E Diel, 1 Nëntor 2026

Refuzohet oferta e PS-së për zgjidhjen e krizës politike

24/12/2010  Zhvillohet mocioni me debat për integrimin, Kuvendi përfshihet në debate e akuza

Kuvendi i Shqipërisë rrëzoi rezolutën e Partisë Socialiste, e prezantuar si oferta e saj e fundit drejtuar mazhorancës. Gjatë debateve që zgjatën 6 orë për mocionin me debat për integrimin në BE, deputetët e dy mazhorancës dhe opozitës replikuan dhe akuzuan secilin për dështim në detyrat dhe përgjegjësitë e tyre në përpjekjet për realizimin e aspiratave të Shqipërisë për në BE. Replikat që morën vëmendjen më të madhe ishin ato mes Kryeministrit Sali Berisha dhe kreut të kuvendorëve socialist, Gramoz Ruçi. Po dje, kreu i ekzekutivit iu përgjigj akuzave të socialistit Erion Braçe për nxitje të kërcënimeve ndaj tij.

Rezoluta

Për deputetin Pandeli Majko rezoluta e ofruar nga PS me shtatë pika në përmbajtje mund të drejtojnë palët drejt zgjidhjes së krizës. “Oferta e parë lidhet me garancinë e transparencës së zgjedhjeve. Të nxjerrim përgjegjësitë lidhur me refuzimin e statusit të kandidatit; të sigurojmë pavarësinë kushtetuese e financiare të sistemit të drejtësisë; të fillojmë menjëherë, që pas realizimit të këtij kompromisi të të gjithë reformave që kanë të bëjnë me sistemin e drejtësisë; të heqim të gjithë së bashku imunitetin, të miratojmë një strategji për sa i përket çështjes së pronës, lirinë e medies dhe gjetjes së një balancimi në një histori që kam përshtypjen se jemi shumë të qartë dhe e shtata të zbatojmë kartën evropiane të autonomisë vendore”, - tha Majko. Por PD nga ana e saj gjithashtu prezantoi një rezolutë, e cila kishte shumë pika të përbashkëta me atë të PS-së përveç momentin të nxjerrjes së përgjegjësive. Mazhoranca aktuale i kërkon opozitës të marrë përsipër të luajë rolin e saj si opozitë, dhe të kontribuojë në procesin reformues së bashku me mazhorancën. Opozita ka deklaruar se në varësi të seancës së fundit plenare do të ndërmarrë edhe aksione të tjera politike që mund të pasohen nga mocioni për shkarkimin e Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, siç ishte deklaruar fillimisht. Para pak muajsh BE i refuzoi Shqipërisë statusin e vendit kandidat të BE-së, vendim i cili ka hapur një debat të ashpër mes palëve, të cilat fajësojnë njëra-tjetrën për këtë çështje.

Berisha-Ruçi

Kryeministri Berisha ka garantuar se do ta shndërrojë në program pune raportin e fundit të BE-së. Ai e ka kufizuar vëmendjen e akuzave të tij nga opozita, vetëm tek kreu i saj kreu i opozitës, Edi Rama, duke e akuzuar se ka penguar procesin e vizave dhe integrimit. “Ju kërkoni të mos merrem me opozitën, unë kam shumë respekt për të. Unë nuk ju dua si aleatë, unë dua opozitë. Por nëse mendoni se është e dëmshme për Sali Berishën e keni gabim, sepse ju e forconi gjithmonë edhe më shumë. Ju u angazhuat gjithnjë edhe më shumë për të bllokuar procesin e vizave. Në kokën e një njeriu u ngulit thellë se po mori Berisha vizat pas NATO-s, ky u çimentua në pushtet”, - tha Berisha. I pakënaqur me përgjigjen e Kryeministrit, Ruçi kritikoi mënyrën me të cilën mazhoranca krekoset për arritjet e saj. “Opozita kërkon që pushtetarët e vendit tonë të jenë vërtetë pushtetarë dhe jo pushta politikë, të ulin kokën dhe të marrin përgjegjësitë, të bëjnë detyrat e shtëpisë që nuk i kanë bërë.”, - tha Ruçi.

