E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjirokastër, transportonin 93 kg marijuanë, arrestohen dy të rinj nga Lazarati



Policia në Gjirokastër ka vënë në pranga dy të rinj nga Lazarati, të cilët u kapën ndërsa po transportonin 93 kg marijuanë. Në prangat e uniformave blu ranë 22-vjeçari Mikel Aliko dhe 21-vjeçari Donalt Aliko. Të rinjtë ishin duke lëvizur me dy automjete dhe gjatë aksionit janë përpjekur që ta çajnë bllokimin me anë të makinave që lëviznin. Ata u shoqëruan në komisariat, ndërsa policia po punon për zbulimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë trafik.

Operacioni

Punonjësit e policisë u organizuan në pasditen e së dielës, pas marrjes së informacionit në rrugë operative se në dy makina ishte duke u transportuar një sasi lënde narkotike.

Sipas njoftimit të marrë, një sasi lënde narkotike po transportohej me dy automjete nga Lazarati në drejtim të Sarandës. Menjëherë, uniformat blu u vendosën në aksin rrugor Gjirokastër-Sarandë mbi fshatin Jorgucat, ku ngritën një postbllok.

Rreth orës 18:00, automjetet janë afruar në postbllokun e ngritur nga këto shërbime dhe automjeti i parë, tip “Benz” me targa greke IEN 5766, me drejtues shtetasin Mikel Aliko sapo ka parë policinë ka tentuar të largohet me shpejtësi, por s’ka mundur, pasi automjeti është përplasur me makinën e policisë e cila kishte bllokuar rrugën.

Drejtuesi i automjetit tip “Benz” ka braktisur automjetin dhe është larguar me vrap në drejtim të fushës së lumit Drino, ku pas disa minutash është kapur nga specialistët dhe agjentët e Sektorit të Luftës Kundër Krimit të Organizuar të cilët po e ndiqnin. Ndërsa automjeti i dytë tip “Renalut Clio” në ngjyrë të kuqe, me targa GJ 1222 B, me drejtues 21-vjeçarin Donalt Aliko, i cili lëvizte pas automjetit tip “Benz”, ka tentuar të kthehet mbrapsht, por është përplasur me makinën tjetër të policisë, e cila ishte vënë në ndjekje të tyre. Drejtuesi i automjetit tip “Renalut” është izoluar nga shërbimet e policisë dhe është arrestuar në flagrancë. Si pasojë e përplasjes, automjetet e policisë dhe automjetet e shtetasve të lartpërmendur pësuan dëme materiale, ndërsa nuk pati të lënduar në njerëz.

Droga e kapur

Agjentët e policisë nga kontrolli i kryer gjetën të vendosura në çanta sasi marijuane në të dyja makinat. Sipas burimeve zyrtare, në automjetin tip “Renault” u konstatuan 2 çanta të mëdha shpine, me ngjyrë të zezë, njëra në bagazh dhe tjetra në sediljen e pasme, ku brenda tyre kishe lëndë narkotike të dyshuar si marijuanë. Në secilën çantë kishte nga dy pako të mëdha të mbështjella me letër natriban, ku pesha e tyre rezultoi gjithsej 53 kilogramë.

Ndërsa në bagazhin e automjetit tip “Benz” janë gjetur 40 pako të mbështjella me letër natriban me peshë një kilogramë secila, gjithsej 40 kilogramë, si dhe 2 çanta të mëdha shpine, ngjyrë të zezë, bosh, që shërbenin për të futur lëndën narkotike që ishte në bagazhin e “Benz”-it. Dy të ndaluarit u shoqëruan në qelitë e paraburgimit. Ata akuzohen për kryerjen e veprës penale të “trafikut të lëndëve narkotike”.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›