Arrestohen nga policia tetë të rinj, shpërndarës droge në kryeqytet
Policia e Tiranës ka arrestuar tetë të rinj, të cilët akuzohen për shpërndarje të lëndëve narkotike në kryeqytet. Policia nga katër aksione të ndryshme të kryera sekuestroi rreth 1.9 kg kanabis sativa. Sipas burimeve zyrtare, në përfundim të operacionit policor të koduar “Bujtina”, i realizuar nga specialistët e Seksionit Kundër Lëndëve Narkotike, u mundësua kapja dhe më pas arrestimi në flagrancë i 4 adoleshentëve. Në prangat e uniformave blu ranë 17-vjeçarët me inicialet F.J. e A.K., 15-vjeçari F.K., dhe E.M., 14 vjeç, të katër banues në Tiranë. Sipas policisë, adoleshentët janë kapur në flagrancë në bulevardin “Zogu I”, me një sasi bime të dyshuar si bimë narkotike e llojit kanabis sativa, me peshë prej 1 kg e 250 gr, e cila ishte e ndarë në 324 porcione, e gatshme për shitje dhe një sasi tjetër, e cila ishte e paambalazhuar.
Të ndaluarit e shpërndanin vetë lëndën narkotike. Ata e shisnin mallin në kryeqyteti tek “Piaca” dhe në afërsi të Shallvareve. Policia, përveç kanabisit, sekuestroi edhe një motor, i cili shërbente për të shitur dhe shpërndarë lëndën narkotike, e 20 ambalazhe plastike farmacie. Gjithashtu, në prangat e uniformave blu ra 26-vjeçari Mirgen Beqiraj, lindur dhe banues në Tiranë. Arrestimi i tij u krye sepse më datë 13 nëntor 2009, rreth orës 00:00, është kapur nga shërbimet e policisë me dy kasetofonë që dyshohej se ishin të vjedhur. Pas një kontrolli të ushtruar në banesën e tij, u gjend një sasi e dyshuar narkotike e llojit kanabis sativa, dy qese farmacie të mbushura me bimë të dyshuar narkotike, si edhe 40 qese farmacie bosh. Sasia e drogës rezultoi në peshën 724.8 gr.
Ndërkohë, dy ditë më parë, specialistët e Seksionit Kundër Lëndëve Narkotike mundësuan arrestimin në flagrancë të 21-vjeçarit Jotjol Bërdilla dhe Armando Hysnelaj, të dy banues në Tiranë. Sipas burimeve zyrtare, ndalimi i tyre u krye pasi më datë 12 nëntor 2009, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, janë kapur në flagrancë duke i shitur lëndë narkotike një shtetasi. Gatë kontrollit të tyre personal, iu është gjetur një sasi bime narkotike e dyshuar si e llojit kanabis sativa, me peshë 16 gr me gjithë ambalazh, e ndarë në 3 qese farmacie.
Agjentët gjatë një kontrolli të kryer ndaj 22-vjeçarit Gentian Kaca, në “Rrugën e Kavajës”, i gjetën dhe i sekuestruan në cilësinë e provës materiale sasinë prej 1(një) gram pluhur, e dyshuar si lëndë narkotike e llojit heroinë, e ndarë në dy doza. Materialet ndaj tetë të ndaluarve i kanë kaluar prokurorisë së rrethit. Ata akuzohen për kryerjen e veprës penale të “prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike”.