E Diel, 1 Nëntor 2026

Tirana çoi në pension Haxhi Qamilin, Ramiz Alinë dhe Edi Ramën

29-10-2011 / Gazeta 55

Që nga Tropoja, Kryeministri Sali Berisha përgëzon kryeqytetasit dhe të gjithë shqiptarët, të cilët u kanë dhënë atë që meritojnë Don Kishotëve të Historisë së atdheut. Lidhur me polemikat politike, kreu i mazhorancës rithekson se opozita po konfirmohet si bllokuese e integrimit, me refuzimin e ligjeve me 3/5, ndërkohë që kujton se Edi Rama u detyrua të shkruajë për veten, pasi s’gjeti njeri të shkruajë për të

Kryeministri Sali Berisha deklaroi dje nga Tropoja, ku mori pjesë në inaugurimin e disa veprave publike, se opozita vazhdon me politikën e bllokimit, ndërsa refuzon bashkëpunimin në interes të vendit dhe aspiratës së mbarë shqiptarëve. Kryeministri apeloi për kthimin e opozitës në rrugën e konstruktivitetit parlamentar, si interesi më i mirë për perspektivën evropiane të vendit. “I bëj thirrje opozitës të bashkëpunojmë për reformat në parlament. Të lëmë mënjanë interesat e karriges dhe të shohim interesat e kombit. Dua t’i them se koha është të shohim përpara. Është shumë herë më mirë të ulemi dhe të miratojmë ligjet që kërkohen për integrim, se sa të shkruajë vëllimin e 4 apo të 5 të kujtimeve të Moisiut apo të ndonjë tjetri. Nuk ka ç’të bëjë, kur nuk shkruan njeri për të, do shkruajë ai për veten e tij. Ndaj dhe ju garantoj se do të bëjmë gjithçka që projektin tonë Shqipëria e zhvilluar ta çojmë çdo ditë përpara, por nga ana tjetër integrimit në Evropë do të jetë proces dinjitoz për çdo shqiptar. Shqipëria nuk mundet kurrsesi të tregohet me gisht si i varfëri i Evropës. Shqipëria është vendi më i bukur i Evropës, është vendi me pasuritë më të mëdha, Shqiptarët janë njerëzit më punëtorë. Asnjë komb, asnjë vend, në 20 vite nuk ka bërë atë që keni bërë ju, qytetarët e lirë të Tropojës dhe të mbarë Shqipërisë. Ndaj dhe njëherë dua tu falënderoj shumë për këtë pritje vëllazërore dhe tu garantoj se të gjitha projektet e paraqitura nga drejtuesit tuaj dhe ju vetë do të bëhen realitet, siç është bërë kjo rrugë, siç janë bërë një seri veprash të tjera publike. Ne do të investojmë në çdo skaj të Tropojës dhe të mbarë Shqipërisë”, u shpreh kryeministri Berisha.
Duke ballafaquar alternativat e mazhorancës, si alternativa zhvillimi, Berisha u ndal edhe në alternativën bllokuese të opozitës.
“Krahas kësaj alternative, e cila qëndron në ndërtimin e rrugëve për çdo zonë, për çdo fshat, ndërtimin e shkollave, ujësjellësve, bahçeve, ndërtimin e sistemeve të vaditjes, është dhe alternativa e shpifjeve, e trillimeve, e kujtimeve të pensionit. Le t’i pyesim së bashku vëllezërit tanë socialistë këtu, në Has, në Tropojë, në Kukës, a votuat ju që t’ua përdorin votën për të bllokuar fëmijët tuaj, për të bllokuar Tropojën, Kukësin, Hasin dhe të gjithë Shqipërinë. Jo, kurrë nuk keni votuar për këtë. Por një gjë duhet tu themi këtyre Don Kishotëve, se në historinë tonë kemi pasur të tillë. Kemi pasur të tillë, kur Ismail Qemali shpalli pavarësinë. Ata dilnin me flamuj të rreckosur – poshtë shkaba, rroftë baba! Dhe këta janë mbetjet e historisë. Kemi pasur të tillë, kur shqiptarët mbushnin malet për të luftuar për liri, ata do të vendosnin diktaturën më të egër, më mizore, më barbare që Evropa ka njohur në historinë e saj. Po ku janë sot? Në koshin e historisë. Kemi pasur të tillë, të cilët përdorin pushtetin e dhënë nga qytetarët shqiptarë për të bllokuar ligjet me 3/5 në Parlament. Po ku do shkojnë? Te paraardhësit e tyre do të përfundojnë”, u shpreh Berisha, nga fshati Golak, ku përuroi rrugën Kam – Golaj, një investim me vlerë 754 milionë lekë.
Brenda këtij konteksti, më tej kryeministri përshëndeti qytetarët e Tiranës, të cilët sipas tij, që i dhanë atë që meritonte Haxhio Qamilit dhe që nxorën në pension politik, Ramiz Alinë e Edi Ramën. “Këtu nga Hasi dua t’u çoj një përshëndetje të përzemërt qytetarëve të Tiranës. Asnjë moment mos harroni se ata e kanë merituar njëqind herë qenien kryeqytetas. Ishin ata të cilët i dhanë Haxhi Qamilit atë që meritonte. Ishin ata në krye të shqiptarëve që nxorën në pension politik Ramiz Alinë. Ishin ata, të cilët në maj të këtij viti, në krye të shqiptarëve, nxorën në pension politik Edi Ramën dhe i thanë - shkruaj memorie. Po vëllezër dhe tani i sëmurë nga virusi i Blushit po shkruan vëllimet e Moisiut. Ndaj ju ftoj të vazhdojmë së bashku. Ju garantoj juve, zoti kryetar i komunës, por dhe të gjithë qeveritarët vendorë të rrethit të Hasit, pa përjashtim nga përkatësia partiake, se qeveria do të mbështesë çdo projekt, i cili do të ndryshojë për mirë jetën tuaj. Do të bëjmë gjithçka që në çdo skaj të këtij rrethi burrat e gratë, vajzat e djemtë, të kenë infrastrukturë moderne evropiane. Do të bëjmë gjithçka që ju me mundin e djersën tuaj të mëkëmbni gjithnjë më shumë veten, familjen, Hasin dhe Shqipërinë”, vijoi më tej Kryeministri.