Bregu: Kërkesa e opozitës, alibi për dështimin e saj

Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, gjatë seancës parlamentare të mocionit me debat kërkuar nga grupi parlamentar i PS-së e ka cilësuar joserioze opozitën në kërkesën e saj, si dhe në ofrimin e bashkëpunimit për zgjidhjen e krizës politike. “Kontradikta në këtë mocion është e madhe dhe e dukshme, sepse ndërsa bëni fajtore qeverinë për statusin e kandidatit, sot ju shprehni shkruar vullnetin politik për zgjidhjen e krizës, duke thënë se tani, pra që sot, që ju do të filloni të impenjoheni politikisht, do ti hapet rruga integrimit të vendit në BE. Sot angazhoheni të shpëtoni vendin, por harroni se për të shpëtuar të parët, jeni ju vetë. E vetmja gjë pozitive në mocionin tuaj është se duke premtuar ripërfshirjen tuaj në politikë, keni pranuar mosushtrimin deri tani të rolit që ka një opozitë”, - theksoi Bregu. Gjatë fjalës që mbajti në Kuvend, ministrja bëri një përmbledhje të aksionit politik të qeverisë për të çuar përpara reformat dhe sukseset e arritura, si dhe përpjekjet sipas saj të opozitës për të penguar këto përpjekje. “Pas zgjedhjeve të 2009-ës për të cilat asnjë hijezim negativ nuk ka as në raportin e 2010-ës, ju ishit në rrugë kur u mor vendimi për shqyrtimin e kërkesës sonë për anëtarësim, nuk keni qenë sa herë janë diskutuar ligje të rëndësishme, të cilat kanë të bëjnë me reformat e vendit në rrugën e integrimit të vendit në BE”, - vijoi ministrja e Integrimit.

Ministri i Brendshëm, Basha, mosbesues për arritjen e kompromisit mes palëve

Të parëndësishëm dhe vjedhje të kohës së deputetëve e ka cilësuar ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, kërkesës së opozitës për mocion me debat për çështje të integrimit. Ai u shpreh mosbesues për arritjen e një marrëveshjeje mes palëve për zgjidhjen e krizës politike, duke fajësuar për këtë opozitën. “Nuk mendoj se sot kemi të bëjmë me një debat të rëndësishëm, por besoj se kemi të bëjmë sërish me një debat shterpë, hipokrit, vjedhje të kohës së deputetëve dhe mbi të gjitha të qytetarëve që na ndjekin. Sepse unë nuk shoh asnjë vullnet të palëve për tu bashkuar dhe për tu ngritur mbi interesat partiake, vetjake, apo të një personi të vetëm. Këtu vijmë për të mbuluar dështimin tuaj”, - theksoi Basha. Ai u kërkoi deputetëve të majtë dhe atyre të djathtë të ngrihen mbi interesat vetjake. “Kam një ftesë individuale për çdo deputet në këtë sallë. Kërkesa është të ngrihemi në nivelin e interesit kombëtar, të bashkohemi së bashku me vendimmarrje të rëndësishme reforma me karakter gjithëpërfshirës”, - tha ministri i Brendshëm.

Eduard Shalsi (PS)

Sali Berisha e di të vërtetën, prandaj nuk do të zbuloj të vërtetën. Sepse Sali Berisha nuk i ka fituar zgjedhjet, ai i ka grabitur zgjedhjet. Kauzën tonë e ka ndihmuar pa dashje Sali Berisha. Njeriu që mban të mbyllur në kutitë e votimit, aspiratën e shqiptarëve, është bërë dëshmitar i humbjes së zgjedhjeve prej tij. Berisha e ka siklet të flasë për bllokun, ndërkohë që Berisha ka qenë një djalë blloku vetë. Mesa pamë të gjithë nga disa foto të botuara nga shtypi i sotëm, z. Kryeministër nuk paska qenë një djalë i zakonshëm blloku, por një djalë me varkë në bash të saj, ndërkohë që rentar ishte djali i Enver Hoxhës.

