Marrëveshja, Pollo kthehet në PD
Firmoset marrëveshja. Garantohen poste në të gjitha nivelet për reformatorët
TIRANË - Për kryeministrin Sali Berisha, epitetet e tij drejtuar Genc Pollos, si “spiun i grekëve” apo “patericë e ish-kryeministrit Fatos Nano”, i përkasin së kaluarës. Madje, kreu i ekzekutivit, nxitoi t’i drejtohej medias, teksa u pyet për këto etiketime, se “gazetarëve u ka mbetur ora në 99-n”. Në fakt etiketimet e kryeministrit Sali Berisha, edhe pse jo aq të hershme sa në këtë vit, prej shumë kohësh kanë vënë përballë njëra- tjetrës dy partitë, PD-në dhe PDR-në. Një histori “divorci” 9-vjeçar që u rizgjidh sërish me një “martesë”, siç preferoi ta cilësonte vetë Berisha teksa dje, firmosi marrëveshjen e dytë me Genc Pollon, kësaj here, jo për të zgjedhur Presidentin konsensual, si në 2002-in, por për shkrirjen mes dy partive. Një marrëveshje krejtësisht formale, që kishte marrë udhë që me emërimin e Pollos në postin e zv.Kryeministrit. Shkrirja, apo siç preferoi ta cilësonte Berisha si bashkimi mes dy partive, do të shtrihet në të gjitha strukturat: që nga degët, organizatat mbështetëse e deri në forumet qendrore drejtuese të saj. Një bashkim që do të korrespondoje me tre vende të sigurta të PDR-së në kryesinë e kësaj partie, 7 vende në Këshillin Kombëtar e duke vijuar me të njëjtën raport edhe në strukturat bazë.
Sigla
PDR nuk do të ekzistojë më si sigël edhe në gjykatë. Ajo nuk do të jetë më nëregjistrin e partive politike, duke fshirë në këtë mënyrë edhe përpjekjen e dështuar të kësaj partie, për të qenë një parti ndryshe nga PD-ja, por edhe për të fituar elektorat. Që prej zgjedhjeve të vitit 2001, ku PDR-ja mori 5.01%, rezultati i kësaj partie në çdo palë zgjedhjesh të mëvonshme, ka pësuar rënie të vazhdueshme. Një fakt ky, që të çon në një argument të pakundërshtueshëm se, edhe me ndryshimin e sistemit zgjedhor, arsyeja kryesore e afrimit të Pollos në këtë parti është thjesht nevoja për ekzistencë në politikë. Megjithatë, zyrtarisht, në marrëveshjen e firmosur nga Pollo dhe Berisha thuhet se, shkrirja mes partive ka si synim fitoren e zgjedhjeve të ardhshme politike të vitit 2009 e në vijim.
Për kritikat
Si Berisha ashtu edhe Pollo u përpoqën ta servirnin shkrirjen si një rrjedhojë logjike e një bashkëpunimi të vazhdueshëm mes dy partive. Kryeministri Berisha deklaroi dje gjatë firmosjes, se bashkimi i këtyre dy forcave politike, ka në bazë kontributet e rëndësishme dhe vizionin e përbashkët. Ndërsa, ish-kryetari i reformatorëve, Genc Pollo, u përpoq dje ta kanalizonte konfliktin me PD-në, thjesht në harkun kohor dyvjeçar (99-2001), duke theksuar se, pas kësaj periudhe, me PD-në ka pasur disa bashkëpunime. “Divergjencat e vitit '99-'01 janë një periudhë e lënë pas. Eshtë një kapitull i mbyllur. Bashkëpunimi i filluar pas 2001-shit, dhe sidomos fazat e tij të bashkëpunimit elektoral të aleancave parazgjedhore në 2005-n, koalicioni politik qeveritar në tre vitet e tij, ka dëshmuar një qëndrueshmëri shumë të fortë, kanë realizuar pikëpamje që gjithmonë kanë qenë të përbashkëta për partitë tona, kanë kryer reforma që, për në opinionin publik dhe në opinionin e komunitetit ndërkombëtar, konsiderohen të suksesshme”, - tha Pollo gjatë firmosjes së marrëveshjes. Procesi i bashkimit në të gjitha nivelet quhet i përfunduar pas zhvillimit të zgjedhjeve të reja në parti, të cilat parashikohet që të kryhen brenda tremujorit të parë të vitit 2009.
Historiku i marrëdhënieve mes Pollos dhe Berishës fillon që me emërimin e tij si këshilltar politik i Presidentit.
