E Shtunë, 31 Tetor 2026

Refuzimi i statusit, Topi: Politika braktisi qytetarët

Sipas tij, i gjithë faji për pengesën e integrimit i përket politikës dhe qytetarët shqiptarë janë dëmtuar nga mosmarrëveshjet midis drejtuesve të partive.

“Vitin e kaluar Bashkimi Evropian i prezantoi Shqipërisë 12 rekomandime për një sjellje të re politike dhe reforma konkrete. Pas një viti, fatkeqësisht, shumica e këtyre kërkesave nuk janë plotësuar. Shqipëria vijon të ketë vështirësi në aplikimin e demokracisë funksionale, agjendat partiake vijojnë të jenë dominuese mbi agjendat e reformave integruese dhe shteti i së drejtës ndeshet ende me problematika komplekse e të patrajtuara si duhet. Për të gjitha këto arsye, Shqipëria humbi edhe njëherë shansin historik për të hedhur hapa serioze në përafrimin e vet me Bashkimin Evropian”, tha Topi.

Sipas tij, anëtarësimi në Bashkimin Evropian është një aspiratë me interes kombëtar për Shqipërinë, “ndaj edhe në momente të tilla, qytetarët dhe publiku kanë të drejtë të ndihen të braktisur nga klasa e tyre politike”. “Për çdo qytetar ka qenë dhe mbetet e qartë kërkesa për demokraci funksionale, për dialog e bashkëpunim intensiv e institucional midis mazhorancës dhe opozitës për reformat integruese, për forcimin e shtetit të së drejtës përmes rezultateve konkrete në luftën kundër korrupsionit dhe konsolidimit të institucioneve të pavarura e kushtetuese. Në radhë të parë 12 rekomandimet e BE-së iu adresuan qeverisë dhe opozitës, dhe sot kur bilanci tërësor mbetet negativ, përgjegjësia direkte bie pikërisht mbi këto palë politike”, shtoi më tej kreu i shtetit.

Ai shprehet se gjatë ditës së djeshme palët nuk pranuan fajin për mungesën e dialogut, çka sipas tij, kjo praktikë duhet refuzuar. “Kjo është ajo çfarë nuk i duhet Shqipërisë, demokracisë dhe integrimit. Kjo është ajo, për të cilën qytetarët shqiptarë ndihen padrejtësisht të penalizuar. Shqipëria ka nevojë për një vizion të ri politik, për qëndrime e politika të përgjegjshme, jashtë retorikave personale e propagandistike që nuk zgjidhin, por zgjasin pa fund tranzicionin dhe shanset tona integruese”, vijoi Topi në këtë kontekst.
Ashtu sikurse edhe herë të tjera, presidenti i bëri apel partive të mëdha politike që të gjejnë forcë për të dalë nga interesat e ngushta për të bashkëpunuar në kuadër të reformave.

“Apeli im publik është se forcat kryesore politike, në vend të alibive dhe argumenteve partiake kundër palëve respektive, duhet të përqendrohen në një klimë të re dialogu e bashkëpunimi serioz, për të mbajtur realisht premtimin e dhënë dje për shndërrimin e Raportit të BE-së në agjendë të aktivitetit të tyre politik. Është e qartë se në këto rrethana kërkohet një Parlament funksional dhe produktiv; një bashkëpunim intensiv në çështjet që përbëjnë interes të gjerë publik; një qeverisje më transparente dhe në shërbim të qytetarëve, veprime konkrete kundër korrupsionit dhe abuzimit me pushtetin, stabilitet ekonomik e klimë reale besimi për garantimin e konkurrencës së lirë ekonomike dhe sigurimin e sa më shumë investimeve të huaja në Shqipëri”, vijoi presidenti Topi. Në fund, kreu i shtetit iu drejtua qytetarëve të vendit, duke nënvizuar se ata meritojnë më shumë respekt dhe mirëqenie. /S.Ll/Start/

                                                                                             2011-10-13 13:08
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›