Greqi, arrestohet në një fshat pranë Athinës Alket Rizai
Është arrestuar në Greqi emigranti shqiptar, Alket Rizai, një prej personave më të kërkuar nga policia. Ai është arratisur dy herë nga burgjet e sigurisë së lartë në vendin fqinj, në mënyrë spektakolare, duke përdorur helikopter. Shqiptari është vënë në pranga në një fshat pranë Athinës, ndërsa ai ishte duke fjetur me të dashurën e tij në fshatin e Ano Shuli-t. Sipas mediave greke, operacioni ka qenë shumë i fshehtë dhe shqiptari “nuk pati kohë as të përdorte pistoletën e tij apo granatën e dorës”. Gjatë operacionit u vunë në pranga edhe tre persona të tjerë, që akuzohen si bashkëpunëtorë të shqiptarit. Në operacionin për arrestimin e shqiptarit morën pjesë 25 punonjës policie të forcave speciale greke. Në fillim të vitit 2009, shqiptari u arratis me helikopter së bashku me një prej personave më të rrezikshëm në Greqi, Vasilis Paleokostas. Ata të dy mbaheshin në burgun e Koridhalosit, një prej vendeve të sigurisë së lartë të shtetit helen. Dhe arratisja e dytë vjen identike me atë të parën, të ndodhur disa kohë më parë, sërish me Paleokostas-in. Ngjarja ku u përfshi shqiptari vuri në qendër të kritikave policinë greke, nga ku pati edhe dënime nga gjykata në radhët e saj.
Fshehja nga policia
Banesën ku qëndronte i shumëkërkuari shqiptar e kishte gjetur e fejuara e tij. Rizai ndërronte shpesh banesat ku qëndronte, pasi ishte në kërkim të vazhdueshëm nga agjentët grekë. Sipas deklaratave të bëra nga pronari i shtëpisë ku shqiptari u kap, ai nuk e dinte se kush ishte klienti i tij. Në polici deklaroi se banesën ia kishte dhënë me qera një vajze shumë të bukur. Kjo e fundit i kishte thënë pronarit të shtëpisë se do të jetonte aty me një kushëri të saj, Petritis Kristina, emri i rremë i Alket Rizait, që jetonte në Gjermani.
Banesa, e cila ndodhet në zonën e Soulit të Sipërm, në Grammatiko, rreth 30 kilometër larg kryeqytetit të Athinës, ishte dhënë S. Gannet, të fejuarës së Rizait, pasi ajo pagoi një shumë të majme parash. Por ka qenë celuari që ka çuar agjentët grekë, në vendndodhjen e shqiptarit. Ata e kanë rrethuar herët në mëngjes, duke mos i lënë atij asnjë mundësi largimi. Gjatë momentit të arrestimit, shqiptari më i kërkuar në Greqi nuk ka harruar të bëjë humor. “Prapë këtu ti”, - kanë qenë fjalët që ai i ka thënë një pjesëtari të forcave speciale, i cili e kishte arrestuar atë edhe një herë më parë para disa viteve. Rizai ka qenë i armatosur gjatë momentit të arrestimit. Ai ka pasur me vete 4 granata dhe një kallashnikov. Rizai është shoqëruar sërish për në burg. Këtë radhë në një vëzhgim shumë herë më të rreptë nga policia greke.