Objektivi i qeverisë, investimet dhe infrastrukturë moderne
Duke u ndalur në investimet e qeverisë në projektet e zhvillimit në zonën e Tropojës, kryeministri Berisha premtoi kthimin e infrastrukturës në moderne dhe europiane, ndërsa theksoi se rrugët e Shqipërisë do të asfaltohen të gjitha. Berisha u ndal fillimisht në fshatin Golaj, në rrethin e Hasit, ku mori pjesë në përurimin e përfundimit të rikonstruksionit të rrugës Kam - Golaj, segment i rrugës Bajram Curri - Has. Rruga, një investim me vlerë 754 milionë lekë, me gjatësi rreth 20 kilometra dhe gjerësi 4 metër, u vjen në ndihmë 8500 banorëve të fshatrave të kësaj zone dhe i lidh ata me Krumën. Asfaltimi i rrugës ka shkurtuar kohën e lëvizjes së këtyre banorëve, nga mbi dy orë udhëtim që ishte më parë, në njëzet minuta. Duke shprehur kënaqësinë për inaugurimin e kësaj rruge, një tjetër premtim i mbajtur i qeverisë, Kryeministri Berisha tha se brenda vitit që vjen përfundon rruga Krumë-Kukës, rruga Kukës-Peshkopi, inaugurohet unaza verilindore të vendit, e cila fillon në Valbonë, shkon në Librazhd, vazhdon me Ersekën, Kolonjën, Përmetin, Kardhiqin dhe Delvinën.
“Shpreh kënaqësinë që jemi sot këtu për të prerë shiritin e kësaj rruge prej 20 kilometrash që lidh fshatrat e kësaj zone me Krumën. Ne inaugurojmë sot së bashku këtë rrugë, një fjalë e mbajtur, një premtim të bërë realitet. Kjo rrugë ka një vlerë prej 754 milionë lekë dhe gjatësi rreth 20 kilometra. Këto vite qeveria ka investuar në infrastrukturën e rrethin e Hasit, Tropojës dhe Kukësit 420 milionë euro. Janë ndërtuar 330 kilometra rrugë, nga të cilat 210 kilometra rrugë kombëtare, 80 kilometra rrugë rajonale dhe 40 kilometra rrugë lokale. Janë ndërtuar 41 shkolla, 50 qendra shëndetësore, 33 ujësjellës e kanalizime. Janë subvencionuar 430 hektarë dru frutorë, janë rehabilituar sisteme vaditje në një seri fshatrash të kësaj zone. Por unë jam sot këtu për tu zotuar para jush se projektet e qeverisë që ju keni mbështetur do të vazhdojnë deri sa në çdo fshat të këtij rrethi të ngremë e të ndërtojmë të njëjtën infrastrukturë, të njëjtat rrugë, shkolla, kanalizime, kopshte me ato të qyteteve të vendit. Brenda vitit që vjen përfundojmë në parametrat më të mira evropiane rrugën Krumë – Kukës. Brenda vitit që vjen inaugurojmë së bashku rrugën Kukës - Peshkopi. Inaugurojmë unazën verilindore të vendit, e cila fillon në Valbonë, shkon në Librazhd, vazhdon me Ersekën, Kolonjën, Përmetin, Kardhiqin dhe Delvinën. Ne së bashku do të ndërtojmë Shqipërinë vend i zhvilluar”, u shpreh Berisha.
Kryeministri siguroi kryetarin e komunës Golaj dhe të gjithë qeveritarët vendorë të rrethit të Hasit se qeveria do të mbështesë, pa përjashtim nga përkatësia partiake, çdo projekt që do të ndryshojë për mirë jetën e tyre.
“Ne do të shtrijmë infrastrukturën më të mirë në mënyrë që ato t’i njohin shqiptarët, t’i njohë Europa, t’i njohë mbarë bota. Ne do të bëjmë gjithçka që pasuritë tuaja të mëdha nëntokësore e mbitokësore të shndërrohen në vlera për familjet tuaja. Ne do të bëjmë gjithçka që ju këtu në Has, në Kukës, në Tropojë dhe në mbarë Shqipërinë të keni sistemin më të mirë të vaditjes. Ne ju bëjmë thirrje ju të vendosni me pasion dhe dashuri të madhe për Hasin Tropojën, Kukësin e Shqipërinë”, u shpreh më tej Berisha.

