Refuzon ta nënshkruajë Projektbuxhetin

Presidenti i Republikës, Fatmir Sejdiu ka refuzuar ta nënshkruaj Projektbuxhetin për vitin 2010, i cili u miratua javë më parë nga Parlamenti i Kosovës.
“Arsyeja e mos-nënshkrimit të Projektbuxhetit lidhet me disa vërejtje që i ka pasur Presidenti”, ka deklaruar për Express, Xhavit Beqiri, Zëdhënës i Presidencës.
Proceduralisht, nëse një ligj nuk nënshkruhet nga Presidenti brenda tetë ditësh nga miratimi i tij në Parlament, atëherë ai ligj hyn në fuqi automatikisht. Në këtë kontekst, institucionet kosovare, edhe pa nënshkrimin e Presidentit, tashmë kanë filluar ta shfrytëzojnë buxhetin e paraparë për këtë vit.
Sipas Zëdhënësit të Presidencës, vendimi i Presidenti s’ka të bëjë asgjë me mosmarrëveshjet që kanë partnerët e koalicionit aktual qeverisës - Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës.
“Vërejtjet e Presidentit kanë të bëjnë me çështjet buxhetore, e jo me ato politike. Këto vërejtje, Presidenti i ka paraqitur në Qeverinë e Kosovës dhe në Kryesinë e Parlamentit”, ka shtuar Beqiri.