E Diel, 1 Nëntor 2026

“Refuzojmë të bëhemi pjesë e pabesisë dhe fasadës së partisë të Bamir Topit”

29-10-2011 / Gazeta 55

Të zgjedhurit vendorë të rrethit të Pukës, reagojnë për keqpërdorimin e “Sofrës Pukjane”, nga Presidenti i Republikës

“Ditën e diel, datë 30 tetor 2011, Presidenti Topi do të zhvillojë një vizitë pune në qytetin e Pukës. Në orën 11.00 do të takojë Kryetarin e Bashkisë së Pukës dhe më pas do të marrë pjesë në një veprimtari kulturore në Pallatin e Kulturës së këtij qyteti”.
Ky është njoftimi i shpërndarë dje nëpërmjet postës elektronike nga ana e Drejtorisë së Informimit Publik, të Presidencës. Ndërsa Presidenca lajmëronte këtë eveniment, një tjetër mesazh, i shpërndarë po nëpërmjet postës elektronike, bënte me dije se, jo vetëm kryetari i bashkisë së Pukës, por edhe 9 të zgjedhur të tjerë vendorë të këtij rrethi, denonconin nëpërmjet reagimit të tyre përdorimit politik që Bamir Topi i bën Sofrës Pukjane, duke refuzuar të marrin pjesë dhe të bëhen fasadë e partisë se tij, sikurse shpreheshin ata në njoftimin e shpërndarë për mediat

Deklarata e plotë e drejtuesve vendorë të rrethit të Pukës

“Ne drejtuesit lokalë të njësive vendore të rrethit të Pukës shprehim indinjatën tonë për keqpërdorimin që Bamir Topi po i bën Sofrës Pukjane, një aktivitet i përvitshëm kulturor i pukjanëve që nderojnë origjinën dhe traditat e kësaj treve, që ka pasur kontribute të vyera për Shqipërinë dhe kombin shqiptar ndër shekuj.
Këtë vit, Bamir Topi ka vendosur të përdorë këtë takim të përvitshëm për të promovuar partinë e tij të re, duke shënuar një skandal të paparë në historinë politike të këtij vendi. Qysh prej fillimit të këtij evenimenti të përvitshëm, Sofra Pukjane është menduar dhe realizuar me pjesëmarrjen e pukjanëve, larg paragjykimeve dhe ndarjeve politike, si një forum për të angazhuar energji dhe ide të përbashkëta për zhvillimin e kësaj treve. Ky forum nuk është ngritur dhe krijuar për të ndarë dekorata dhe shpërblime, por për të ndarë përgjegjësi dhe angazhime qytetare.
Bamir Topi nuk është as pukjan dhe as nuk ka treguar gjatë këtyre viteve angazhim, qoftë edhe minimal, për problemet dhe interesat e pukjanëve. Prishja e kësaj tradite, pavarësisht shportës së dekoratave, është një akt pabesie i Bamirit dhe i atyre që kërkojnë të përfitojnë dhe ndajnë përfitimet.
Ne, drejtuesit vendorë të rrethit Puke, nderojmë dhe vlerësojmë kontributin dhe arritjet e çdo pukjani, por nuk pranojmë të bëhemi fasadë as e partisë së Bamirit dhe të çdo individi që fyen dhe nuk respekton krenarinë, gjuhën dhe traditat tona, pavarësisht ndryshimeve që mbartin.
Ne refuzojmë me neveri që të jemi pjesë e promovimeve politike individuale të Bamirit, që nuk kanë të bëjnë me interesat e qytetarëve që përfaqësojmë dhe për më tepër janë demonstrime të hapura të shkeljeve të kushtetutës, e cila është dhe do të mbetet detyrimi ynë i përhershëm për ta respektuar”.
Pukë, 28 Tetor 2011

Drejtuesit vendorë të rrethit Pukë
Ferit Ringaj     – Nënkryetar i Qarkut Shkodër dhe kryetar i Këshillit Bashkiak Pukë
Beqir Arifaj     – Kryetar, Bashkia Pukë
Alfred Qafa     – Kryetar, Bashkia Fushë-Arrëz
Rrok Doda     – Kryetar, Komuna Qerret
Ndue Cara     – Kryetar, Komuna Gjegjan
Gezim Vata     – Kryetar, Komuna Iballë
Hil Kola     – Kryetar, Komuna Qafë-Mali
Fatmir Bala     – Kryetar, Komuna Qelëz
Ndoc Prendi     – Kryetar, komuna Blerim
Ndue Gjoni     – Kryetar, Komuna Rrapë

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›