Berisha inauguron rrugën Rragam – Kam, me vlerë 811 milion lekë
Kryeministri Berisha inauguroi në Tropojë dy lote të rrugës Has - Tropojë. Fillimisht, kryeministri inauguroi segmentin rrugor Rragam-Kam me gjatësi 31 km, gjerësi 6 metra dhe vlerë investimi 811 milion lekë. Sistemimi dhe asfaltimi i rrugës sipas të gjitha parametrave moderne do të lehtësojë ndjeshëm komunikimin për banorët e fshatrave përreth, duke iu shtuar kështu investimeve gjithnjë në rritje, për këtë zonë. Gjatë këtyre viteve, në rrethin e Tropojës janë investuar 120 miliard lekë, të cilat janë konkretizuar në ndërtimin e 27 rrugëve dhe 5 urave, 13 ujësjellës dhe kanalizime, 13 shkolla, 12 ambulanca dhe qendra shëndetësore. Ndërsa, për sa i përket bujqësisë janë subvencionuar në pemëtari 40 milion leke, kundrejt 1.7 milion lekëve të investuara nga qeveritë e mëparshme. Në sektorin energjetik janë investuar 60 milion euro në rehabilitimin e HEC- ve dhe janë kontraktuar ndërtimet e 5 HEC te rinj. Në takimin me banorët e komunë së Bytyçit, Kryeministri shprehu kënaqësinë që ndodhej mes tyre, në inaugurimin e një rruge të rëndësishme, e cila shënon një zhvillim të ri, në jetën e banorëve të zonës.
Me pretimin se vitet e ardhshme investimet për rrethin e Tropojës do të trefishohen, kryeministri renditi një sërë drejtimesh ku do të përqendrohen këto investime, në të cilat  një vend kryesor zënë projektet për fermerët dhe zbatimi i teknologjisë moderne në fushën e bujqësisë. “Vitet që vijnë, ju jap fjalën ju, se këto investime do të trefishohen, dhe sapo të përfundojmë projektin kombëtar të rrugëve, ne do të ndërtojmë për ju, do të ndërtojmë për fermerët shqiptarë sistemin më modern të vaditjes, në mënyrë që ju të vadisni me metodat më të mira dhe të merrni prodhimet më të mëdha”- tha Kryeministri.
Berisha garantoi se qeveria do t’i japë përparësi dhe do të mbështesë çdo projekt të paraqitur nga drejtuesit lokalë, por edhe nga vetë banorët, në dobi të përmirësimit të jetës së tyre.

Në Tropojë janë investuar gjatë këtyre viteve 120 miliardë lekë
Janë ndërtuar: 27 rrugë dhe 5 ura
13 ujësjellës dhe Kanalizime
13 shkolla, 12 ambulanca dhe qendra shëndetësore
Në bujqësi, subvencionet në pemëtari, janë 40 milionë lekë në krahasim me 1.7 milionë të socialistëve
Janë investuar 60 milionë euro në rehabilitimin e HEC- ve dhe kontraktuar ndërtimet e 5 HEC-ve të rinj

Investimet e Qeverisë në komunën Bytyç:
Rikonstruksioni rrugëve Kam – Qaf Prush, Pac – Berishë, Paç – Gjonaj (Pika Kufitare), vaditja në fshatrat Zherkë, Vlad, Pac, Prush, Zogaj.

Investimet në Zbatim në Tropojë janë:
• Rikonstruksioni i rrugëve Fierzë – Lekbibaj, Shoshan – Dragobi – Valbone, Llugaj – Sopot.
• Pallati ri Sportit dhe Shkolla 9 vjeçare në Bajram Curri,
• Ujësjellësit në Shoshan, Margegaj, Koçanaj, Paqe, Fushë lumi.
• Pritet të fillojë puna edhe në segmente Sopot - Kernajë dhe Tropojë - Buçaj

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›