Refuzimi i hetimeve, serbët sulm Berishës e Ina Ramës
TIRANË- Kthimi me mision të papërmbushur në Serbi i prokurorit të Krimeve të Luftës, Vladimir Vukçeviç duket se ka shkaktuar një tjetër tension mes dy vendeve, tension që pritet të pasohet me ndërhyrjen e ndërkombëtarëve. Pas refuzimit të kërkesës për hetime në fshatin Rripë të Burrelit, Serbia ka kërkuar dje ndihmën e Këshillit të Evropës për të bindur Shqipërinë të lejojë hetimet, ndërsa në bisedime janë përfshirë edhe ambasadat e SHBA-venë Tiranë dhe Beograd. Sipas burimeve nga Prokuroria e Përgjithshme, takimi i prokurorit serb, Vukçeviç me kryeprokuroren Ina Rama është realizuar me ndërhyrjen e Ambasadës Amerikane, e megjithatë, refuzimi duket se ka irrituar së tepërmi delegacionin serb. Me t’u kthyer në Beograd, Vladimir Vukçeviç është hedhur në një kundërsulm të pazakontë për një prokuror, duke i konsideruar fakte, aludimet e ish-kryeprokurores së Hagës, Karla Del Ponte e duke akuzuar palën shqiptare për fshehjen e krimeve.
Pa kryer asnjë hetim dhe pa pasur në dorë asnjë fakt, prokurori serb Vladimir Vukçeviç ka akuzuar dje kreun e qeverisë shqiptare se ka urdhëruar shërbimet sekrete për të shkatërruar dokumentet për transportimin në Shqipëri të serbëve të Kosovës. Akuza e mësipërme është po aq e pabesueshme sa edhe aludimet e Del Pontes, kur thotë se në fshatin Rripë të Burrelit janë vrarë mbi 300 serbë dhe janë trafikuar organet e tyre, edhe për faktin se Vukçeviç ka shtuar se ky urdhër ka ardhur pas presioneve që i bënte ish-kryeministri kosovar. Në reagimin e tij për mediat serbe, prokurori Vladimir Vukçeviç ka shtuar se Shqipëria duhet të bëjë hetime për këtë çështje, pa përmendur asfare hetimet e kryera e të mbyllura nga Prokuroria shqiptare dhe Gjykata Ndërkombëtare e Hagës në lidhje me këtë çështje.
Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, refuzoi kërkesën e Serbisë për të hetuar pretendimet e ngritura në librin “Gjuetia” të ish-kryeprokurores së Hagës, Karla del Ponte, duke u bazuar në legjislacionin shqiptar. Megjithatë, gjatë takimit me prokurorin serb të Krimeve të Luftës, Ina Rama i ka vënë atij në dispozicion hetimin e kryer në vitin 2005, hetim ky që nuk zbuloi asnjë gjurmë të vrasjeve të 300 serbëve e aq më pak të transplantit të organeve të tyre në një zonë të humbur dhe të pazhvilluar siç është komuna Gurrë e Burrelit. Prokurorja e Përgjithshme bëri prezente rezultatet e një procesi inspektimi dhe verifikimi të përbashkët që kanë zhvilluar hetues të ardhur nga Haga dhe prokurorë të rrethit të Matit, në disa ambiente në zonën e Burrelit. Ku në përfundim të këtij procesi, hetuesit e Hagës së bashku me prokurorët e Matit arritën në konkluzionin se të dhënat që posedonin hetuesit e Hagës për atë që pretendohej se kishte ndodhur në Burrel, nuk rezultuan të vërteta.REAGIMI
Ina Rama: Refuzimi, zbatuam ligjet shqiptare
TIRANË- Prokuroria e Përgjithshme ka reaguar pas akuzave të prokurorit serb Vladimir Vukçeviç mbi refuzimin e kërkesës për hetim në fshatin Rripë të Burrelit. Zëdhënësja e Prokurorisë së Përgjithshme, Holta Zhiti, bëri me dije se ky vendim për refuzim të hetimit nga Prokuroria e Përgjithshme Shqiptare është në përputhje të plotë me të gjitha normat ligjore të shtetit shqiptar. “Refuzimi për hetime serbe nuk ka qenë veprim i nxituar, por një vendim në përputhje me ligjin”,-bëri me dije zëdhënësja e Prokurores së Përgjithshme, Ina Rama. Ky reagim vjen fill pas akuzave të hedhura nga prokurori serb për Krimet e Luftës, Vladimir Vukçeviç, paraditen e djeshme. Duke mos u kënaqur me rezultatet e hetimit të kryer nga prokurorët e Hagës, Vukçeviç ka rikthyer tensionin mes dy vendeve për një çështje të kundërshtuar jo vetëm nga autoritetet shqiptare.
Të zotët e “shtëpisë së verdhë” kërkojnë mbylljen e legjendës së luftës për klinikë organesh
“Gjuetia” e Del Pontes, dyshime dhe kundërshti
TIRANË- Libri “Gjuetia: Kriminelët e Luftës dhe unë” i Karla Del Pontes u vendos në qendër të diskutimeve dhe kundërshtive për aludimet e saj mbi vrasjen e mbi 300 serbëve në një “shtëpi të verdhë” në Rripë të Burrelit. Kjo akuzë, më shumë e ngjashme me legjendat që krijohen në kohë lufte për të diskretituar armikun kanë vënë në diskutim edhe qënien për shumë vite të Del Pontes në krye të Gjykatës së Hagës. Mes shumë kundërshtimesh për mungesën e provave apo pamundësinë e kryerjes së transplantit të organeve në vendin tonë, kundërshtia më e madhe ka ardhur nga banorët e asaj shtëpie të verdhë në Rripë të Burrelit. Abdulla Katuçi, i zoti i kësaj shtëpie ka mohuar vazhdimisht ekzistencën e një klinike të tillë, e pas largimit të prokurorit serb, Vukçeviç, po Abdulla Katuçi ishte qejfmbeturi. Ai do të donte që prokurori serb e madje edhe vetë Del Ponte në shkonin në shtëpinë e tij, të hetonin e t’i jepnin fund këtij tmerri që ai po përjeton prej vitesh. Dyshimet e ngritura për shtëpine e tij, hetimet e kryera nga prokurorë të Hagës e të Matit apo diskutimet e shpeshta mbi atë që mund të ketë ndodhur në Rripë duket se e kanë shqetësuar tej mase kryefamiljarin, i cili u ka shkuar disa herë krerëve të shtetit që t’i japin njëherë e mirë zgjidhje kësaj legjende ‘lufte” që vazhdon të shkaktojë zhurmë dhe tension mes Shqipërisë dhe Serbisë.