Jozefina Topalli

Edvin Rama është i vetmi shqiptar që bën thirrje për fillimin e protestave me rastin e heqjes së vizave. Është i vetmi shqiptar, që ka ezauruar çdo përpjekje në Shqipëri e jashtë saj, që vizat të mos hiqeshin. Ka bërë lobing kundër vizave, ka shkruar letra kundër vizave, ka bojkotuar parlamentin kundër vizave, ka urdhëruar të ashtuquajtur grevë kundër vizave, ka tentuar të bllokojë rrugët nacionale kundër vizave, ka dërguar letra kundër vizave, ka shpifur për shqiptarët kundër vizave, ka bojkotuar votimet kundër vizave, ka paguar kundër vizave. Edvin Rama ti më ke shpallur armike, ky mocion duhet të ishte për mua, por ju nuk mbani as fjalën. Unë nuk të kam parë kurrë si armikun tim.

Erion Braçe

Të pastrojmë Kuvendin nga të korruptuarit. Në Kuvend bëhet vetëm shantazh. Politika po kontrollon sipërmarrjen dhe ky sistem është thelbi i krizës. Parlamenti është i njëanshëm dhe formal. Duhet tia kthejmë Kuvendin popullit. Duhet të kthejmë Kuvendin dhe qeverinë popullit. Shteti dhe qeveria shqiptare duhet të jenë në shërbim të popullit dhe jo në shërbim të pushtetarët, ministrave dhe të familjarët e tyre. Nëse do të zgjedhim këtë, atëherë ne jemi pjesë Evropës, në të kundërt ne do të jemi vendi që krahasohemi me Kirgistanin dhe përgjegjës për këtë ka vetëm një emër dhe ky është Kryeministri Berisha.

Mungesa e Berishës

Kryeministri Berisha mbërriti në punimet e Parlamentit në orën 18 00, disa orë pas fillimit të tyre. Arsyeja e mungesës së kreut ekzekutivit, siç e shpjegoi vetë ai, ishte shëndetësore. “Gjatë ditës skam mundur të vijë për shkaqe shëndetësore, temperaturë. Madje pikërisht për shkak të gjendjes time hoqa xhaketën time”, - tha Berisha.

Kërkesa e Ruçit

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi, kërkoi dje në séance dorëheqjen e ministres së Integrimit, Majlinda Brengu. Në fjalën e tij gjatë diskutimit për mocionin me debat për integrimin në BE, ai u shpreh i pakënaqur për reagimin e ministres direkte për këtë çështje, duke u shprehur se “Ministra e Integrimit duhet të artikulonte dorëheqjen e saj për dështimet”.

Përgjigja e Berishës

“Z. Braçe unë nuk merren kurrë me asnjë lloj nxitje dhe këtë e kam faktuar sot e 20 vjet. Nëse keni problem shkoni dhe zgjidheni me drejtësinë dhe mos përflisni emrin tim. Ato letra, ti dhe ndonjë tjetër, që bën rrugaçin në Parlament, je zëdhënësi i atyre klaneve, thjesht jeni zgjatim i tyre këtu në Parlament. Nëse ke nevojë për mbrojtje, shteti do të ta sigurojë”.

Akuza e Braçes

“Kam që nga 1996 që të dëgjojë e njoh shumë mirë teknikën tënde, shpifje për konsum publik, edhe teknologjinë tënde për të kërcënuar me vdekje kundërshtarët politikë. Kam këtu katër raporte për të dhëna operative të sigurimit sekret për lidhjet me Kadriovskin. Po të të përmend emra dy do i nxjerrësh përjashta nga ky Parlament”.