Pollo, nga këshilltar i Berishës e deri tek “paterica” e Nanos
TIRANË - Në muajin Prill të vitit 1992, Sali Berisha, nën cilësinë e Presidentit të Republikës, do t’i ofronte Genc Pollos, postin e këshilltarit politik, detyrë të cilën e mbajti për katër vite rresht. Në zgjedhjet e majit të vitit 1996, Pollo do të synonte edhe përpjekjen e tij të parë, për t’u zgjedhur deputet i PD-së, pikërisht në qytetin e vendlindjes, Përmet. Në këtë vit, Pollo u zgjodh anëtar i Komisionit Parlamentar i Punëve të Jashtme, ndërsa një vit më pas, ai zgjidhet sekretar i marrëdhënieve me jashtë, pikërisht nga kryetari i PD-së, Sali Berisha, i cili prej vitesh gëzon të drejtën statutore, që këtë post ta emërojë ai. Pozicioni i tij si sekretar i marrëdhënieve me jashtë, e favorizoi Pollon një një pozicion të kënaqshëm edhe në nivel parlamentar, duke u zgjedhur Kryetar i Komisionit Parlamentar i Punëve të Jashtme. Vetëm pak muaj më vonë, Pollo do të emërohej tanimë nga strukturat e partisë si sekretar i përgjithshëm i PD-së, njeriu i dytë pas Berishës nisur nga hierarkia partiake. Por, në zgjedhjet e qershorit, Genc Pollo nuk mundi që të merrte votat e mjaftueshme për t’u zgjedhur sërish deputet, duke përfituar një post parlamentar nga lista e PD-së. Megjithatë, karriera parlamentare e Pollos erdhi në ngritje, duke u emëruar së fundmi edhe Kryetar i Grupit Parlamentar i PD-së. Pollo njihej edhe si një figure tepër e pëlqyeshme edhe nga ndërkombëtarët, duke bërë që ambicia e tij të shkonte deri në drejtimin e partisë. Konflikti i tij me Berishën u shfaq pikërisht në Kuvendin e PD-së të vitit 1999, ku Genc Pollo, do të kandidonte për postin e kryetarit të PD-së, përballë Berishës. Një përpjekje kjo që përfundoi me dorëheqjen e Pollos, pasi, sipas tij, ishin shkelur rregullat e garimit nga ana e kryetarit dhe kandidatit Berisha. Duke qëndruar në strukturat drejtuese të partisë, Pollo u përpoq që të përcillte domosdoshmërinë e demokratizimit të partisë përmes një lëvizjeje, e cila më pas do të shndërrohej në krijimin e Partisë Demokrate të Re, në fillim të vitit 2000. Pas krijimit të partisë, që vijoi me një përballje në gjykatë mes dy partive për çështjen e logos, reformatorët arritën që në zgjedhjet e 2001-shit të merrnin 6 deputetë, ndërsa vetëm pas dy vitesh ata do të etiketoheshin nga Berisha me epitete nga më të ndryshmet, teksa kësaj partie iu kërkua, nga ish-kryeministri Fatos Nano, ndihma për të kaluar dy ministra në Kuvend, atë të rendit dhe të jashtëm. Reformatorët nuk iu bashkuan gjithashtu edhe lëvizjes, asokohe në opozitë të Berishës “Nano ik”, ndërkohë që rrethanat çuan në një afrim sërish mes tyre në zgjedhjet e 2005-ës, atëherë ku mazhoranca socialiste ishte konsumuar së tepërmi për të fituar edhe një mandat tjetër.
Bode në qeveri: U pinë vetëm kafetë e vogla
Batutat e “martesës”, Ruli: Pollo ku e ke unazën!
TIRANË - Vetëm pak minuta pas firmosjes së marrëveshjes së bashkimit të PD-së e PDR-së, në mbledhjen e qeverisë, (punimet e së cilës vijuan më pas), filluan edhe batutat e para. Ka qenë pikërisht zv. Kryeministri Genc Pollo, i cili është përballur me batutat e para nga ministrat, të cilët teksa kishin dëgjuar Berishën për “martesë” me partinë e Pollos, i kërkuan këtij të fundit që të kishte në dorë unazën e martesës. Kështu, ministri i Ekonomisë dhe Energjitikës Genc Ruli, përmes batutash i kërkoi Pollos që t’i shihte unazën. “Të shohim pak dorën, ku e ke unazën?”, - iu drejtua Ruli, batuta e të cilit u pasua nga ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu. Kjo e fundit i kërkoi zv. Kryeministrit Pollo, çokollatat që duhet të jepte me rastin e bashkimit të dy partive. Në vijim të këtyre batutave, ministri i Financave, Ridvan Bode, i cili ishte edhe krah Kryeministrit Berisha, gjatë takimit ku u shpall zyrtarisht shkrirja, e konsideroi momentin e këtij bashkimi si “pirja e kafeve të vogla” midis Berishës dhe Pollos. Në këtë mënyrë, e ashtuquajtura shkrirje midis PDR-së dhe PD-së, duke qenë se tanimë përbënte një formalitet, shërbeu në fakt dje edhe për batuta brenda kabinetit të qeverisë Berisha, batuta këto që i ndryshuan ngjyrën e fytyrës, zv.kryeministrit Pollo.
Pikat e marrëveshjes së shkrirjes mes dy partive
1. Tre vende të sigurta të zyrtarëve të lartë të PDR-së, në kryesinë e PD-së, 7 vende në Këshillin Kombëtar, duke vijuar me të njëjtin raport edhe në strukturat bazë.
2. Anëtarësisë së dy partive u njihet automatikisht vjetërsia e jetës së mëparshme në formacionet politike respektive.
3. Në funksion të bashkimit, degët në të gjitha rrethet, do të nisin menjëherë shkrirjen e tyre, proces i cili shkon paralelisht me zgjedhjet e reja në parti.
4. Procesi i bashkimit në të gjitha nivelet quhet i përfunduar pas zhvillimit të zgjedhjeve të reja në parti, të cilat parashikohet që të kryhen brenda tremujorit të vitit 2009.