejt negocimit për anëtarin e tretë të KQZ, përmes bisedimeve PS-LSI apo PD-PDK. Intervista e sotme e eurodeputetes Doris Pack shkonte në këtë drejtim, por vetëm në formën e këshillës dhe jo ndonjë rekomandimi. Problemi kryesor i deklaratave të ndërkombëtarëve në këtë çështje është se e cilësojnë si një problem teknik të Kodit mënyrën si po kompozohet KQZ dhe jo si një problem politik, ndërkohë që KQZ është i ndërtuar politikisht dhe jo teknikisht. Përpjekja e dy partive kryesore për të injoruar protestën e tyre, ka rritur agresivitetin politik dhe po i fut në rrugë pa kthim raportet mes LSI dhe Partisë Socialiste nga një anë dhe PD dhe PDK nga ana tjetër. Rrugët e kompromisit po ngushtohen përditë e më tepër dhe përfitimi i parë politik i deputeteve grevistë është ekspozimi i tyre si identitete të pavarura politike nga dy partitë e mëdha.
Produkti i tretë që ka prodhuar greva e 11 deputetëve, është shfaqja e qëndrimeve të tjera politike brenda së majtës dhe së djathtës pro apo kundër tyre. Pas deklaratave të presidentit Bamir Topi, të deputetit Besnik Mustafaj, dje kemi patur një deklaratë të deputetit Nikollë Lesi, i cili iu bëri thirrje të majtëve të bashkohen me Ilir Metën, por natyrisht la në hije problemin e Berishës me të djathtën. Lesi doli para protestuesve dhe mbështeti kërkesat e tyre, por tha se problemi qëndron brenda së majtës dhe ajo duhet të bashkohet.
Së fundi, greva po shërben dhe si një test për ndikimin që kanë mbi mediat dhe shoqërinë civile dy partitë më të mëdha politike në vend. Televizionet dhe mediat e shkruara, të cilat janë më afër forcave kryesore në vend, po bëjnë përpjekje për ta spostuar nga headlines grevën e urisë së deputetëve. Por media e shkruar është më korrekte dhe komentatorët kryesorë të shtypit janë në tërësi pro grevës. Shoqëria civile është natyrisht më e dëmtuara në këtë histori. Ajo thuajse nuk ka reaguar fare, ose është marrë më çështje shumë më anësore sesa ky problem. Kanë munguar protestat, madje dhe deklaratat formale për shtyp. Kjo tregon një shkallë të lartë varësie të tyre nga pushteti kryesor politik në vend. Përveç medias dhe shoqërisë civile, dhe shumë njerëz me ndikim që kanë shërbyer për një kohë të gjatë si sekserë mes krahëve të politikës kanë dalë nga skena, pasi iu duhet të marrin pozicion me një palë.
Këto produkte politike të arritura në tri ditë prej kësaj greve natyrisht janë një pasuri politike për Shqipërinë, pasi testojnë ndjeshëm standardet e një shoqërie demokratike, dhe na bën të jemi me këmbë në tokë, kur flasim në emër të qytetarëve, por dhe kur qytetarët kërkojnë prej politikës standarde, për të cilat vetë refuzojnë të luftojnë.