Debatet në Kuvend Berisha: Garantoj shumicën në hetim. Ruçi: Synon të vjedhësh

Marrëveshja, pas mesnate. Do riformulohët kërkesa e PS për hetimin parlamentar

Albana Lika

Kuvendi vendosi dje të ngrejë një Komision të Posaccëm, i cili do të riformulojë dhe një herë kërkesën e PS-së për Komision Hetimor. Marrëvershja u arrit vetëm në orën 12.40 pas mesnate. Ndërkohë Kryeministri Sali Berisha i garantoi sërisht dje opozitës mazhorancën në komisionin hetimor. Ai e cilësoi antikushtetuese kërkesës e paraqitur nga PS-ja, ndaj i ftoi ata për hartimin e një kërkese konform ligjit dhe Kushtetutës. “Për mua jeni opozitë dhe unë do të bashkëpunoj me ju në bazë të ligjit dhe Kushtetutës. Por në të gjitha pikat e kërkesës, ju kërkoni të nisni hetimin mbi dyshimet. Po nëse e nisni këtu hetimin ju dilni UFO dhe marsianë. Pranoj çdo hetim, shkoni çdo gjykatë dhe rivlerësoni çdo votë. Mos u trembni nga Shkodra. Nëse fitoni ju, merrni një deputet. Pra oferta ime është kjo. Dy deputetët e juaj, dhe dy tanët të hartojnë një kërkesë, ku të shtohen vetëm fjalët, hetim mbi faktet dhe provat për manipulime. Pas kësaj ajt ta votojmë ”, -premtoi Berisha. Shefi i ekzekutivit u kërkoi kundërshtarëve politikë të ofronin kontributin e tyre në qëllim të realizimit të reformave në vend. “Do ishte mirë që ju si forcë politike të angazhoheshit me kontributet tuaja. Ju do të kini shumicën në çdo votim. Unë e mbaj fjalën time gjithmonë. Le të ulemi të ngremë këtë komision hetimor. Pranoni gjuhën e ligjit”, - vijoi Kryeministri. Por kreu i grupit parlamentar të PS-së, Ruçi e cilësoi refuzimin e PD-së për të ngritur komisionin hetimor si përpjekje për të manipuluar zgjedhjet e ardhshme vendore. “KE na i ka shkruar me një rezolutë: të zgjidhet kriza, të hetohen zgjedhjet, të ngrihet komisioni hetimor me shumicën e opozitës. Për se nuk bëhet, kur vetë ju Kryeministër i vendit jeni deklaruar pro materialeve zgjedhore dhe pro shumicës së opozitës. Vjedhja e zgjedhjeve të radhës, kjo është arsyeja e vërtetë”, - tha Ruçi. Referuar pretendimeve të mazhorancës për atikushtetueshmëri, kreu i kuvendorëve i hodhi poshtë duke renditur sërish akuzat për manipulim të zgjedhjeve të 28 qershorit. “Po ne të akuzojmë dhe kërkojmë të hetojmë për manipulim të listave të votimit; për njerëz që kanë votuar pa kartë identiteti; ne kërkojmë sasinë e atyre që kanë përdorur në votim kartat e identitetit; ne të akuzojmë për përdorim të kartave false; për evidentimin e emigrantëve, të cilët i bëre votues, ndërkohë që sistemi tregoi se ata nuk kanë hyrë fare në Shqipëri; pse keni dhënë në mënyrë të jashtëligjshme leje nga burgu për elementë kriminalë, dhe përdorur më pas ata në procesin zgjedhor. Sot duhet të jepni përgjigje përfundimtare nëse kini apo skini vullnet për të zgjidhur këtë çështje” , - tha Ruçi. Në përfundim ai tha se opozita nuk heq dorë nga lufta e saj. “Ne jemi këtu për një angazhim publik për ti dhënë fund krizës politike dhe për të respektuar angazhimet e KE-së. Nëse se keni vullnetin ne na keni përballë për të luftuar për votën e lirë”, - tha ai.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›